Hashi: Qeverisja e mirë korporative pengon keqpërdorimin

 
Prishtinë E martë, 18 Prill 2006 13:20

Në ndërmarrjet publike apo edhe të korporatizuara nuk mungojnë shqetësimet, sepse në menaxhimin e ndërmarrjeve publike ndodhin shpeshherë keqpërdorime, korrupsion dhe mungesë të transparencës ndaj institucioneve, veçmas ndaj Kuvendit të Kosovës, thanë pjesëmarrësit të martën gjatë një seminari dyditor në Prishtinë me temën “Përmirësimi i qeverisjes korporative në ndërmarrjet publike në Kosovë”, organizuar nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest” me mbështetjen e USAID-it.

Në ndërmarrjet publike apo edhe të korporatizuara nuk mungojnë  shqetësimet, sepse në menaxhimin e ndërmarrjeve publike ndodhin shpeshherë keqpërdorime, korrupsion dhe mungesë të transparencës ndaj institucioneve, veçmas ndaj Kuvendit të Kosovës, thanë pjesëmarrësit të martën gjatë një seminari dyditor në Prishtinë me temën “Përmirësimi i qeverisjes korporative në ndërmarrjet publike në Kosovë”, organizuar nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest” me mbështetjen e USAID-it.

Fillimisht, prof.dr.Muhamet Mustafa, kryetar i “Riinvest”-it, tha se qëllimi i seminarit ka për intencë të kuptuarit në esencë të qeverisjes korporative dhe zbatimin e qeverisjes moderne në ndërmarrjet publike.

“Kjo është arritur në saje të bashkëpunimit me Odën Ekonomike të Kosovës, me sindikatat, me mediat, etj. dhe me mbështetjen e USAID-it dhe ndihmën e OECD-së, për përfitimin e njohurive mbi korporatizimin edhe nga vendet e ndryshme, si nga Britania e Madhe, SHBA-të, e vendet evropiane,” u shpreh ai.

Sipas tij në ndërmarrjet publike apo edhe të korporatizuara nuk mungojnë  shqetësimet, sepse në menaxhimin e ndërmarrjeve publike ndodhin shpeshherë keqpërdorime, korrupsion dhe mungesë të transparencës ndaj institucioneve, veçmas ndaj Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, tha se përfitimi i njohurive dhe përvojave në fushën e menaxhimit të ndërmarrjeve publike është i mirëseardhur në përmirësimin e qeverisjes korporative.

“Shërbimet publike nuk janë në nivel, çmimet nuk janë adekuate, qytetarët ndaj bizneseve shprehin pakënaqësi, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk ka informacione për ndërmarrjet publike,” tha ai.

Berisha ka potencuar se relacioni me konsumatorët nuk është i mirë, andaj nevojitet përfitimi i njohurive në qeverisjen korporative për të zhvilluar aftësinë për zhvillim të mëtutjeshëm të ndërmarrjeve publike.

Ndërkaq, prof.Iraj Hashi, profesor në Staffordshire University në Britani të Madhe, ka shpjeguar temën “Koncepti dhe modelet e qeverisjes korporative”.  Hashi ka përmendur modelet e ndërmarrjeve të korporatizuara si anglo-amerikan dhe gjerman, duke shtuar se qeverisja e mirë korporative 100% i ndan asetet, dhe nuk ndodhin keqpërdorime, por kur mungon qeverisja e mirë korporative ndodhin keqpërdorime dhe fshehje e afarizmit, si dhe mungon transparenca.

“Shumëherë në mungesë të qeverisjes së mirë ndodhin edhe konfliktet e interesave që në të shumtën e rasteve pësojnë aksionarët e vegjël. Mu për këtë arsye nevojitet që të bëhet ushtrimi efektiv i të drejtave të aksionarëve, të bëhet trajtimi i barabartë i të gjithë aksionarëve,” tha Hashi.

Mrika Kotorri, nga “Riinvesti”, ka bërë një prezantim mbi projektin e qeverisjes korporative në ndërmarrjet publike. Ajo tha se përmirësimin e qeverisjes së mirë korporative e bën vetëdijësimin e publikut mbi rëndësinë e qeverisjes së mirë korporative, në aftësinë konkurruese, në financat publike, në rritjen e transparencës së operimeve teknike dhe financiare të NP-ve dhe llogaridhënies së strukturave të tyre menaxheriale ndaj të gjithë aktorëve, si Qeverisë së Kosovë, konsumatorëve dhe shoqërisë civile.

Ilir Salihu, zëvendësdrejtor menaxhues i AKM-së, dhe drejtor për NP në AKM, tha se korporatizimi i NP-ve në Kosovë ka filluar në vitin 2003 dhe është një proces që do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e qeverisjes në ndërmarrjet publike.

“Ndërmarrjet publike kur të korporatizohen, regjistrohen si ndërmarrje të reja në MTI siç kemi KEK-un, PTK-në, Aeroportin e Prishtinës, Hekurudhat e Kosovës, ndërmarrjet rajonale për ujë, etj. me 15.500 punëtorë, pas korporatizimit, ndërmarrjet janë shumë më transparente,” tha Salihu.

Kanë diskutuar edhe Pranvera Dobruna, zëvendësdrejtore e KEK-ut, rreth sfidave të ristrukturimit dhe qeverisjes në KEK, dhe Aleksandër Karpf nga OECD-ja rreth punës së OECD-së lidhur me qeverisjen korporatave dhe Sheron Hester nga USAID-i për krijimin e klimës së përshtatshme për rritje ekonomike./A.Pllana/

 
 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë