• Lajmi
  • KosovaPress, 04 Maj 2012 16:56

Ish-punëtorët protestojnë para gjykatës

prev next
 
Të ngjajshëm

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Ferizajt, të tubuar rreth sindikatës së tyre, kanë protestuar të premten para objektit të Gjykatës Komunale të Ferizajt, në shenjë pakënaqësie me vendimin refuzues që ka sjell kjo gjykatë, lidhur me kërkesën e punëtorëve për përmbarimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ngase tashmë të gjitha afatet kanë kaluar.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve, Ali Azemi, ka thënë se shkak i protestës së punëtorëve është moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, as nga Qeveria, as AKP-ja, e as nga gjyqësori.

“Shkak i kësaj proteste është një vendim refuzues i kësaj gjykate në kërkesën tonë që të sjellin aktvendimin për përmbarimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi që kanë kaluar të gjitha afatet e përcaktuara”, ka thënë Azemi.

Me insistimin e tyre një grup i punëtorëve është pritur edhe nga kryetari i Gjykatës komunale, Bashkim Hyseni, me të cilin, për një orë, kanë biseduar lidhur me kërkesën e tyre, por që nga takimi dolën të zhgënjyer.

“Kryetari i Gjykatës tha se kundër vendimit të Gjykatës komunale mund të ushtrojmë ankesë në Dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, pohoi Azemi para kolegëve të tij.

Ndryshe, Gjykata komunale kishte hedhur poshtë kërkesën, propozimin e Sindikatës së pavarur të punëtorëve të Fabrikës së tubave për përmbarimin e kësaj lënde si dhe për shitjen e sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme te debitorit Fabrika për prodhimin e tubave.

Në arsyetimin e Gjykatës për këtë vendim të saj, për ndërprerjen e procedurës gjyqësore të përmbarimit, thuhej se kërkesat e punëtorëve mund të realizohen në procedurën administrative që zbatohet nga Komisioni i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore nën autoritetin e AKP-së, për që punëtorët thonë se procesi i likuidimit mund të zgjasë në pa mbarim. /Kosovapress/