I zhgënjyer me pesëshen e BE-së

prev next
 
Prishtinë E hënë, 14 Maj 2012 19:16

Diplomati austriak Albert Rohan ka shprehur zhgënjimin e tij me pesë vendet e Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë duke folur për kryerjen e obligimeve të Kosovës deri në përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur ka thënë se ka edhe shumë për t’u bërë, por sipas tij një proces i tillë do të përfundoj në shtator.

Rohan këto komente i bëri gjatë një ligjëratë në Shkollën Politike të Prishtinës (PIPS), ku nuk ka ngurruar edhe të përgjigjej në shumë pyetje për tema të ndryshme.

Lidhur me atë se çfarë duhet bërë Kosova, ai ka thënë se BE-ja nuk do t’iu tregoj se çfarë duhet bërë, por sipas tij, perspektiva evropiane është një moto anonime për zgjidhjen e konflikteve.

“Këtë e kryen procesi i zgjerimit. Nëse do të kishim një politikë të përbashkët të BE-së do të ishte më e lehtë. Për shembull nuk do të ekzistonte problem i emrit të Maqedonisë, ose mosnjohja e Kosovës. Por tek Bosnja ndryshon situata. Çështja e kushtetutës atje nuk i takon BE-së, por boshnjakëve. Por çështje zhvillimit ekonomik, sundimi i ligjit, plotësimi i kritereve të Kopenhagës nuk janë të BE-së, ju vetë duhet ta bëni”, ka thënë Rohan.

Për më tepër, ai ka shtuar se i gjithë rajoni një ditë do të jetë pjesë e BE-së, herët apo vonë.

I pyetur se ka zhgënjim pas pavarësimit të Kosovës, Rohan nuk ka ngurruar të thotë që ka zhgënjim me pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Jam i dëshpëruar me pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë, sepse është gabim dhe për keqardhje. Mosnjohja e tyre nuk ka të bëjë me Kosovën, por me çështje të brendshme të tyre, por që pengon stabilizimin e këtij rajoni. Miqtë e mi në Serbi më thonë si ta njohim pavarësinë e të jemi më pak patriotë se grekët, sllovakët etj”, ka thënë Rohan.

Diplomati austriak ka folur edhe për procesin e përmbylljes së pavarësisë së Kosovës, që sipas tij, do të përfundoj deri në shtator, edhe pse Kosova ka shumë obligime për të kryer deri në atë kohë.

“Është një listë e gjërave që duhet bërë për zbatimin e plotë të pakos së Ahtisaarit në gjithë vendin deri në qershor. Në qershor do të mblidhet ISG në Vjenë për të marrë vendimin që të përfundojë mbikëqyrjen. Në shtator, me dhjetë shtator ISG do të vijë për të njoftuar këtë vendim. Kjo nuk do të thotë se deri atëherë të gjitha punët janë kryer por do të ketë plan që ato të përfundojnë”, ka theksuar ai.

Rohan edhe njëherë është shprehur kundër ndarjes në veri, duke shtuar se ka shumë gjëra që serbët e veriut nuk i dinë për planin e Ahtisaarit. Po ashtu, ai ka thënë se nuk ka mënyrë tjetër për veriun pos Ahtisaarit. “Nuk po them se jam optimist për veriun. Por po të mos isha në natyrë optimist kurrë nuk do të isha pjesë e procesit të statusit”, ka theksuar ai.

Gjithashtu ka thënë se Republika Srpska nuk mund të krahasohet me Kosovën.

Ndërkohë i pyetur për largimin e Greqisë nga Eurozona ai ka thënë se kjo varet se a do të ketë përkrahje financiare apo jo.

“Nuk varet nga ne. Por nëse si plotësojnë kushtet nuk do të ketë mbështetje financiare. E nëse nuk ka atëherë ata do të largohen. Por nëse ndonjë lider i tyre ka plan se si të dal nga kriza nëse largohet nga BE-ja, atëherë le të na tregojnë. Nëse një fëmijë i familjes është i sëmurë, atëherë ti nuk e largon atë nga familja, por e ndihmon”, ka thënë Rohan./Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë