Gjykata duhet të kompletohet me personel nga stafi administrativ dhe gjyqësor

 
Besianë E martë, 10 Qershor 2008 13:27

Gjykata komunale për Kundërvajtje në Besianë, me personelin gjyqësor që ka, në pesë muajt e parë të këtij viti ka pasur 3987 lëndë për shqyrtim. Në këtë grup të lëndëve hyjnë edhe 672 lëndë, të cilat janë bartë si të pakryera nga viti paraprak, ka thënë në një intervistë për Kosovapress kryetari i Gjykatës për Kundërvajtje në Besianë, Sahit Sylejmani.

Gjykata komunale për Kundërvajtje në Besianë, me personelin gjyqësor që ka, në pesë muajt e parë të këtij viti ka pasur 3987 lëndë për shqyrtim. Në këtë grup të lëndëve hyjnë edhe 672 lëndë, të cilat janë bartë si të pakryera nga viti paraprak, ka thënë në një intervistë për Kosovapress kryetari i Gjykatës për Kundërvajtje në Besianë, Sahit Sylejmani.

Kosovapress: Si funksionon Gjykata për Kundërvajtje në komunën e Besianës?

Sylejmani: Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Besianë fillimisht them se prej stafit që ka katër gjyqtarë dhe kryetarin, si dhe 20 nga stafi mbështetës administrativ, me këtë personel gjyqësor për këta pesë muajt e parë të punës së këtij viti kemi pasur 3987 lëndë. Në këtë grup të lëndëve hyjnë edhe 672 lëndë që janë bartur si të pakryera nga viti paraprak. Prej këtij numri të lëndëve edhe 3502 lëndë janë vendosur, ndërsa kanë mbetur pa u vendosur 485 lëndë. Të gjitha lëndët vendosën në një afat shumë të shkurtë dhe presin dy-tre muaj. Kemi numër shumë të vogël të lëndëve që kanë mbetur pa u vendosur me një kohëzgjatje më tepër se pesë muaj, për shkak të disa problemeve dhe vështirësive që kanë dalë në procedurë.

Nga informacionet që i kemi marrë nga gjyqtarët, kemi tetë lëndë të tilla që kanë pritur më tepër se pesë muaj, që nuk kanë mund të vendosen për shkak sepse palët gjenden në botën e jashtme, ose për shkak se nuk është plotësuar kërkesa për ndihme juridike drejtuar në gjykatën tjetër për të dëgjuar një palë të involvuar në atë lëndë. Këto janë disa nga shkaqet për të cilat kemi një vonesë pak më të madhe për të zgjidhur lëndët.

Kosovapress: Kur flasim për sundimin e ligjit, sa mundet kjo gjykatë me këtë staf që ka t’iu ofrojë qytetarëve shërbime me kohë?

Sylejmani: Reduktimi i vendeve të punës që ndodhi vjet, e që ka tendenca që të përsëritet edhe në këtë vit, ka ndikuar që stafi i përgjithshëm i gjykatës ndoshta në një nuancë të ketë disa vonesa jo edhe aq të mëdha me ofrimin e shërbimeve të shpejta dhe efikase të qytetarëve, apo në ofrimin e shërbimeve gjyqësore. Megjithatë, me këtë staf ne jemi duke u munduar dhe besoj që jemi duke ofruar një shërbim efikas dhe ligjor, si dhe shërbim të mirë ndaj qytetarëve.

Kosovapress: Këto lëndë që janë në pritje, a janë pasojë e reduktimit të stafit punues?

Sylejmani: Nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me reduktimin, sepse në vitin e kaluar ka ndodhur një reduktim në vendin e punës të një përkthyeseje dhe një pastrueseje. Në këtë vit ka tendenca që janë përmend nga Këshilli Gjyqësor që të bëhet reduktimi i rojtarëve, recepsionistit, i një pastruesi, sepse gjykata pritet të dalë në objektin e përbashkët dhe aty thuhet se disa vende të punës duhet të reduktohen. Në një mënyrë, edhe pse këto vende nuk janë të lidhura me zgjidhjen e lëndëve, mund të ndikojnë në ecurinë e përgjithshme të vendosjes së lëndëve.

Kosovapress: Çfarë natyre kanë në përgjithësi vështirësitë që paraqiten në punën e gjykatës?

Sylejmani: Gjykata që nga fillimi i punës dhe prej fillimit të vitit 2000 e këndej, ka pasur vështirësi të ndryshme. Ka qenë e njohur se kjo gjykatë çështjen e objektit e ka pasur njërin nga problemet kryesore. Kjo çështje tash vetëm pritet që të zgjidhet shumë shpejt brenda një ose dy jave, kur do të dalim në objektin e ri.

Kemi pasur dhe kemi ende probleme të natyrës procedurale juridike. Këtu janë evidentuar disa nga problemet që gjyqtari has në procedurë. Kemi pengesa të ndryshme te kërkesat për zhvillimin e procedurës për kundërvajtje. Këto kërkesa kanë të meta të ndryshme, duke përfshirë të dhënat jo të plota rreth kryesit të veprës, mandej te përshkrimi i veprës nuk është edhe aq adekuat me figurën ligjore të veprës që përcaktohet me ligj. Shpesh mungon edhe kualifikimi ligjor, mungon propozimi për prova për dëshmitarë etj. Të gjitha këto gjyqtarit i shkaktojnë pengesë në punë gjatë zgjidhjes së lëndës.

Kemi lëshime të ndryshme edhe te postierët e postës. Ka shumë raportime jo të sakta te procedurat e dërgimit të ftesave, vendimeve që shpesh duhet të përsëriten ftesat ose dërgimi i vendimeve, kështu që edhe kjo është njëra nga elementet që e vështirëson zgjidhjen efikase të lëndëve.

Një prej problemeve është mos zbatimi me kohë i urdhëresave për zgjidhje me dhunë. Kjo manifestohet sidomos fazën e ekzekutimit të lëndëve. Në këtë fazë diku 80% e lëndëve duhet të ekzekutohen përmes urdhëresave për zgjidhje me dhunë, meqë i pandehuri në bazë të ftesës gjykatës vullnetarisht nuk paraqitet në gjykata, dhe duhet të lëshohet urdhëresa.

Është një njësit policor, i cili merret me raste të tilla, por ky njësit me të gjitha angazhimet e mëdha që i ka bërë, nuk po mund të arrijë që të zgjidhen këto raste, për shkak se ka shumë lëndë dhe ky njësit policor krah urdhëresave që merret me gjykatën tonë, kryen punë edhe me Gjykatën Komunale, në këso raste edhe nëpër Gjykatat e Qarkut, kështu që është tepër i ngarkuar.

Ne kemi bërë disa kërkesa me shkrim në Stacionin Policor në Besianë që të shtohet numri i njësive policore që merren me urdhëresa, por në këtë drejtim ende nuk ka lëvizur diç. Si rezultat i mos zbatimit me kohë të urdhëresave të përzgjedhjes me dhunë, unë kam nxjerr një shifër që është diku e përafërt në këta tetë vjet që kemi filluar punën, pas luftës e këndej. Kemi më tepër se 3 mijë lëndë të vjetruara.  

Kosovapress: Çka i mungon kësaj gjykate përveç objektit që tash është  zgjidhur, që të funksionojë si gjykatë me standarde evropiane?

Sylejmani: Gjykatës i mungon edhe një aparaturë më e përsosur. Kemi një aparaturë të vjetër kompjuterike, andaj na duhet ta përsosim këtë, na duhet të instalohet edhe programi i sistemit në nivel të Kosovës për përcjelljen  e ecurisë së vendosjes së lëndëve, pasi që edhe ai mungon. Mirëpo, në atë drejtim është punuar diçka dhe pritet që ai projekt të realizohet nga Këshilli gjyqësor. Gjykata duhet të kompletohet me personel edhe nga stafi administrativ dhe gjyqësor. Tash për tash me këtë staf gjyqësor, gjykata mund t’i përballojë nevojat, mirëpo në të ardhmen presim që numri i lëndëve do të rritet, edhe kjo po ndodh çdo vit, atëherë besoj që në të ardhmen duhet të shtohet edhe numri i gjyqtarëve. Nuk ka vend për reduktim, siç ka tendenca për reduktim të stafit.

Kosovapress: Sa ka rritje të lëndëve prej vitit në vit?

Sylejmani: Ka rritje të lëndëve çdo vit. Vitin e kaluar i kemi pas 8 mijë lëndë, ndërsa në pesë muajt e parë i kemi 3987 lëndë. Ende nuk jemi në mesin e vitit, ndërsa pritet një ardhje dinamike e lëndëve.

Kosovapress: Edhe përkundër mbetjeve të numrit të madh të lëndëve të pa përfunduara, ju thatë që punët po kryhen në mënyrë cilësore. Në çka bazoheni kur thoni këtë?

Sylejmani: Bazohem nisur nga fakti se ankesat që parashtrohen ndaj vendimeve të gjykatave, është një numër shumë i madh që vërtetohen nga gjykatat e shkallës së dytë dhe kemi një vendosje cilësore. Në këtë bazohem, sepse nuk ka ndonjë ankesë as verbale që diçka është bërë e padrejtë. Së paku, unë si kryetar nuk kam marrë prej qytetarëve. Zgjidhja e lëndëve bëhet në baza ligjore dhe kjo vërtetohet edhe me vendimet tona që shkohet në shkallë të dytë.

Kosovapress: Nëse një lëndë i bën dy vjet pa u shqyrtuar dhe pa u zgjidhur, si e komentoni ekzekutimin e lëndëve?

Sylejmani: Në rast se kërkesa për fillimin e procedurës për kundërvajtje ka ardhur në gjykatë dhe brenda dy vjetësh nuk është zgjidhur rasti për shkaqe të ndryshme që janë të natyrës procedurale apo shkaqe tjera, atëherë parashtrohet lënda dhe nga ajo nuk mbetet asgjë.

Por kemi edhe parashtrimin e ekzekutimit. Kjo është një institucion tjetër, në procedurë kundërvajtjeje. Ajo fillon prej ditës kur aktvendimi merr vendimin e formën e prerë. Prej asaj dite rrjedh afati dyvjeçar kur duhet të ekzekutohet lënda. Te ne është karakteristike parashtrimi i ekzekutimit, jo edhe parashtrimi i zgjidhjes së lëndëve, sepse kemi dy lloj parashtrimesh./Intervistoi: Shpresa Përvetica/ 

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë