• Lajmi
  • KosovaPress, 05 Prill 2012 14:05

LDK e AAK i kthehen seancës, por jo edhe Vetëvendosja

prev next
 
Të ngjajshëm

Ka vazhduar punimet seanca e Kuvendit të Kosovës, pasi që është arritur marrëveshja në takimin e dytë mes kryetarit të kuvendit, Jakup Krasniqi, nënkryetarëve dhe shefave të grupeve parlamentare, ku prezent ishte edhe zëvendës ambasadori amerikan në Kosovë, Michael Murphy. Seanca ka vazhduar me heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për bankat dhe institucionet mikrofinanciare deri në arritjen e një marrëveshje mes grupeve parlamentare, ndërsa në rend të ditës është futur shqyrtimi i dy projektligjeve në lexim të parë, ai për ndërmarrjet publike dhe për ndërtimet.

Shefi i Grupit të PDK, Adem Grabovci ka propozuar që projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare të hiqet nga rendi i ditës deri në arritjen e një marrëveshje.

Nga ana tjetër, pas takimi të fundit, ka zbutur edhe qëndrimin shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili ka thënë se është pranuar kërkesa e LDK-së që të hiqet nga rendi i ditës projektligji për bankat dhe institucionet financiare dhe vazhdimin e seancës me shqyrtimin e dy projektligjeve sipas rendit të ditës.

Po ashtu, me këtë është pajtuar edhe Grupi Parlamentar i AAK-së, me vazhdimin e seancës dhe shqyrtimin e Projektligjit për ndërmarrjet publike dhe të ndërtimit.

Por me këtë nuk është pajtuar Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar, Visar Ymeri ka thënë se ky grup vazhdon të ketë qëndrimin e njëjtë, që kundërshton shqyrtimin e këtyre projektligjeve kontestuese.

Me futjen e këtyre projektligjeve, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka lëshuar sallën.

Pas shqyrtimit të këtyre dy projektligjeve, do të raportoj ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi për arrestimin e dy policëve kosovar në kufirin Kosovë-Serbi. /Kosovapress/