Identiteti shpirtëroro-fetarë

 
Prishtinë E mërkurë, 12 Prill 2006 18:35

Lëvizjet që e përpinë globin këtyre viteve të fundit bënë që edhe në mesin e popullit tonë të diskutohen, hulumtohen dhe analizohen faktorët që çuan në këto lëvizje të përshkruara ekstremisht.

Lëvizjet që e përpinë globin këtyre viteve të fundit bënë që edhe në mesin e popullit

tonë të diskutohen, hulumtohen dhe analizohen faktorët që çuan në këto lëvizje të përshkruara ekstremisht.

Fakti që populli ynë spontanisht i kishte kuptuar dhe po i kupton elementet që formojnë një qënje njerëzore në vertikalen dhe horizontalen e saj më shtyu t’i përkushtohem analizës së thënies së mirënjohur: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. 

Kur për herë të parë e dëgjova këtë, mendova me naivitet, kush qenka Zoti i kësaj feje, ku duhet të shkoj unë që t'i lutem Zotit të kësaj feje? E shumë pyetje. Përgjigjen nuk e gjeta atëherë, por mendova t'i përkushtohem punës për të hulumtuar intensën e kësaj thënje të famshme shqipe.

Për botën kjo thënie e famshme nuk vlen shumë, por për shqiptarët është shumë domethënëse. Them i bindur se bota duhet të marrë si shembull mënyrën se si shqiptarët e kanë ndarë qartë shapin prej sheqeri.

Në thellësinë e kësaj shprehje mund të mbështes idenë time për ndarjen e identitetit. Me këtë është ruajtur identiteti shpirtëroro-fetar i shqiptarit. Nuk është kërkuar të krijohet shoqëri laike, nuk është kërkuar të krijohet shoqëri qui foris sunt, por duke ditur se tek njeriu vendin më të madh e zë identiteti i tij shpirtëroro-fetar, atëherë me këtë fjalë është kërkuar që shqiptari ta binjakëzojë këtë identitet me identitetin kulturoro-etnik dhe ky identitet që ka qenë në krizë është ruajtur dhe mbrojtur.

Nekemi identitetin shpirtëroro-fetar, identitet i cili ishte dhe do të mbetet i ruajtur nga që këtu luan rol një forcë që vjen nga jashtë, nga Zoti. Kemi identitetin kulturoro-etnik me një traditë shumë të pasur. Duke ruajtur këtë identitet po ndërtojmë identitetin shtetëroro-politik në Kosovë. Identitet të cilin në Shqipëri e kemi të ndërtuar ndërsa së bashku do të ndërtojmë identitetin politiko-ekonomik Europian.

Vendet fqinje, por edhe shumë vende me një demokraci të përsosur nuk e kanë bërë këtë ndarje që populli im spontanisht e ka kuptuar. Atyre u ka kushtuar shumë dhe do t'u kushtojë sepse të manipulosh me identitetin shpirtëroro-fetar të njeriut në aspektin negativ, është si të luash me zjarrin.

Populli im me identitet shpirtëroro-fetar: musliman, katolik dhe ortodoks etj, ka kuptuar diçka të madhe, e ajo është: që të gjithë ndajnë besimin në një Zot i cili na krijoi prej një shpirti dhe na shpërndau në vende të ndryshme të globit, ndajnë të njëjtin babë Adamin (Ademin a.s)dhe nënë Evën (Haven),ndajnë të njëjtin ajër të cilin e thithim dhe lindjen e diellit, i cili u jep dritë, ndajnë besimin që kishte Abrahami (Ibrahimi a.s),ndajnë dashurinë për të virgjërën Mari (Mehreme)dhe birin e saj Jezu Krishtin (Isan a.s),ata ndajnë bëmat e Moisiut (Musës a.s)dhe të popullit të tij në malin Sina, ata ndajnë fjalën e drejtë të Kur'anit dhe shembullin e jetës së Muhamedit s.a.v.s.

Kjo atyre u ka ndihmuar që më dinjitet t'u qëndrojnë pranë vlerave të shenjta njerëzore. Populli im këtë e ka kuptuar ndërsa këto tani po shtjellohen në dekleratën e propozuar nga reisu-l-ulemi i BH, dr.Mustafa Ceriq të ashtuemëruar «Deklaratë e Muslimanëve të Europës».

Pasi këto kanë qënë të qarta për popullin tonë, ai ka dhënë identitetit të tij shpirtëroro-fetar vendin e vet dhe nuk ka manipuluar me të siç kanë bërë fqinjët dhe siç po bëjnë shumë vende demokratike.

 E përmenda edhe më lart, që të manipulosh me identitet shpirtëroro-fetar të njeriut është si të luash me zjarrin dhe shprehja e famshme: «feja e shqiptarit është shqiptaria» shumë bukur e largon shqiptarin nga zjarri. Edhe nëse tentohet të manipulohet, manipulohet me identitetin e tij kulturoro-etnik, por duke ruajtur të pastër identitetin e tij shpirtëroro-fetar do ta mbrojë identitetin e tij kulturoro-etnik.

Në takimet e mia me udhëheqës fetarë shumë të respektuar  nga rajoni të cilët me kontributin e tyre janë munduar të ndikojnë pozitivisht në ngjarjet që e përpinë botën këtyre viteve, interesimin më të madh e shfaqa m'u këtu, tek manipulimi dhe nevoja që ka njeriu për të ndarë dhe emëruar disa gjëra.

Në pyetjen time që i bëra ekselencës së tij Anastas Janullatos në Tiranë, për manipulimet negative  me identitetin shpirtëroro-fetar të njeriut nga politika, mora këtë përgjigjje: «Unë gjithmonë kam thënë dhe kërkuar që feja të mos përdoret për qëllime politike. Besoj se feja duhet t'i shërbejë një të ardhmeje më të mirë në raportet e shëndosha ndërnjerëzore dhe jo të nxisë zjarre.»

 Një ndarje të kuptuar lehtë dhe mirë të sqaruar e bëri edhe kardinali Vinko Puliq në takimin që kisha me të në Sarajevë, në pyetjen e njëjtë që i bëra. Ai kështu u bën vend besimit dhe politikës: «Besimi nuk është jetë për vete, besimi është domosdoshmëri shoqërore, këtu takohen feja dhe politika. Dhe kjo është jeta shoqërore. Takohen, por jeta shoqërore duhet të marrë nga besimi vlerat e mira, e ato janë vlerat morale të njeriut, marrëdhëniet e shëndosha morale ndërnjerëzore. Këto nëse arrin t'i japë feja ajo sigurisht do të luajë rol në vendosjen e paqes. Pa këto, edhe ato që ka ndërtuar politika do të shkatrrohen. Besimi i jep kuptim jetës, ndërsa politika është trend i kohës». Shumë e qartë dhe e menduar bukur. «Besimi i jep kuptim jetës, ndërsa politika është trend i kohës.»

I frymëzuar prapë nga shprehja e famshme shqipe, «feja e shqiptarit është shqiptaria», në takim me françeskanin At Petar Angjelloviq OFM , u interesova të marr opinionin e tij për nevojën që ka identiteti shtetëroro-politik nga identiteti shpirtëroro-fetar dhe ai më dha këtë pergjigjje: «Shtetit sikur se edhe lirisë i nevojitet e vërteta si një themel me të cilin nuk mund të manipulohet, për të cilën nuk vendos shumica demokratike. Ajo e vërtetë është nga jashtë, vjen nga diçka. Atë të vërtetë të jashtme e dhuron religjioni, e vërtetë e cila është e vendosur në shpirtin dhe mendjen e popullit. Mendja e ka borxh ta zbulojë këtë dhe ta përjetojë në jetën e përditshme» . Me mjaft precizitet ndahen dhe u jepen vlera të merituara identitetit shpirtëroro-fetar dhe identitetit shtetëroro-politik..

Lëvizjet e shkaktuara nëpër botë gjoja të buruara nga njerëz me identitet shpirtëroro-fetar musliman të përshkruara ekstremisht më detyruan që në takimin që kisha në Beograd me kryeimamin e bashkësisë islame haxhi-mufti Hamdia Jusufspahiq t'i bëja një pyetje shumë direkte: A po manipulohet identiteti shpirtëroro-fetar i muslimanëve nëpër botë? Haxhi-muftiu Jusufspahiq ishte edhe më direkt: «Ka qarqe që po tentojnë të manipulojnë me islamin, por islami i vërtetë nuk është fe që propagandon dhunë, Islami thërret në paqe».

Kjo ishte shumë e qartë për mua nga që vij nga një popull që ka ditur dhe po di të ruajë identitetin e njeriut dhe po solidarizohet me kërkesën që po e fton botën për paqe.

Përveç takimeve të mija me udhëheqës fetar, i bazuar në thënjen e Eyferth, filozof i lashtë, i cili thotë: « Aty ku nuk jemi të informuar mirë dhe ku gjërat për nga natyra strukturore e tyre nuk janë të vështruara mirë, kapemi në ato informata të pakta që kemi. Në fund të mos informimit dhe jo sigurisë rriten paragjykimet». Unë kam zhvilluar edhe vizita direkte nëpër institucione fetare. Aty kam takuar njerëz të thjeshtë që i shërbenin me përkushtim dhe dashuri institucionit ku punonin.

I vështroja ata njerëz në mënyrën se si ata e kuptonin fenë dhe mishërimin ndaj Zotit. Në çdo institucion të feve të ndryshme ku unë hyja isha i mirëpritur.

«Zoti qoftë me ty!»

Labirinthin e parë të hulumtimeve të mia e fillova me vizitën që kisha në Tiranë. Ishte një ditë e ngrohtë vjeshte dhe në mesditë kisha të aranzhuar takimin me kryepeshkopin e kishës ortodokse të Shqipërisë, ekselencën e tij Janullatos. Kjo i shte hera e parë e imja në një institucion dhe me njerëz të identitetit shpirtëroro-fetar ortodoks. Në hyrje të oborrit ishte një shtëpizë e vogël, nga aty doli një njeri. Ishte portieri dhe këtij i tregova se kisha takim me ekselencën. Ai i telefonoi sekretarit të ekselencës. Pas pesë minutash erdhi sekretari, dhe në kontaktin e parë me të më la të kuptoja se isha i mirëpritur. Sjelljet e tij ishin jo vetëm miqësore por edhe të reflektuara shpirtërisht. Pas takimit me ekselencën, po i njëjti më përcolli deri në oborrin e ndertesës me urimin më të ngrohtë fetar, «Zoti qoftë me ty!

Pa u thelluar në analiza, clare et distincte ishte për mua që njeriu me identitet shpirtëroro-fetar të pastër dhe thukt të ndarë nga identiteti kulturoro-etnik dhe shtetëroro-politik është solucioni më i mirë për njeriun, për jetën dhe shoqërinë.  Me ballë hapur dhe gjithmonë me mëndjen se jemi ne shqiptarët ata të cilët qysh moti kemi ditur të bëjmë këtë ndarje të identitetit, për dallim nga fqinjët tanë. Unë vazhdova në labirinthin e punës time.

 «Shalom»

Kisha mësuar për kujdesin që kishin treguar shqiptarët për hebrenjtënë momentet më kritike të tyre gjatë luftës së dytë botërore dhe kjo më mjaftoi që të merrja rrugën për në Doboj (qytezë në Bosjne dhe Hercegovinë).

Lufta që kishte përpirë Bosjnënnuk kishte lënë mënjanë as shtëpitë e Zotit pa i shkatërruar. Atje pas një periudhe të gjatë të pas luftës ishte ndërtuar edhe Sinagoga, e cila në krah kishte njërën pas tjetrës edhe dy shtëpi të tjera të Zotit, xhaminë dhe kishën.

Ishte hera e parë që vizitoja një sinagogë dhe me kërshëri obzervoja çdo detajë të jashtme dhe të brendshme të saj. Aty takova rabinëqë me përkushtimin më të madh reflektonte identitetin e tij shpirtëroro-fetar. Iu drejtova me «Shalom» ndërsa ai m'u drejtua me një përgjigjje të gjatë fetare që vetem shprehjen «Shalom»  kuptova.

Kur vështroja atë se me sa mirësi i përkushtohej Zotit dhe mënyrën se sa me emocion më shpjegonte për Yllin e Davidit, dhe Toran, menjëherë si të kërkoja me google.com në kokën time shfaqeshin imazhe nga ngjarjet e Aushvicit. Ato ngjarje të tmerrshme që kishin përjetuar shumë qënje njerëzore të identitetit shpirtëroro-fetar, hebrenjtë.

U largova nga ky rabi me po të njejtën pershëndetje siç e filluam takimin, «Shalom». I ngarkuar me imazhet e Aushvicit, me ato që pashë, me ato që mësova nga rabiu, dhe me ato që kisha dëgjuar për Bosnjen, si e graviruar kishte ngelur në koke pjesa që kisha lexuar në Tora, «Kur nuk ka një vizion profetik populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin».

«Zoti të ndihmoftë! Si mund t'iu shërbej bir?»

Kursorin e hulumtimit e fusja edhe atje ku mund të ndeshësha në pengesa ose paragjykoja për pengesat. Kisha dëgjuar për manastirin e Cetinjes, në Mal të Zi dhe ngjarjen e shumë përfolur të ndarjes së kishës ortodokse malazeze nga ajo serbe, iniciativë kjo e nisur nga ana malazeze.

Me vizitën që kisha në Mal të Zi, i motivuar nga të lartpërmendurat vendosa të shkoj në Cetinje, tek manastiri. Rrugës për në Cetinje pata rastin të takoja dhe të bisedoja me njerëz të identitetit shpirtëroro-fetar ortodoks të cilët më lanë përshtypjen se nuk dinin të ndanin identitetin e tyre shpirtëroro-fetar, atë kulturoro-etnik dhe shtetëroro-politik. Fakti që tek ata ishte e pjekur ajo që thonin, mua nuk më ngeli gjë tjetër vetëm të perdorë atë që natyrshëm rrjedh në mua: «edhe pse nuk pajtohem, respektoj mendimin tuaj».

Atë ditë kur arrita në Cetinje moti ishte i ftohtë, binte shi dhe borë bashkë. Edhe shiun edhe borën i ka krijuar Zoti, dhe kur shikoja se si binin pa e penguar njëra tjetrën, bëja digresionin mes asaj, shiu ka identitetin e vet, bora gjithashtu. Që të dyja kanë detyrat e tyre. Pyesja veten: Si është e mundur që njerëzit me logjikë të shëndoshë mund të fusin në një thes të gjitha identitetet e tyre?

Në manastir kishte filluar mesha. I vështroja njerëzit. Në momentin kur isha thelluar në analizat e mia që u bëja atyre njerëzve nga një derë doli një grua shumë e shtyrë në moshë, e veshur me të zeza. M'u drejtua me: «Zoti të ndihmoftë! Si mund t'iu shërbej bir?». Unë nga paragjykimi që kisha dhe i bazuar nga eksperienca që kishte pasur populli im me kishën serbe, isha i matur në kërkesa. Iu përgjigja: «Kam ardhur të vizitoj këtë shtëpi të Zotit. Zonjë a mund të hyj brenda?». Për fatin tim në atë moment po mbahej mesha dhe nuk mund të hyja. Zonja më tha: «Eja më vonë». Unë shkova shumë më vonë dhe atëherë manastiri ishte mbyllur. Në orët e mbrëmjes u ktheva në Podgoricë me itinerarin e ri për ato që kisha për të bërë.

 «A di shqip?»

 Nga Podgorica për Prishtinë autobusi me të cilin duhej të udhëtoja nisej herët dhe në itinerarin tim ishte e shënuar vizita që kisha në plan t'i bëja kishës katolike në Podgoricë. Në orët e mengjesit u ndodha para derës së këtij institucioni fetar. I rashë ziles dhe një zë i butë femëror m'u drejtua me «urdhëroni», në gjuhën malazeze. I thashë se jam turist dhe dëshiroja të vizitoja kishën.

Dera u hap, hyra vetëm deri tek koridori. Nga zyra doli vajza që m'u drejtua me «urdhëroni» dhe nga një derë tjetër para zyrës nga doli vajza dolën dy murgesha. Në fytyrat e tyre vërehej kënaqësia e punës që ato bënin. Kur fillova t'i shpjegoja vajzës me të cilën kisha kontaktuar në fillim se, kush jam, njëra nga ato murgeshat m'u drejtua me: - A di shqip? Kjo më erdhi si një vetëtimë e shndritshme.- Po- i thashë. Së bashku me murgeshën nga Peja e cila shërbente me kënaqësi në këtë institucion fetar vizituam sallën e madhe të flladshme. Edhe pse kisha eksperienca në vizitat që u kisha bërë kishave të tjera, i tregova murgeshës që unë i përkisja identitetit shpirtëroro-fetar musliman. E pyeta nëse ishte e lejuar që të hyja në atë sallë. Ajo me një fytyrë të mbushur me kënaqësi dhe e përkushtuar për t'i shërbyer Zotit, më tha: «nuk është problem».

Hymë brenda, ajo i bëri falenderimin ikonës së Jezus Krishtit e cila ishte e vendosur në ballë, me përulje. Pasi dolëm nga salla me murgeshën shkëmbyem  disa fjalë dhe me përshëndetjen e ngrohtë fetare «Zoti qoftë me ty!» u largova. Isha i mbushur me imazhe të cilat truri mundohej t'i radhiste për t'i studiuar duke bërë digresionin me ato imazhe që unë i kisha të regjistruara kur Jezus Krishti po kryqëzohej në kryq dhe vuajtjet e nënës së tij.

«Selamu Alejkum»

Përveç analizës dhe hulumtimit që bëja për identitetin e pastër shpirtëroro-fetar të njeriut, motiv për të vizituar Bajrakli Xhaminë në Beograd dy vite pas shkatrrimit të saj nga qënje njerëzore të identiteteve të ndryshme shpirtëroro-fetare, ishte edhe dëshira për të parë këtë institucion fetar të shenjtë islam se si funksionon tani dhe për të biseduar me kryemyftiun e Serbisë, haxhi-muftia Jusufspahiq.

Ishte hera e parë e imja në qytet dhe tek ky institucion i një rëndësie shumë të veçantë edhe historike. Kur hyra në oborrin e kësaj Xhamie u takova me një grua e cila priste për të hyrë, për të filluar punën. Fakti që ishte mëngjes dhe nuk kishte njëri tjetër, iu drejtova i pari me «Selamu Alejkum». Duke mu pergjigjur, «Alejkumu Selam» më pyeti se si mund të më ndihmonte. I tregova se kush isha, me një fytyrë amënore me tha: «prisni, tani do të vijë myftiu dhe mund të takoheni me të, gjithashtu mund të shihni edhe xhaminë». Ndërkohë që prisja obzervoja xhaminë dhe ndërtesën përballë saj ku ishte zyra e Bashkësisë Islame të Serbisë, e cila kishte qenë dy vjet më parë nën mëshirën e zjarrit. Duke vështruar, motori kërkues në kokën time më solli ndërmend shiun dhe borën që binin bashkë në Cetinje.

Shumë ngadalë nga vetja më rrodhi një pyetje: «Nëse shiu dhe bora binin bashkë, po cilat janë ato qënie njërëzore të identiteteve të ndryshme shpirtëroro-fetare që nuk mund të jetojnë bashkë?».

 Jo shumë dhe myftiu erdhi, hyri brenda. Pas pak erdhi po e njëjta grua dhe më njoftoi se myftiu kishte kohë për mua dhe se isha i mirëpritur. Me të përfunduar takimin me myftiun, gruaja më përcolli deri tek oborri dhe pasi më uroi një ditë të mbarë më përshëndeti me «Selamu Alejkum».

 Jashtë xhamisë, nga ky vend ku buron paqja bënte roje një polic. Me të parë këtë polic në kokë motori kërkues më gjeti atë që pak më parë më kishte thënë myftiu se: «të jesh mysliman në Beograd nuk është e lehtë».

  «Po, tek shqiptarët me rëndësi është të jesh shqiptar»

 Duke falenderuar një Dukagjinasi, mik i imi françesakan nga Gjakova, i cili studion teologjinë katolike në fakultetin françeskan në Sarajevë. Kontaktova me njërin nga fretërit, i cili gjatë kohës së luftës në Bosnje kishte ndihmuar shumë qënje njerëzore të identiteteve të ndryshme shpirtëroro-fetare: katolikë, muslimanë, ortodoksë, hebrenjë etj. Ishte ky, françeskani At Petar Angjeloviq OFM, i cili shërbente në Kishën e Shën Andout në Sarajevë. Takimin me të e kisha aranzhuar herët në mëngjes. Nga shtëpia ku unë banoja nuk ishte larg, por unë nuk e dija se ku ishte kisha dhe m'u desh të merrja taksi deri atje. Taksisti që më shoqëroi deri tek vendi më pyeti se nga isha. Kur i thashë, «nga Kosova, shqiptar», fakti që destinacioni im ishte Kisha e Shën Andout bëri që ai të pyeste se cilit identitet shpirtëroro-fetar i përkisja. Musliman- i thashë.

 Me reflekset e një shoferi me eksperiencë m'u drejtua: «po, tek shqiptarët me rëndësi është të jesh shqiptar». I buzëqeshur dhe pa koment e pershëndeta për të vazhduar në destinacionin tim.

 «Besimi është nur»

 Në fund të të gjitha vizitave të mija në institucionet e ndryshme fetare, kontakteve me udhëheqës fetar dhe me njerëz të identiteteve të ndryshme shpirtëroro-fetare, përfundova se besimi i pastër është nur dhe se për çdo njeri identiteti shpirtëroro-fetar duhet të jetë një zahir. 

Të tërë pelegrinazhin që kam bërë, e kam bërë me kokën lart nga që populli ynë është ai që ka ditur të ndajë identitetin e tij shpirtëroro-fetar, nga identiteti kulturoro-etnik dhe shtetëroro-politik. Edhe pse i rrethuar nga fqinjë të cilët këtë ndarje nuk e kanë bërë kurrë.

Populli ynë i ka dhënë vendin e merituar çdo identiteti, dhe kjo i ka ndihmuar që çdo identitet i tij, qoftë shpirtëroro-fetar, kulturoro-etnik apo shtetëroro-politik të luaj rolin e vet dhe asnjëri nga asnjeri të mos jetë i manipuluar. (autori është analist dhe hulumtues i pavarur)  

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë