Kërkohet largimi i barrikadave

prev next
 
Mitrovicë E martë, 17 Prill 2012 13:07

Situata në komunën e Mitrovicës është mjaft e ndërlikuar dhe e tensionuar, edhe pse gjatë ditëve të fundit nuk ka pasur incidente të rënda.

Kështu u vlerësua të martën në takimin e Komitetit për Siguri Publike në Mitrovicë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të strukturave të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare.

Numri një i Mitrovicës, Avni Kastrati tha se që nga vrasja e Selver Haradinajt në banesën e tij nga ekstremistët serbë, është punuar shumë me qytetarë, duke biseduar me ta në të gjitha lagjet veriore me qëllim të ruajtjes së qetësisë së përgjithshme, gjë që edhe është arritur.

“Qytetarët janë treguar syçelë dhe mjaft të kujdesshëm, duke mos lejuar që të provokohen nga ekstremistët serbë dhe duke iu shmangur kështu incidenteve të rënda”, ka thënë Kastrati.

Ai falënderoi KFOR-in për organizimin e mirë dhe angazhimin e duhur në mjediset me popullatë të përzier në lagjet veriore. Sipas tij, qytetarët e këtyre lagjeve, si shqiptarët ashtu edhe serbët, kanë mirëpritur kthimin e KFOR-it në mjediset e tyre për të krijuar ambient më të sigurt.

Ndërkaq, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, Behxhet Bala tha se situata është ende e tensionuar, por ka trende pozitive në qetësimin e saj.

Sipas tij, kjo situatë do të ishte edhe më e qetë, sikur në pjesën veriore të mos defilonin grupe kriminale serbe, të cilat vazhdojnë të fusin frikë e panik ndër qytetarët joserbë që jetojnë në lagjet veriore.

“Përveç grupeve kriminale serbe që shëtisin me automjete nëpër lagjet me popullatë të përzier pa i penguar askush, qytetarët po i shqetësojnë edhe tubimet parazgjedhore të liderëve ekstremistë serbë në veri të qytetit, të cilët po bëjnë deklarata shoviniste e kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe po i fyejnë shqiptarët kudo që janë”, ka thënë Bala.

Nysret Mehmeti nga policia e Kosovës, tha po ashtu se situata është më e qetë falë masave shtesë që ka ndërmarrë policia e Kosovës, duke i shtuar patrullimet policore dhe duke i vëzhguar vazhdimisht pikat më të ndjeshme në lagjet veriore të qytetit.

Në anën tjetër, nënkryetari i komunës, Rizah Haziri, tha se qëndrimi edhe më tutje i barrikadës në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe të tjerave në qytet e përreth tij, po i irriton qytetarët. “Vërtetë është e pakuptimtë që këto barrikada të qëndrojnë ende, andaj duhet të largohen sa më parë”, theksoi Haziri./Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë