Liria e mediave të jetë e paprekshme (me video)

prev next
 
Prishtinë E enjte, 03 Maj 2012 14:43

Lëndët që ka të bëjnë me shpifjet nuk mund të gjykohen si penale, si dhe nuk ekziston liri e tepruar e shtypit, por vetëm liri apo kufizim i saj. Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët me temën ‘Respektimi i Kodit të Etikës në Kosovë-Garanci për shtypin e lirë”, të organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.

Kryeredaktorët e shumë mediave në vend thanë se Kodi duhet të jetë udhërrëfyes për gazetarët dhe gazetarinë, dhe se duhet të shërbejë për të gjithë pa asnjë dallim.

Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami ka pohuar se ekzistimi i Këshillit të Mediave të Shkruara e bën intervenimin e politikës në media të shkruara, jo vetëm të panevojshëm, por të jetë një fakt që tregon se politika nuk dëshiron t’i bëjë mediat më të mira, por dëshiron t’ia mbyllë gojën mediave kur ata shkruajnë për të bëmat e tyre të këqija.

Sipas tij, ka probleme në gazetari dhe se nuk jemi krejtësisht profesional, por duke i krahasuar me vendet e tjera, ka pohuar se jemi më mirë se Shqipëria dhe Maqedonia me gazetari.

“Nuk ekziston liri e tepruar e shtypit, sikur që nuk ekziston liri e tepruar në përgjithësi, ekziston vetëm liri apo kufizim i saj, dhe gjithë ata që arsyetohen me punën e keqe, raportimet negative apo joprofesionale të mediave dhe gazetarëve, i marrin ato si arsyetime për të kufizuar atë liri, ata e bëjnë me vetëdije, duke e ditur dhe duke zgjedhur të mos përmendin një faktor i cili ekziston në Kosovë dhe i cili gjithkund në botën demokratike përdoret në vend të kufizimit të lirisë së shtypit, sepse nëse kufizon lirinë e shtypit do ta kufizosh lirinë e të shprehurit dhe lirinë në përgjithësi, dhe a i faktor është vet rregullimi, i cili është mekanizmi që mediat vet vështrojnë punën e vet, analizojnë, gjykojnë veten, ashtu që shteti dhe politika të mos kenë fare rol në gjykimin në media”, ka thënë ai.

Por, Bajrush Morina, kryeredaktor në të përditshmen ‘Bota Sot’ ka pohuar se kodi i mediave të shkruar është abetare që është dhe duhet të jetë udhërrëfyes i gazetarëve.

Ndërsa Flutura Kusari nga BIRN ka thënë se ligji parasheh imunitet në disa raste, ku thuhet se nuk mund të paditen ata që flasin brenda Kuvendit, ata që flasin brenda Qeverisë apo edhe brenda Gjykatës. Ajo në këtë rast ka këshilluar gazetarët t’i detyrojnë të njëjtit ta thonë edhe jashtë institucioneve të njëjtën deklaratë.

“Në shkurt të vitit 2012, Gjykata Supreme ka marrë një qëndrim parimor ku e ka sqaruar një herë e mirë se në Kosovë të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me shpifje duhet të shkojnë në civile dhe të gjykohen në aspektin civil e jo në penale. Këtë informatë si duket nuk e kanë pasur deputetë e Kosovës, dhe diskutimi atë ditë ka qenë dhe arsyetimi, që neni 37 për përgjegjësinë penale të autorëve, gazetarëve apo kryeredaktorëve duhet të ngelet për shkak të shpifjes. Kjo ka krijuar konfuzion. Nuk është specifikuar se cilat janë veprat penale për të cilat një gazetar duhet me pas përgjegjësi. Nuk mundet një gazetarë me u mbrojtje prej veprave penale nëse nuk e din cilat janë ato vepra penale”, ka thënë ajo.

E kryeredaktori i Agjencisë së lajmeve ‘KosovaPress’, Fadil Bajraktari ka thënë se mediat duhet të kenë liri, ndërsa neni 37 dhe 38 duhet të hiqen, pra të kthehen në Kuvend.

Duke folur për gazetarinë online, Bajraktari ka pohuar se pirateria është një ndër problemet më të mëdha në këtë lloj gazetarie.

"Duke u nisur nga fakti se gjendja e lirisë së shprehjes është edhe tregues i shkallës së zhvillimit të demokracisë së një shoqërie, bëj thirrje që liria e mediave në Kosovë të jetë e paprekshme, sepse Kosova është një shtet në zhvillim, pasi përmes mediave të zhvilluara, profesionale dhe të lira, arrijmë të kultivojmë tek qytetarët ndjenjën humane, rritjen e shkallës së demokracisë, uljen e shkallës së krimit dhe shumë çështje të tjera që janë të rëndësishme për shoqërinë tonë, e që ne vendet e zhvilluara janë të padiskutueshme”, ka thënë ai.

Kjo tryezë është organizuar në ditën ndërkombëtare të shtypit, bashkë me shumë aktivitete të tjera, që po vazhdojnë të mbahen gjatë tërë ditës. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë