• Lajmi
  • KosovaPress, 26 Prill 2012 19:38

Fushatë lëvizëse e kandidatëve

prev next
 
Të ngjajshëm

Kandidati i LDK-së për kryetar të Ferizaj, Adem Salihaj, i shoqëruar edhe nga drejtuesit e lartë të këtij subjekti ka bërë një xhiro nëpër rrugët e Ferizajt. Salihaj ka thënë se është fjala për një aktivitet simbolik në përmbyllje të fushatës , ndërsa ka vënë në dukje se angazhimi i tij është që me 29 prill të jetë një ditë e qetë dhe gjatë saj të shprehet vullneti i qytetarëve pa u keqpërdorur vota. Ndërsa Ismet Beqiri ka thënë se me një garë korrekte dhe të drejtë, pa abuzim të votës LDK-ja përkatësisht Salihaj do të fitojë dhe fitorja e tij do të jetë fitore për kthesa.

"LDK dhe Salihaj do të fitojë garën për kryetar dhe do të jetë ditë e mbarë për LDK-në, fillimi i fundit i një keq qeverisje. Takimi me qytetarë është dëshmi e një mishërimi yni me ta dhe e qytetarëve me LDK-në" ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër edhe kryetari i PDK-së Hashim Thaçi i ka dhënë mbështetje të fuqishme kandidatit Agim Aliu. Ai ka takuar qytetarët dhe ka marrë nga ta mbështetje për Aliun, ndërsa është shprehur se të dielën pret zgjedhje fer dhe korrekte dhe fitoren e Aliut. Një takim më pas është zhvilluar edhe një lokal hotelier, ku kreu i PDK-së ka takuar anëtarë të familjes Goga dhe miqtë e tyre. Pas takimit, kandidiati i PDK-së për kryera të Ferizajt, Aliu ka thënë se ka bashkëbiseduar me anëtarë e kësaj familje në vazhdën e dialogimit dhe bashkëpunimit me qytetarë, duke i kyçuar direkt qytetarët në projektet e tija që do t'i realizojë gjatë mandatit të tij.

"Urbanizimi i Ferizajt do të vazhdojë edhe më tej dhe kështu do të përmbyllim ciklin e urbanizimit" ka deklaruar Aliu.

Ndërsa kreu i PDK-së ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e konfirmuar të qytetarëve të Ferizajt në takimet e hapura dhe të mbyllura që ka zhvilluar, ndërsa ka shtuar se Aliu ka ka kaluar kornizat partiake dhe atij mbështetje po i japin qytetarët pa dallime partiake, për ç'gjë ai tha se do të mbështes projektet e Agim Aliut.

"Çdo zotim i Agim Aliut, do ta ketë mbështetjen tonë", ka thënë lideri i PDK-së.

Edhe kandidati i AAK-së, Naim Ferati ka pasur një ditë të ngjeshur. Ai ka vizituar familjen e Hyzri Varoshit, ndërsa ka thënë se plani e tij qeverisës familjet që kanë kontribuar për vendin në etapa të ndryshme, do të kenë një trajtim të veçantë. Ndërsa ka zhvilluar takime edhe me qytetarët në rrugën "Naim Beka".