Gjykata shfajëson të akuzuarit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi

prev next
 
Beograd E mërkurë, 09 Maj 2012 13:35

Dhoma për krime lufte e Gjykatës së Lartë në Beograd i ka shpallur si të pafajshëm Sreten Popoviqin dhe Millosh Stojanoviqin, nga akuzat se kanë ndihmuar në vrasjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, në Petrovo Sello më 1999.

Kryetari i panelit, Rastko Popoviq, ka thënë se gjatë përsëritjes së procedimeve, nuk është vërtetuar se Popoviq dhe Stojanoviq kanë ndihmuar personat X në vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

“Nuk është vërtetuar se kanë kryer vepër penale dhe nuk mund të vërtetohet se me cilat vepra kanë kontribuuar në kryerjen e veprës penale”, ka thënë gjykatësi Popoviq.

Zëvendësprokurori për krime të luftës, Dragolub Stankoviq, në fillim të muajit prill, në fjalën përfundimtare, kishte thënë se për veprën penale, për të cilën akuzoheshin dy pjesëtarët e ministrisë së brendshme të Serbisë, parashihej dënimi prej së paku pesë vitesh burg.

Procesi gjyqësor për ndihmë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, ka filluar në vitin 2006 dhe janë dëgjuar 105 dëshmitarë, raporton Rel.

Gjykata e Apelit në Beograd e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë të këshillit të dikurshëm për krime të luftës të Gjyqit të Qarkut në Beograd, sipas së cilës të akuzuarit Popoviq dhe Stojanoviq ishin liruar nga akuzat dhe ka urdhëruar proces të ri, raportojnë mediat beogradase.

Sipas aktakuzës, i akzuari i parë Sreten Popoviq i njohur me emrin “Pop”, më 8 korrik të vitit 1999, e ka urdhëruar të akuzuarin e dytë, Millosh Stojanoviq, që t’i burgos vëllezërit Bytyçi, pas lirimit nga burgu në Prokuple, ku të tre vëllezërit e kishin vuajtur dënimin për shkak të hyrjes ilegale në Serbi nga Shqipëria.

Siç thuhet në aktakuzë, Stojanoviq, sipas urdhërit të Popoviqit, vëllezërit Bytyçi i ka dërguar në një qendër të ministrisë së brendshme të Serbisë në Petrovo Sello, ku i ka mbyllur, ndërsa të nesërmen, më 9 korrik 1999, në orët e vona të mbrëmjes, i ka dorëzuar te pjesëtarët e MUP-it të Serbisë, të cilët i kanë vrarë.

Vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, janë vrarë me plumb në pjesën e prapme të kokës, ndërsa trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello.

Vëllezërit Bytyçi ishin shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë