Halimi: Arrestimet, terror ndaj shqiptarëve

prev next
 
Preshevë E premte, 04 Maj 2012 15:37

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka thënë sot se arrestimi i pesë shqiptarëve të dyshuar për krime lufte në vitin 2001 është vazhdim i terrorit shtetëror serb kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Halimi ka thënë se terrori filloi në mënyrë agresive në dhjetor të 2008-ës, për të vazhduar në korrik të 2009-ës dhe se kjo është arsyeja pse qindra familje shqiptare kanë emigruar nga Lugina e Preshevës.

Sipas tij, nuk është rastësi që ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq ka nisur arrestimet dy ditë para zgjedhjeve, më 6 maj dhe se veprimet e tilla mund të kenë pasoja për tërë rajonin. "Qëllimi është për të fituar pikë të lira politike, duke luajtur me fatin e këtij vendi dhe të gjithë rajonit”, ka thënë Halimi për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.

Sipas tij, ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk janë më të sigurt në Serbi, edhe pse me përfundimin e konfliktit të 2001-ës, atyre u është garantuar amnistia.

Halimi ka thënë se në mesin e të arrestuarve është edhe një kandidat për këshillin lokal, i cili është lënduar gjatë aksionit të policisë. "Ky është një vazhdim i procesit politik, që ka për qëllim presionin ndaj shqiptarëve të rajonit. Rezultati ishte spastrimi etnik i shqiptarëve, ku vetëm në komunën e Medvegjës nga 5 mijë e 500 shqiptarë kanë mbetur vetëm 600”, ka thënë Halimi.

 
 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë