• Lajmi
  • KosovaPress, 09 Maj 2012 15:21

Edhe studentët në aksionin e 24 majit

prev next
 
Të ngjajshëm

Në mbështetje të iniciativës qytetare “Ta pastrojmë Kosovën”, e cila më 24 maj do të ndërmerr aksionin për pastrimin e ambientit në tërë Kosovën, kanë dal edhe studentët e organizatës USPE, të Universitetit të Prishtinës. Përfaqësues të iniciativë “Ta pastrojmë Kosovën” dhe ata të Unionit të Studentëve Pro Evropianë, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në ditën e caktuar për pastrimin e Kosovës.

Luan Hasanaj, koordinator i iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, me këtë rast ka thënë se ky memorandum ka ardhur si vazhdimësi e marrëveshjeve dhe bashkëpunimeve me institucione dhe organizata të ndryshme që më 24 maji të mobilizohen të gjithë qytetarët e Kosovës në aksionin për pastrimin e ambientit që llogaritet të jetë mjaftë i ndotur.

“Në vazhdën e shumë marrëveshjeve dhe bashkëpunimit me shumë partnerë dhe organizata të ndryshme që të japin kontribut për vendin tonë, në këtë mes gjenden edhe studentët. Vërtetë është mirë kur shihen motivet dhe iniciativa të tilla, duke pas për bazë që gjithmonë studentët kanë qenë ata të cilët iu kanë prirë shumë proceseve që kanë sjellë ndryshime në këtë vend. Kjo na bënë të kuptojmë se edhe në pastrimin e vendit tonë studentët do të jenë një ndër shtyllat kryesore të vazhdimit të aktivitetit”, ka thënë ai.

Ndërsa, Irfan Rexhepi përfaqësues i organizatës studentore, Unioni i Studentëve Pro Evropianë (USPE), ka ftuar edhe organizatat tjera studentore si dhe mbarë qytetarët që të kontribuojnë në ruajtjen, mbrojtjen dhe pastrimin e ambientit, pasi që, sipas tij, ndotja e ambientit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin tonë.

“Ne si USPE e kemi parë të natyrshme dhe shumë të arsyeshme me interes krucial për shëndetin tonë, për vendin tonë t’i bashkohemi kësaj nisme. Kemi qenë partnerë edhe në aktivitete të kaluara, sot shfrytëzuam rastin që ta zyrtarizojmë këtë raport duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi dhe njëkohësisht duke apeluar tek të gjithë qytetarët duke përfshirë edhe studentët që t’i bashkohen kësaj nisme dhe apeli i dytë kishte me qenë që nisma të tilla mos të ndërpriten edhe pas 24 majit, kështu që ta ruajmë ambientin ku jetojmë”, ka thënë ai.

Të dy palët thanë se memorandumi i bashkëpunimit është një zotim moral për bashkëpunim në aktivitetet të cilat i parasheh iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën”.

Iniciativa qytetare “Ta pastrojmë Kosovën” është iniciativë që ka dalë nga organizata joqeveritare “Liria-i”, nga Istogu, e cila ka për synim që të mobilizojë rreth 100 mijë qytetarë që në ditën e 24 majit të jenë të gatshëm për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat. /Kosovapress/