Kultivuesit e manaferrës (s) kanë përkrahje

prev next
 
Prishtinë E premte, 27 Korrik 2012 11:21

Lush Krasniqi është kultivues i kulturës së manaferrës tash e tri vjet. Ai thotë se kultivimi i saj nuk donë shumë punë dhe është një fryt i shëndetshëm dhe shërues. Ai ndodhje në sheshin “Nënë Tereza” për t’i shitur prodhimet e tij në Panairin e kësaj kulture. Ai shprehet i kënaqur me shitjen e manaferrave të tij, edhe pse, sipas tij, ky prodhim nuk është shumë i njohur në vendin tonë.

“Manaferra është një fryt i ri që kultivohet në Kosovë. Pasi që është i ri është edhe i panjohur për popullatën. Ka filluar tash tri-katër vjet. Unë jam prodhues, viti i tretë që kultivojë dhe marr fryte nga manaferra. Është një fryte me veti shëruese, është një fryt i shëndetshëm, është një fryt që nuk kërkon shumë punë dhe angazhim dhe është një fryt që besoj se do të ketë ardhmëri të sigurt për zhvillim dhe për plasim”, ka thënë ai.

Si kultivues i kësaj kulturë, ky fermer shprehet i pakënaqur me përkrahjen që po i jep Ministria e Bujqësisë për rritjen e kapaciteteve prodhuese.

“Ministria e Bujqësisë, me të thanë të drejtën nuk kemi pas përkrahje. Unë po flas për komunën e Gjakovës, nuk po flas për të tjerat”, ka thënë ai.

E nga ana tjetër, zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë i kanë thënë Kosovapressit se ky është viti i dytë që kjo Ministri e përkrah kultivimin e kësaj kulture.

Isuf Cikaqi, Drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Mbrojtjes së Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), thotë se tash e dy vjet kjo Ministri e mbështetë kultivimin e manaferrës.

“Që dy vite me radhë, edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit, Ministria e Bujqësisë për mes programit për mbështetjen e sektorit të bujqësisë përmes granteve, ka futur si prioritet edhe mbështetjen për kultivimin e pemëve të imëta, që në grupin e pemëve të imëta bën pjesë dredhëza, manaferra, mjedra, boronica, bruserezi. Ndërsa Ministria e Bujqësisë si prioritet për këto dy vite e ka paraparë mbështetjen e kulturës së dredhëzës, manaferrën dhe mjedrës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se mbështetja e MBPZhR-së për kultivimin e kulturës së manaferrës është 50 për qind për ata fermerë që mendojnë t’i zgjerojnë sipërfaqet e mbjella me këto frute.

Ndërsa kur është fjala për numrin e vogël të fermerëve që merren me kultivimin e manaferrës, ai ka thënë se një ndër faktorët është edhe mos kultivimi tradicional i këtij fryti në vendin tonë. Ai ka shtuar se nga viti në vit po rritet interesimi i fermerëve të që merren me kultivimin e saj, prandaj, sipas tij, Ministria e Bujqësisë, tash e dy vjet, e mbështet edhe këtë sektor dhe kanë filluar të duken rezultatet e para të kësaj mbështetje.

Cikaqi ka thënë se një ndër planet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë është ndihma përmes granteve që do t’u jepen fermerëve për kultivimin e sipërfaqeve.

Ai thotë se hapi i parë që bëhet është mbështetja e fermerëve që ata t’i zgjerojnë sipërfaqet me kulturën e manaferrës, kurse hapi i dytë që Ministria e Bujqësisë është e interesuar ta bëjë dhe, sipas tij, po e bën, është organizimi i panairit, sikurse ky tash i këtij lloji, në bashkëpunim edhe me donatorët e huaj, përderisa si hap të tretë thotë se është promovimi dhe marketingu i kultivimit të kësaj kulture me qëllim që në këso panaire prodhuesit të shihen, të afrohen, të bashkëbisedojnë, të njihen mes veti dhe si rezultat i kësaj, ai thotë që konsumatori, duke i parë frutat e manaferrës nga kultivuesit tanë dhe shijimin e tyre, mund të vijë deri të vetëdijesimi dhe interesimi që të konsumojmë sa më shumë fruta të këtij lloji.

Të rikujtojmë se këto ditë është hapur Panairi i Kultivimit të Manaferrës Vendore 2012, i cili është përkrahur nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim edhe me NOA, projekt i USAID-it, pastaj edhe me IADK-në dhe me Zyrën Zvicerane për Zhvillim. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë