• Lajmi
  • KosovaPress, 04 Qershor 2012 16:08

Kosova Petrol certifikohet me ISO standarde (me video)

prev next
 
Të ngjajshëm

“Kosova Petrol” vazhdon të ofrojë për konsumatorët shërbime të nivelit të lartë, duke siguruar gjithmonë kualitet të lartë të derivateve të naftës. Kjo kompani vazhdon të jetë lidere në treg sa i përket përmbushjes së standardeve ndërkombëtare. Kështu u tha në një konferencë për media, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë. Po ashtu u bë e ditur se kompania Kosova Petrol është certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare ISO 9001.

Ramadan Hasani, zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik tha se arritjet e tilla janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomisë dhe bizneseve në Kosovë. Ai tha se vizioni i zhvillimit ekonomik është plotësimi i standardeve ndërkombëtare, ngase pa këto kushte nuk mund të jemi konkurrentë në ekonominë globale e cila është prezentë edhe tek ne.

“Vetëm kjo qasje ndaj ekonomisë, do të jetë një udhërrëfyes i drejtë dhe i sigurt që do të garantojë edhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Implementimi i ISO standardit, ka synim vendosjen e praktikave efiqiente të organizimit të punës duke u fokusuar në cilësinë e produktit të ofruar. Bizneset duhet të ndërgjegjësohen në kërkesat dhe përdorimin e standardeve, pasi kështu mund të përballohet konkurrenca”, tha ai.

Edhe Arian Zeka, u.d i drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane, tha se kompanitë kanë filluar të vetëdijesohen se duhet t’i përmbushin disa standarde të caktuara për të qenë konkurrent në treg.

“Kompanitë kanë filluar të vetëdijesohen dhe të kuptojnë pjesën e tyre dhe rolin se edhe ato duhet të përmbushin disa standarde të caktuara që të bëhen konkurrente. Jam krenar që jam nikoqir i këtij takimi dhe ajo që më bën krenar është që “Kosova Petrol” është anëtare e Odës Ekonomika Amerikane. Është njëra prej kompanive që merret me shitjen e derivateve të naftës, që është më e vjetra në Kosovë dhe ka shtrirjen e madhe gjeografike dhe i takon epiteti i të qenit lider”, tha Zeka.

Ndërsa, Leonora Selmani, drejtoreshë ekzekutive në “Kosova Petrol”, tha se kjo edhe njëherë konfirmon shërbimet e nivelit të lartë që ofron kjo kompani për klientët e saj.

“Edhe njëherë po konfirmohen shërbimet e nivelit të lartë që ndërmarrja Kosova Petrol është duke i bërë ndaj blerësve të saj tani e 12 vjet, duke siguruar gjithmonë kualitetin e lartë dhe sasinë e derivateve të naftës. Kosova Petrol, pas një pune të gjatë të ISO standardeve, sot zyrtarisht certifikohet me standardet 9001-2008 dhe njëherit është kompania e parë në tregun Kosovës e certifikuar me standardet ISO”, tha ajo.

Selmani po ashtu pohoi se duke i shërbyer më se 50 mijë konsumatorëve për çdo ditë në tërë vendin, “Kosova Petrol” vazhdon të përkujdeset në mënyrë të posaçme për implementimin e standardeve dhe ligjeve në fuqi. Ajo i siguroi blerësit se “Kosova Petrol” edhe më tutje do të vazhdojë të jetë në shërbim të tyre me standarde të avancuara. Ndryshe, kompania “Kosova Petrol”, e cila gjithsej ka 400 punëtorë, në vitin 2010 është shpërblyer për performancë të lartë të kualitetit të derivateve të naftës si dhe sjelljes korrekte ndaj konsumatorëve nga një asociacion zviceran./Kosovapress/