Kuvendi hap qendër për vizitorë

prev next
 
Prishtinë E premte, 14 Shtator 2012 15:43

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë është bërë hapja solemne e Qendrës së Vizitorëve në Kuvendin e Kosovës, me ç’rast kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe zëvendësambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Kelly Degnan e kanë vlerësuar si hap të rëndësishëm hapjen e kësaj qendre, në mënyrë që qytetarët të dinë më shumë për punën e Kuvendit dhe të dëgjohet zëri i tyre.

Ai ka thënë se hapja e kësaj qendre tregon rrugën e vështirë të cilën ka kaluar Kosova për këto vite, por njëkohësisht edhe për të ardhmen që do të ketë Kosova.

“Kjo njëkohësisht tregon se sa e vështirë dhe sa e gjatë ka qenë rruga e demokracisë për qytetarët e Kosovës dhe shoqërinë në përgjithësi. Kremtimi i kësaj dite dhe ardhja e qytetarëve për t’i parë ndryshimet që po ndodhin në shoqërinë kosovare e sidomos në shtëpinë e demokracisë së tyre është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen e Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, ka theksuar Krasniqi.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kuvendi është angazhuar që shtëpia e demokracisë në Kosovë dhe puna e saj para qytetarëve të bëhet sa më transparente.

Ai nuk ka lënë pa përmendur që Kosova në rrugën e demokracisë e ka pasur edhe gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Ndërkaq zëvendësambasadorja e SHBA-ve, Kelly Degnan ka thënë se përurimi i kësaj qendre është në kohën e përshtatshme, pasi që po bëhet në ditën ndërkombëtare të demokracisë.

Degnan ka theksuar se qytetarët duhet të interesohen për udhëheqësit e tyre se a po i kryejnë obligimet që kanë marrë apo jo.

“Por kuvendi nuk mund të funksionoj në mënyrë efikase pa pasur qytetari aktive. Në demokraci të gjithë qytetarët japin përgjegjësinë që të përzgjedhurit e popullit të dëgjojnë zërin e tyre, përndryshe qysh mundet qeveria me ditë se çka ju duhet çka dëshironi apo çka funksionon apo çka nuk funksionon”, ka deklaruar Degnan.

Madje, ajo ka thënë se në Kosovë po tregohet interesim i madh i qytetarëve për punën e institucioneve dhe kjo vërehet me interesimin e qytetarëve. Për këtë edhe Qeveria e SHBA-së ka përkrahur këtë projekt, në mënyrë që qytetaria të jetë më aktive.

Edhe drejtori i NDI-së për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin ka thënë se hapja e kësaj qendre mundëson që qytetarët të përcjellin punën e legjislativit.

Për rregullimin e kësaj qendre ka qenë një investim i përbashkët mes NDI-së, Qeverisë së Kosovës dhe USAID-it.

 
 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë