Grevë e përgjithshme në Greqi

prev next
 
Athinë E enjte, 18 Tetor 2012 17:49

Greqia është përfshirë sërish nga një grevë e përgjithshme, e dyta brenda një muaji. Sindikatat protestojnë kundër reformës ekonomike të Qeverise Samaras.

Rritja e barrës fiskale, papunësia e lartë me mbi 25%, pasiguria në punë, ulja e pensioneve dhe pushimet masive në sektorin shtetëror, si dhe parashikimet e zymta për të ardhmen e vendit, kanë bërë që sindikalistët të zbresin në shesh për të protestuar. Si pasoje e grevës është paralizuar tërësisht sektori shtetëror.

Spitalet presin vetëm rastet e urgjencës, ndërsa mësuesit dhe pedagogët i janë bashkangjitur protestës. Asnjë anije nuk do të niset gjatë 24 orëve të ardhshme nga portet e vendit dhe kontrolloret ajrore deklaruan gjithashtu ndërprerjen e punës për 4 orë.

Në grevë marrin pjesë edhe tregtarët, të cilët deklaruan se nuk do t'i hapin dyqanet e tyre gjatë ditës së sotme. Mijëra demonstrues kanë filluar t'i drejtohen sheshit Areos dhe atij Omonia, prej nga ku do të nisen drejt Parlamentit, ku dhe do të protestojnë nën masa të rrepta sigurie.

Një numër i madh policësh janë ngarkuar me ruajtjen e rendit në mesin e frikës për episode të dhunshme. Qeveria thotë se nuk ka rrugë tjetër veç vazhdimit të reformave, si kusht që vendi të marrë këstin e ndihmës prej Bashkimit Evropian dhe FMN. Me herët, Samaras deklaroi nga Bukureshti se janë kaluar të gjitha pengesat dhe Greqia do të marrë këstin prej 31 miliardë euro brenda nëntorit.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë