“Hasani po flet për politikë”

prev next
 
Prishtinë E shtune, 22 Shtator 2012 11:04

Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP) ka reaguar përkitazi me paraqitjet e shpeshta publike në media të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani.

“ISKP, si Institut i specializuar për çështje kushtetuese duke ndjekur me vëmendje punën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, gjykatë kjo që në të gjitha vendet mban epitetin e ‘gardianit të kushtetutës’, kësisoj kemi vërejtur një element të rëndësishëm i cili na ka rënë në sy tash e sa kohë! Kemi qenë dëshmitarë të prononcimeve të shpeshta publike (në media) të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, madje disa herë edhe për çështje të ndryshme politike që nuk lidhen fare me Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në reagimin e këtij Instituti.

ISKP e vlerëson shqetësues këtë fakt, i cili lidhet direkt me kredibilitetin dhe rëndësinë e vetë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pasi kjo mënyrë është edhe në kundërshtim me praktikat e gjykatave më të avancuara kushtetuese në mbarë globin, madje në shumë vende të tjera kryetari i Gjykatës Kushtetuese është personi i fundit që shpreh mendime përmes prononcimeve mediale për çështjet e caktuara, e aq më shumë ato politike.

“Në këtë kontekst ISKP ka analizuar praktikat e vendeve më të avancuara sa i përket funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe sjelljen e saj në raport me prononcimet mediale dhe ka vërejtur që kryetari i Gjykatës, e aq më pak gjyqtarët janë shumë të rezervuar në raport me paraqitjet publike në media. Kësisoj ‘Neni 18 paragrafi 2 i ligjit për Gjykatën Kushtetuese Federale në Gjermani, i lejon gjyqtareve në Gjykatën Kushtetuese që ata të shprehen vetëm në cilësi të ekspertit për një çështje të caktuar, e cila nuk është objekt shqyrtimi në gjykatë”, thuhet tutje.

Situatë e ngjashme, sikur në Gjermani, sipas ISKP-së është edhe në Spanjë, ku kryetari dhe gjyqtarët janë të rezervuar sa i përket prononcimeve publike, sidomos për çështje që janë në shqyrtim ose janë shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Edhe vendi ku ka lindur Gjykata Kushtetuese Austria, ka instaluar kufizime karshi paraqitjes publike të Kryetarit dhe Gjyqtarëve. Në Austri në rregullat e Gjykatës Kushtetuese theksohet vetëm roli menaxhues i kryetarit të gjykatës dhe i nënvizohet hapësira e pjesëmarrjes në ceremoni te ndryshme, por specifikohet se fjalimet publike të kryetarit duhet të ndërlidhen me pozitën e tij reprezentative dhe asnjëherë përmbajtjesore. Në bazë të kësaj i bie që fjalimet publike të Kryetarit të Gjykatës në Austri janë shumë të kufizuara dhe asnjëherë nuk nënkuptojnë prononcimin e tij për çështje që shqyrtohen apo janë shqyrtuar in meritum në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në reagimin e ISPK-së.

Këta kanë përmendur edhe rastin e Shqipërisë ku Gjykata Kushtetuese në vitet e para të themelimit të saj, e veçanërisht kryetari i saj ndiqte një politikë shumë aktive në raport me media duke u prononcuar për çështje të ndryshme përfshirë edhe komentimin e vendimeve, por kjo praktikë u ndryshua shumë shpejtë, sepse u pa qartë që po degradohet Gjykata Kushtetuese e këtij vendi!

“ISKP ka vërejtur që rregullativa ligjore e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Kosovës sa i përket relacionit me media të kësaj gjykate nuk thotë diçka më shumë, përpos neni 19 të Rregullores së Gjykatës Kushtetuese i cili e rregullon në mënyrë të përgjithshme dhe indirekte çështjen e qasjes së kësaj gjykate në publik: ‘Të gjithë gjyqtarët, Sekretari i Përgjithshëm dhe personeli i Sekretariatit, dhe këshilltarët ligjorë nuk shprehin në publik kurrfarë komentesh dhe mendimesh në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me lëndët që i janë parashtruar ose që mund t’i parashtrohen Gjykatës, përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë Rregullore’”, citohet 19 i Rregullorës së kësaj gjykate.

Duke parë me shqetësim këtë gjendje të krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe duke parë praktikat e Gjykatave të tjera Kushtetuese në vendet me traditë në Gjyqësinë Kushtetuese, ISKP jep këto rekomandime:

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të jetë i rezervuar karshi paraqitjes së tij në media, me theks të veçantë të rezervohet në komentimin e rasteve që janë shqyrtuar dhe që po shqyrtohen in meritum në Gjykatën Kushtetuese ose vendimeve të kësaj gjykate, paraqitja e tij të kufizohet vetëm në dhënien e mendimeve profesionale në cilësinë e ekspertit si dhe prezantimin e mbarëvajtjes së punës së Gjykatës në cilësinë reprezentative dhe menaxhuese të saj; Paraqitja e shpeshtë dhe qasja e tillë në raport me publikun, e në veçanti deklarimet e shpeshta në media rrezikon kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës si dhe degradon në masë të madhe rolin që ka kjo gjykatë në sistemin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, kjo po ashtu mund të krijojë efekte kontraproduktive dhe qasje iluzioniste për rolin e kësaj gjykate; Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës duhet të plotësojë ose standardizoj kornizën ligjore, konform praktikave më të mira sa i përket rasteve dhe mënyrës së paraqitjes në medie të zyrtarëve e veçanërisht kryetarit të Gjykatës Kushtetuese; Gjykata Kushtetuese nuk duhet të ngatërrojë teorinë e ashtuquajtur të aktivizmit gjyqësorë (politikën aktive) të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo teori nuk nënkupton edhe aktivizmin në relacion me paraqitjen dhe komentimin e akteve të Gjykatës Kushtetuese në media, por nënkupton aktivizmin në kuptimin e kryerjes së punëve që i takojnë kësaj gjykate.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë