Gjilanasit në “Ditën e hapur” i shprehin brengat e përditshmërisë kryetarit të KK-së

 
Gjilan E martë, 18 Prill 2006 14:10

Zyrtarët komunalë të Gjilanit thanë të martën se numri i qytetarëve që vizitojnë kryetarin e komunës në "Ditën e hapur" është gjithnjë më i madh, ndërsa problemet më të shumta për të cilat ata ankohen dhe që kërkojnë zgjidhje janë papunësia, gjendja e rëndë sociale, infrastruktura dhe probleme të ngjashme.

 

Zyrtarët komunalë të Gjilanit thanë të martën se numri i qytetarëve që vizitojnë kryetarin e komunës në "Ditën e hapur" është gjithnjë më i madh, ndërsa problemet më të shumta për të cilat ata ankohen dhe që kërkojnë zgjidhje janë papunësia, gjendja e rëndë sociale, infrastruktura dhe probleme të ngjashme.

"Me qëllim që të jetë sa më afër me qytetarët e saj, zyra e kryetarit të komunës, në kuadër të "Ditës së hapur", që nga 17 janari, çdo të martë po pranon palët e interesuara, qytetarët, të cilët drejtpërdrejt kanë filluar të kontaktojnë kryetarin e komunës, Xhemajl Hyseni dhe t`i shprehin atij të gjitha nevojat, brengat dhe shqetësimet e tyre," tha për Kosovapress Sali Hasani, zyrtar për komunikim me palë.

Sipas tij deri më tani afër 100 qytetarë janë takuar dhe kanë shprehur brengat e tyre me kreun e komunës duke kërkuar kështu ndihmën e komunës për problemet që kanë, ndërsa vazhdimisht po rritet interesimi për t’u takuar me kreun e komunës, sepse nga ana e tyre po shihet mundësi ku ata mund t’i shprehin problemet, brengat apo edhe të kërkojnë ndihmën e njeriut të parë të komunës.

"Interesimi i qytetarëve në bashkëbisedë me kryetarin Hyseni ka të bëjë me ndihmën e kërkuar për zbutjen e papunësisë, zbutjen e gjendjes së rëndë sociale, por ka edhe kërkesa të grupeve të qytetarëve të cilët kërkojnë rregullimin e infrastrukturës në lokalitetin ku jetojnë," tha Hasani.

Sipas tij një numër i qytetarëve për shkak të borxheve që kanë ndaj KEK-ut dhe pamundësisë për t’i shlyer ato, kanë kërkuar nga Hyseni që të gjendet ndonjë mënyrë që komuna t’i shlyejë ato borxhe, sepse gjendja e rëndë sociale e tyre pamundëson që ata vetë t’i kryejnë ato obligime.

"Të shpeshta janë edhe grupet e qytetarëve, qoftë nga lagjet e qytetit qoftë nga fshatrat e komunës së Gjilanit, të cilët kërkojnë përmirësimin e infrastrukturës në lokalitet ku jetojnë, si rregullimin e rrugëve, kanalizimit, ujësjellësit, ndërtimin e ambulancave dhe shkollave e të tjera," shprehet Hasani.

Ndër brengat tjera të cilat shpalosen para qytetarëve, Hasani potencon edhe konfiskimin e pronave nga ish pushteti, i cili gjatë viteve 1995-1996, për hapjen e rrugës qarkore, ka përdorur pronën e tyre dhe nuk e ka kompensuar.

Sipas këtij zyrtari, çdo të martë nga ora 11.00-13.00, qytetarët po e shfrytëzojnë maksimalisht për ta kontaktuar drejtpërdrejt kryetarin e komunës, Xhemajl Hyseni. Ndërsa po ashtu duke e çmuar rolin që ka media për interesin publik dhe duke e respektuar të drejtën e qytetarëve për të qenë të njoftuar me punën e të zgjedhurve të vetë, kryetari i komunës ka kohë që ka filluar t`i mbajë konferencat e rregullta me gazetarë, çdo të hëne të parë të muajit, ndërsa komuna ka shprehur gatishmëri t’u përgjigjet interesimeve të gazetarëve edhe gjatë ditëve tjera sipas nevojës përmes zyrës për informim./M.Halili/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë