• Lajmi
  • KosovaPress, 29 Qershor 2013 15:29

LDK nominon kandidatët për 16 komuna

prev next
 
Të ngjajshëm

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nominuar kandidatët për 16 komuna, me të cilët do të garojë në zgjedhjet komunale që pritet të mbahen me tre nëntor të këtij viti. Të gjithë kryetarët e komunave të drejtuara nga LDK, janë nominuar sërish për një mandat tjetër katër vjeçar. Ndërsa, nominimet e kandidatëve për komunat tjera, duke përfshirë këtu edhe Prishtinën, pritet të bëhen publike muajin e ardhshëm.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një konferencë të thirrur për gazetarë, të shtunën, ka publikuar emrat e 16 kandidatëve të cilët do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, duke vlerësuar se të gjithë kandidatët i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara nga statuti i LDK-së.

“Këshilli i përgjithshëm i LDK-së në prill të këtij viti ka diskutuar lidhur me kriteret për zgjedhje dhe të cilat i kemi aprovuar në të gjitha degët e LDK-së. Ndërkohë kemi angazhuar anëtarët e kryesisë që të zhvillojnë diskutime në degë, në prezencën e FRG- dhe të rinisë, në mënyrë që të jepen propozimet nga degët për kryetarë komune. Sot këto propozime i kemi diskutuar në mbledhjen e kryesisë dhe kemi marrë vendim që të nominojmë kandidatët për 16 komuna, ndërsa për komuna tjera do të vendosim në muajin tjetër”, ka thënë ai.

I pari i LDK-së, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, për mundësinë e kandidimit të tij për kryetar të Prishtinës edhe për një mandat, ka thënë se për një gjë të tillë ende nuk ka përgjigje, duke pohuar se në muajin korrik do të kuptohet për kandidatin e Prishtinës, por edhe të komunave tjera.

“Nuk do të jetë vendim vetëm i kryetarit, por do të jetë vendim i cili do të merret në harmoni me statutin e LDK-së dhe statuti parasheh që propozimet të bëhen në nivel dege në Prishtinë i kemi pesë degë dhe ato të vijnë në kryesi dhe ajo të përkrahë ato propozime. Por, propozimi përfundimtar dhe vendimi është i kryesisë së LDK-së, kështu që karshi kësaj ne do të veprojmë me Prishtinën, por edhe komunat tjera”, ka thënë ai.

Në vazhdim ua sjellim listën e kandidatëve të LDK-së të nominuar sot për kryetarë të komunave.

Gjilan, Lutfi Haziri. Podujevë, Agim Veliu. Pejë, Gazmend Muhaxheri. Gjakovë, Luan Gola. Istog, Haki Rugova. Ferizaj, Muharrem Sfarça. Lypjan, Imri Ahmeti. Kamenicë, Shaip Surdulli. Vushtrri, Refik Ramaj. Obiliq, Mehmet Krasniqi. Fushë Kosovë, Burim Berisha. Dragash, Fatmir Mehmeti. Rahovec, Fahredin Shehu. Viti, Sokol Haliti. Novobërd, Bajrush Imeri. Dhe në Kaçanik Selim Rekaj./Kosovapress/