Kuçi: Komandanti Drews pati të drejtë

prev next
 
Prishtinë E mërkurë, 25 Prill 2012 15:20

Deklarata, një ditë më e parë, e komandantit të KFOR-it, Erhard Drews, se KFOR- mund t’i mbyll rrugët alternative në veri të vendit, në rast se politikanët serb keqpërdorin vizitat e tyre në Kosovë, është përshëndetur sot nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili ka thënë se KFOR-i duhet të reagojë, posaçërisht ndaj politikanëve serbe që hyjnë ilegalisht në Kosovës duke propaganduar pretendime territoriale ndaj Kosovës. Gjithashtu ai ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për veriun e Kosovës, mjete këto me të cilat parashihet ndërtimi i disa shtëpive për qytetarët në atë pjesë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së Qevrisë, para gazetarëve ka thënë se komandanti i KFOR-it ka qenë më i qartë në deklaratën e tij të fundit.

“Mendoj që komandanti i KFOR-it dje ka qenë më i qartë në kuptimin e asaj nëse vijnë dhe keqpërdorin do të marrin masa të tilla. KFOR-i e ka misionin për krijimin e ambientit të sigurt dhe njerëzit që vijnë në mënyrë ilegale, politikanët, në veçanti të Serbisë që vijnë me pretendime territoriale për Kosovën, e prishin këtë ambient të sigurt dhe KFOR-i do të reagoj këtu. Po ashtu, edhe EULEX-i edhe Policia e Kosovës”, ka deklaruar Kuçi.

Ndarja e gjysmë milioni euro për veriun e Kosovës, sipas Kuçit ka të bëjë për rindërtimin e disa shtëpive dhe ofrimin e jetës më të mirë për qytetarët në atë pjesë.

“Po është fjala për rindërtimin e shtëpive dhe që të krijohen kushte më të mira për qytetarët tanë atje që të jetojnë dhe të kenë kushte solide për jetë”, ka theksuar ai.

Në mbledhjen e sotme, Kabineti qeveritar ka aprovuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Grevat dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Procedurat Kontestimore.

Rregullorja për standardet e organizimit të brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në administratën shtetërore, që është miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, do të standardizojë dhe unifikojë formën organizative të administratës shtetërore në Kosovë.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe aprovuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2013-2015, si dhe raportet e Ministrisë së Financave për shpenzimin e Buxhetit në tremujorin e parë të këtij viti, Raportin Vjetor për Funksionimin e Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik për vitin 2011 dhe Raportin Vjetor për Menaxhimin Financiar dhe të Kontrollit për vitin 2011.

Ekzekutivi ka emëruar , Bedri Dragusha, kryeshef ekzekutiv të Agjencisë për Efiçencë të Energjisë dhe Nuredin Bislimi, kryeinspektor të Inspektoratit të Minierave.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar një vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 970 000.00 euro për rindërtimin e shtëpive dhe investime kapitale. Mjetet do te ndahen për komunën e Mitrovicës 500 mijë euro dhe komunën e Gjilanit 470 mijë euro për investime kapitale.

Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe vendimin për themelimin e Komisionit Disiplinor për Sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Është aprovuar edhe ndryshimi i vendimit përfundimtar Nr.09/29 i datës 03.08.2011, miratuar nga Qeveria. Vendimi ka të bëj me shpronësimet në zonën e ndërtimit të Rrugës N2, Prishtinë-Mitrovicë, segmenti Prishtinë Milloshevë, zona kadastrale Mazgit.

Qeveria ka aprovuar vendimin për fillimin e implementimit të projektit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për ndërtimin e shtëpive të banimit për pjesëtarë të komunitetit ashkali në fshatin Dubravë të komunës së Ferizajt. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë