• Lajmi
  • KosovaPress, 10 Maj 2012 18:51

Ekstremi i djathtë kërcënon emigrantët

prev next
 
Të ngjajshëm

Partia greke e së djathtës ekstreme Agimi i Artë do të bëjë pjesë për herë të parë në parlamentin e Greqisë. Kjo parti thotë që të gjithë imigrantët të kthehen në vendet e tyre, madje kërkon që përgjatë kufirit me Turqinë të vendosen mina toke.

Përkrahësit thërrasin “Greqia u takon grekëve", ndërsa udhëheqësi i partisë Agimi i Artë Nikolaos Michaloliakos marshon nëpër Athinë. Një gazetar pyet se çfarë ndryshimi do të bënte ai së pari dhe ai përgjigjet: "Të gjithë imigrantët ilegalë jashtë vendit tim, jashtë shtëpisë time".

Agimi i Artë fitoi 21 vende në zgjedhjet e së dielës. Grupi që bën fushatë me moton "Përjashta Racizmi" ka bërë thirrje për ndalimin me ligj të kësaj partie. Thansis Kourkulas përfaqëson këtë grup. Ai thotë: "Për herë të parë një grup neo nazisit hyn në parlament që prej vitit 1974 kur junta ushtarake mori fund".

Përveç krizës ekonomike, Greqia përballet me atë që Kombet e Bashkuara e cilësojnë si një krizë humanitare refugjatësh. Numri i aplikimeve për strehim është me dhjetëra mijëra.

Vitin e kaluar, Zëri i Amerikës takoi azil kërkuesin Hafeez, i cili si shumë imigrantë të tjerë, ishte vënë në shënjestër të një grupi të djathtë në Athinë. "Ata nuk thanë asgje. Ata filluan të më godisnin ne fytyrë, mbrapa kokës dhe në gjithë trupin". - thotë ai

Partia Agimi i Artë ka bërë thirrje për vendosjen e minave përgjatë kufirit me Turqinë, ku shumica e imigranteve hyjnë në Greqi. Në Athinë, pankartat e fushatës së kësaj partie bënin fjalë për "pastrimin e qytetit" dhe "heqjen e pisllëqëve".

Për komunitetin hebre të qytetit, gjuha e kësaj partie dhe uniformat e ngjashme me atë të nazistëve përbëjnë një zhvillim të rrezikshëm. Benjamin Albalas është njëri prej udhëheqësve të komunitetit hebre, i cili thotë: "Ne jemi me të vërtetë shumë të shqetësuar që kjo parti naziste e djathtë do të jetë anëtare e parlamentit grek në Athinë, ku lindi demokracia".

Kjo demokraci ka sjellë një rezultat tronditës. Analisti grek Michael Arghyrou i Universitetit Cardiff thotë se suksesi i partisë Agimi i Artë mund t’i ketë rrënjët në politikat ekonomike të qeverisë së mëparshme: "Njerëzit kryesisht të krahut të djathtë të partisë konservatore donin të hidhnin një vote proteste, pra është e tillë, por është gjithashtu e vërtetë që çështja e imigrantëve në Greqi ka marrë përmasa të jashtëzakonshme".

Partia Agimi i Artë mohon se është një parti neonaziste, madje e akuzon median greke dhe atë të huaj për shtrembërim të planeve të saj kombëtare.