• Lajmi
  • KosovaPress, 30 Prill 2012 11:41

Me kushtet aktuale, të harrohen investimet e mërgimtarëve

prev next
 
Të ngjajshëm

Me gjithë dashurinë për atdheun dhe mundësitë financiare, mërgimtarët tanë nuk do investojnë në Kosovë nëse nuk u ofrohen kushte të mira për investime, ngase askush nuk dëshiron të rrezikojë parat e tyre dhe ata që duan t’i ndihmojnë familjes e bëjnë përmes remitencave, pa frikën se mund t’i humbasin paratë. Kështu vlerësojnë ekonomistë, sa i përket idesë dhe projektit që pritet të realizohet, për hapjen e qendrave për regjistrimin e bizneseve në SHBA, Francë dhe Gjermani.

Ekspertët shkojnë edhe më tej, kur vlerësojnë se meqë investimet e huaja po bien, taksat vetëm po rriten dhe nuk ka një përmirësim të të bërit biznes, sipas tyre kjo ka bërë të është vështirë të bindet dikush që të vie dhe të investojë në Kosovë.

Në anën tjetër Ministria e Tregtisë dhe Industrisë bënë të ditur se qëllimi i hapjes së qendrave për regjistrimin e bizneseve është që të shfrytëzojnë në mënyrë sa më të mirë kapacitetin ekonomik që ka diaspora jonë.

Këshilltari politik në MTI, Bernard Nikaj shprehet se fillimisht do operojnë me stafin që ekziston nëpër ambasada, apo përfaqësitë diplomatike që Kosova ka nëpër këto vende, nëse paraqitet nevoja atëherë do të shikojmë për punësim të stafin shtesë.

Por, sipas Nikajt, çështja e stafit nuk është problem i tyre, ata del se kanë një problem tjetër me të cilin po merren rreth kësaj pune.

“Ne dëshirojmë të shohim se si do të jetë zgjidhja teknike funksionale dhe një ofrim i diasporës sa më shumë që të shohin edhe ata një arsye për t’u regjistruar, sepse ligjërisht ata veprojnë nëpër ato shtete me bizneset e tyre dhe nuk kanë më nevojë të regjistrohen, por e gjitha është se ata të shohin interesin e tyre ekonomik në këtë regjistrim, për t’ju mundësuar atyre një kooperim sa më të mirë me shtetin amë, pra Kosovën”, thotë ai.

Si element kryesor te ata tani del se kanë zgjidhjen teknike të këtij regjistri, pra se ku do qëndrojë ky regjistër, si do ndërlidhet me regjistrin e bizneseve që janë në Kosovë, dhe se si do të bëhet koordinimi i një numri të institucioneve që merren me diasporën.

Fillimisht thuhet se do të tentojnë të veprojnë me stafin e ambasadave, e mundësisht edhe me lokacionet e ambasadave.

Ndryshe Nikajt, që thotë se nuk e kanë problem primar stafin, ekspertët vlerësojnë se ata duhet të jenë patjetër njohës të kësaj fushe.

Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi pohon për Kosovapress se misionet diplomatike vazhdojnë të jenë problem, ngase nuk janë profesional për punën që bëjnë, e leje më t’u shtohet edhe kjo punë.

“Është e vështirë të besohet se tani një shërbim për dhënien e këshillave në biznes apo për thithjen e investimeve do të funksionojë në mënyrën e duhur, ku për më shumë se katër vite nuk kanë funksionuar në mënyrë e duhur shërbimet e tjera diplomatike dhe konsulore. Kjo do të duhet të shoqërohet me njerëz që me të vërtetë i njohin lëmit dhe nuk duhet përsëritur gabimi që është bërë me misionet diplomatike, ku njerëzit nuk e kanë ditur as gjuhën e vendit ku kanë shkuar për të punuar, nuk duhet shërbyer as si një vend ku punësohen kuadrot e partive ashtu siç po ndodh me misionet diplomatike, por duhet të shërbejë si një mision ku njerëzit e kualifikuar informohen se çfarë biznesesh posedojnë kosovarët atje dhe cilat janë mundësitë për investime këtu”, thotë ai.

Demi, përveç kësaj thotë se Qeveria mos të mendojë të shfrytëzojë ndjenjën patriotike për t’i shtyrë të investojnë mërgimtarët. Pasi sipas tij, askush nuk rrezikon paratë në një vend ku nuk ka siguri dhe as kushte për të investuar.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka plane për të angazhuar një firmë të huaj konsulente për të ndihmuar se si të thithen investimet e huaja direkt, kur ne nuk kemi kapacitete të brendshme që këtu të përmirësojmë ambientin dhe tu ofrohemi investitorëve të huaj potencial, është pak e besueshme se do të arrijmë ta bëjmë jashtë vendit. Askush nuk do ta rrezikojë biznesin e tij për shkak të ndjenjës patriotike, ka raste të shumta kur mërgimtarët tanë kanë tentuar të hapin diçka në Kosovë por për shkak të procedurave, për shkak të reketit, apo për shkak të procedurave korruptive në administratat janë detyruar t’i mbyllin ato apo nuk kanë pasur suksesin që e kanë dëshiruar. Andaj vetëm thirrja në ndjenjat patriotike nuk do të mjaftojë për shkak se qytetarët janë ngop me dhëniet e kontributit për këtë shtet pa ndonjë shpërblim e për ata tek e fundit ata e shikojnë si punë të biznesit të tyre për raste patriotike ata kontribuojnë ndryshe. Mendojë se nëse Qeveria nëse vetëm dëshirojë të luanë me ndjenjat e tyre duke u thënë ejani se ky është vendi juaj dhe investoni në Kosovë, nuk do ketë sukses, por duhet ti ofrohet ashtu siç u ofrohet dikujt që dëshiron të investojë e që nuk ka njohuri për Kosovën dhe ti bind ata se të investosh në Kosovë ja vlen”, shprehet Demi.

Në këtë fushë ekspertët mendojnë se meqë investimet e huaja po bien, taksat vetëm po rriten dhe nuk ka një përmirësim të të bërit biznes, është vështirë të bindet dikush që të vie dhe të investojë në Kosovë.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK ), Berat Rukiqi pohoi për Kosovapress se nuk ka nevojë të ngarkohet administrata atje dhe e tëra mund të bëhet online.

Sipas tij, duhet që të ketë prezencë më të madhe të aktiviteteve të shoqatave të biznesit në këto vende, të promovohen investimet ose potenciali për investime tek diaspora jona, dhe në të njëjtën kohë diaspora të nxitet të vjen në Kosovë për të investuar, por që sipas Rukiqit, duhet t’iu ofrohen kushte apo stimulime, ngase asnjë ide tjetër nuk mund t’i bind të investojnë.

“Tash nuk mundemi automatikisht t’i shndërrojmë remitencat në investime, sepse jo e tërë diaspora ka orientime biznesore ose të afarizmit, shumica prej tyre janë të kënaqur me punën dhe jetën që bëjnë dhe kursimet e veta i dërgojnë në formë të remitencave, ne mund të tentojmë, por duhet ta gjejmë atë formën që diaspora që ka orientime drejt rritjes, tash një pjesë e madhe e atyre kanë regjistruar edhe firma në vendet ku jetojnë, kryejnë biznese të caktuara, pra këta njerëz të investojnë sepse kanë orientime afariste, ndërsa një pjesë e diasporës nuk mund të bindet kurrë të investojë ngase ata janë të kënaqur me jetën e vet dhe normalisht atë pjesën e remitencave e dërgojnë për nevojat e familjeve të tyre”, thotë ai.

Sipas planeve që kanë bërë MTI-ja, ministria e Diasporës dhe ajo e Punëve të Jashtme, pritet që brenda vitit 2012, të hapen këto qendra në katër vende të ndryshe të botës, vende këto ku konsiderohet të ketë më së shumti mërgimtarë./T.Gashi/