Kapitali popullor-buxheti në xhepin e politikanëve

prev next
 
Prishtinë E hënë, 23 Prill 2012 11:03

Qytetarët në Kosovë jetojnë një jetë më dinamike se q'e kanë pasur tradicionalisht, prandaj edhe shoqëria si tërsi u është ekspozuar ndryshimeve rrënjësore. Shumë njerëz ndihen të shqetësuar për të ardhmen. Shumë prej tyre i kanë punët më mirë se që i kanë pasur, por që nuk ka zbutur shqetësimin e tyre, ndërsa të tjerët rropaten me ndjenjën e frikës ekzistenciale, me një rritje të theksuar të divergjencave shoqërore gjatë fazës së tranzicionit; të një shoqërie pa klasa (klasa punëtore) në atë të krijimit të klasave (shtresave shoqërore), ku të zgjedhurit kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme të përfitimit material duke krijuar (ata vet) klasën e "kapitalistëve"-pa investuar kapitalin e tyre; ishte i mjaftueshëm kapitali popullor i tubuar nga taksapaguesit.

Eshtë një keqkuptim i qëllimtë i demokracisë dhe zgjedhjeve si proces-i zgjedhjes së shërbyesve publikë, të cilët taksat qytetare duhet t'i këthejnë në mirëqenje të qytetarëve, jo për t'u distancuar nga ata që i zgjodhën dhe që ua dhanë besimin duke u besuar premtimeve të tyre; kjo ka ndodhur më heret në mënyrë shumë më të shprehur, në mandatet e kaluara, por edhe tash. Shumë njerëz kanë një ndjenjë se "unë jam duke bërë mirë, por shoqëria ka defekte, apo opozita e ka mirë ndërsa qeveria jo, ajo është e korruptuar, mendon vetëm në tendere e çka jo tjetër, por të gjithë kanë jetuar në një ambient kur përpara ka qenë shumë më keq, dhe po ata që kanë qeverisur flasin për plane e programe tjera, apo rrisin kërkesat për zgjedhje të reja-të parakohshme. Optimizmi dhe shqetësimet pra bashkëjetojnë. Ekziston një nevojë e madhe për të mbajtur diçka stabile në te, bile së paku një ndjenjë të sigurisë dhe të një identiteti të ri shtetëror, tashmë të njohur ndërkombëtarisht. Kjo nevojë është e dukshme në veçanti, deri në pritjen e përfundimit të mandatit të kësaj qeverie në mënyrë normale, duke nxjerr në pah të metat qeverisëse, pra edhe rritjen e kërkesave për përmirësim, por jo përfundimin e saj me eksperimente të reja institucionale, të cilat jo që nuk kanë mbështetje në Kushtetutë por do të rikëthenin gjendjen prapa, në atë para institucionale, shumë herë të kritikuar më heret, në atë të përfaqësimit grupor, kur grupi kishte kompetenca më të mëdha se vet institucionet e zgjedhura me votë.

Ne kemi nevojë për të gjetur një ekuilibër në mes të dinamizmit të ri dhe të sigurisë. Duhet të krijohet mjaft hapësirë për nisma të reja të zhvillimit, por në të njëjtën kohë njerëzit nuk duhet të jenë të shtyrë të mbesin mënjanë ose të ndjehen të lënë anash për të kaluar në izolim. Ne të gjithë e ndajmë përgjegjësinë për gjykim të drejtë, të drejtën e balancit publik, organizatat e shoqërisë civile dhe nivelet e ndryshme qeveritare duhet të punojnë së bashku në ndërtimin e besimit dhe respektit si dhe në nxitjen e rritjes dhe zhvillimit. Qëllimi i përbashkët është krijimi i një shoqërie të bashkuar në të cilin të gjithë mund të ndërtojnë një jetë normale në kushte të sigurisë. Duhet të mbahet kjo forcë duke përdorë atë për të arritur një status të qëndrueshëm të mbrojtjes së drejtave të njeriut, të mjedisit dhe të zhvillimit ekonomik. Kjo do të mundësojë Kosovën për të përballuar të ardhmen-me besim në institucionet demokratike të ndërtuara nga vota e qytetarëve. Qyetetaret pra kanë nevojë për një kujdes për drejtësi dhe ndërtimin e ligjeve që mbron interesin e tyre, por edhe për njëri tjetrin, për të ardhur në shprehje secili person, por edhe talentet e tyre. Investimi në njerëz dhe kuadro është aleati më i mirë i tyre, në realizimin e motos se "ne jemi të fortë kur ne do të qëndrojmë së bashku".

Kosova ka kohë që ka një qëndrim pozitiv dhe të hapur ndaj Evropës dhe pjesëve tjera të botës. Kjo frymë e hapjes patjetër ka për të sjellur prosperitet, stabilitet dhe një standard më të lartë të jetesës. Shumë çështje të brendshme kapërcejnë kufijtë kombëtarë dhe po bëhen gjithnjë e më të ndërthurura. Zhvillimi ekonomik, zvogëlimi i varfërisë, furnizimi me energji, nevoja për një mjedis të pastër, siguria, si dhe zhvillimi dhe shpërndarja e diturisë janë të lidhura shumë ngushtë. Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të jetë e angazhuar edhe më në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në zbatimin e ligjeve ndërkombëtare si dhe duke investuar në zhvillim më qëndrueshëm për dalje nga varfëria. Kjo është arsyeja pse Kosova i përmbahet sugjerimeve ndërkombëtare, që ne shpesh i quajmë përulje, servilizëm etj., sigurisht edhe për shkak të mos zgjedhjes së retorikës adekuate të liderëve, të cilët hetueshëm përdorin një fjalor të paqartë psh.," të konsultimit me miqët ndërkombëtarë" duke personalizuar raportet me organizatat ndërkombëtare dhe institucionet europiane.

Kosova duhet gjithsesi të vazhdojë rrugën konstruktive duke u paraqitur si një partner i besueshëm. Ky kontribut është i nevojshëm për sigurinë e brendëshme, për atë ndërkombëtare dhe solidaritetin, dhe për një rezultat të orientuar drejt Evropës. Qeveria duhet të jetë e angazhuar për të ndërtuar mbështetje të fortë për bashkëpunim Evropian, në dialog me publikun. Pra qeveria duhet të vizatojë një vijë të qartë në mes të asaj çka mund të bëjë dhe çka nuk mund të bëjë, për të lënë hapësirë për nisma të pavarura dhe kreativitet. Në këtë kontekst duhet të synohet të arrihen marrëveshjet mbi pajtueshmërinë politike dhe konceptin e tregut të brendshëm me organizimin e sektorit publik (duke përfshirë pensionet, sigurimet shoqërore, tatimet, arsimin dhe kujdesin shëndetësor), dhe në bashkëpunim më të madh me BE-në mbi masat për të bërë ekonominë e Kosovës më konkurruese, transkufitare për problemet mjedisore, politikën energjitike, politikën e migrimit, politikën e jashtme dhe luftën kundër terrorizmit dhe ndër-kufitare të krimit të organizuar. Patjetër duhet të ndërtohet strategjia e kooperativitetit në mes të sektorit publik dhe atij privat, jo të humbet rruga, duke u promovuar procesi i privatizimit si sukses, pa u dhënë arsyeshmëria ekonomike. Sigurisht që pa inciativë të lirë nuk ka ekonomi konkuruese dhe ajo ofron prosperitet, ja psh. PTT dhe IPKO, konkurenca në mes tyre stabilizojë dhe uli çmimet e prodhimeve të tyre, gjë që ndikojë dukshëm në ruajtjen e xhepit të konsumatorëve dhe, për të siguruar prosperitetin nuk duhet parë zgjidhjen e problemeve ekonomike në izolim, apo mbyllje të tregut nga jasht, mediat kanë përfolur masat anti-damping për fqinjët përreth, pa saktësuar detajet e Rregullores së KE-së Nr. 384/96 që ndërlidhet me dispozitat e marrëveshjes së përgjithëshme mbi tarifat dhe tregëtinë, neni VI i marrëveshjes (Marrëveshja Anti damping 1994), me qëllim të sigurimit të duhur ligjor dhe transparent në zbatimin e rregullave anti-damping. Konkurenca dhe raportet oferta-kërkesa e bëjnë një mjedis shumë më të qëndrueshëm, atë të kohezionit social, jo insrtrumentet politike, prandaj qeveria duhet të ndërtoj sigurinë, stabilitetin, respektin dhe besimin reciprok me bizneset për të rritur shërbimet publike të dedikuara për t'u shërbyer qytetarëve. Pa një përpjekje të të gjithëve nuk ka ecje përpara, kujtoni shembujt e atyre lidhjeve të vjetra: ndjenja e unitetit dhe e fatit të përbashkët para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës; e solidaritetit klasik të mirëqenies së barabartë, organizimi i rrjeteve sociale të cilat ishin të formuara kryesisht nga parimi i barazisë, dhe vlerat e përbashkëta të një shoqërie relativisht homogjene. Por mos të harrojmë ne jemi duke lënë shpejt atë kohë (të mbijetesës dhe të ekzistencës së përbashkët), tash jemi në një fazë të re të zhvillimit, prandaj marrëdhëniet hierarkike fikse dhe sistemet e tilla e kanë humbur kuptimin dhe forcën e tyre, prandaj qeveria duhet të përpunoj një program ambicioz për investime në mënyrë të detajuar për periudhën e qeverisjes, kjo është edhe detyrë e saj.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë