“Hidromorava” s’arrin të arkëtojë as gjysmën e mjeteve

prev next
 
Gjilan E premte, 04 Maj 2012 14:22

Gjatë vitit të kaluar, Hidromorava në Gjilan ka prodhuar mbi 7 milionë metra kub ujë, por vetëm rreth 3 milionë prej tyre janë faturuar. Ndër arsyet kryesore të humbjes së ujit, sipas tij, janë rrjeti i amortizuar, prishjet e shpeshta në rrjet, kyçjet e dyfishta si dhe kyçjet ilegale.

Komiteti për Shërbime Publike është shprehur relativisht i kënaqur me shërbimet e Kompanisë për Ujë “Hidormorava”, por ka kërkuar më shumë bashkëpunim të saj me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, sidomos në rastet e ndërhyrjes në infrastrukturën publike.

Xhelal Shabani, drejtor financiar në Hidromoravë, ka thënë se gjatë vitit 2011, prodhimi i ujit është realizuar në përputhje me kërkesat e konsumatorëve dhe nuk ka pasur reduktime të rregullta, përpos një periudhe dy-tri javore gjatë muajit gusht.

Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë prodhuar mbi 7 milionë metra kub ujë, por vetëm rreth 3 milionë prej tyre janë faturuar. Ndër arsyet kryesore të humbjes së ujit, sipas tij, janë rrjeti i amortizuar, prishjet e shpeshta në rrjet, kyçjet e dyfishta si dhe kyçjet ilegale.

Vlerësohet se nga kjo sasi e humbur e ujit, 50 për qind ndodh për shkaqe teknike dhe 50 për qind të tjera, për shkaqe administrative. Me qëllim të uljes së shkallës kaq të lartë të ujit të pa faturuar, kompania Hidromorava ka filluar me zbatimin e strategjisë së leximit të ujëmatësve dhe të menaxhimit të zonave.

Sa i përket cilësisë së ujit, drejtuesit e kompanisë thonë se në përgjithësi i përmbush standardet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ndërkaq, shkalla e arkëtimit të të hyrave, krahasuar me vitin paraprak është rritur për 16 për qind dhe kjo ka ndodhur falë masës së kushtëzimit, por edhe rritjes së angazhimeve vepruese të kompanisë.

Problem, sipas Shabanit, mbetet marrja në menaxhim e ujësjellësve nëpër fshatra, shumica e të cilëve nuk janë përfunduar teknikisht si dhe kanë borxhe për rrymë.

Duke iu përgjigjur interesimeve të anëtarëve të KSHP, Selim Sejdiu e Zijadin Maliqi, përfaqësuesi i kompanisë, ka thënë janë testuar ujëmatësit, te rastet kur ka pasur ankesa dhe të gjithë kanë dalë në rregull, ndërkaq sa u përket humbjeve të ujit, ose vjedhjes së tij, ai i bëri përgjegjës qytetarët, duke thënë se kompania nuk ka arritur ende të identifikojë në tërësi rrjetin e ujësjellësit, i cili është zgjeruar në mënyrë të egër.

Kryesuesi i Komitetit, Shaqir Ukshini, tha se është e qartë që masa e kushtëzimit, ka dhënë rezultate, sepse shihet te rritja e arkëtimit të të hyrave të kompanisë, ndërkohë që tha se kompania duhet të ketë planet e saj për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarë.

Në përgjithësi, komuna e Gjilanit nuk qëndron keq sa i përket furnizimit me ujë të pijes, thotë drejtori i Shërbimeve Publike, Behar Mehmeti, ndonëse shtoi se punët nuk janë për t`u lavdëruar.

Ndërkaq, raporti i kompanisë për mbeturina, Higjiena, është shtyrë për një takim tjetër të Komitetit për Shërbime Publike, pasi që përfaqësuesi i saj ka munguar.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë