Dokumentar 40 minutash për një vit pune të gazetarëve

prev next
 
Prishtinë E enjte, 03 Maj 2012 15:04

Kërcënimet dhe vështirësitë në të cilat kanë hasur gazetarët e të gjitha mediave të Kosovës, janë paraqitur në një dokumentar 40 minutash të bërë nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës (AGPK).

Ky dokumentar që po shfaqet në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, është një përpjekje për të treguar se sa profesionistë janë mediat në vend, si i mbrojnë mediat të drejtat e gazetarëve, a ka bazë ligjore që e rregullon funksionimin e mediave, sa kamera janë thyer mbi kokat e gazetarëve, sa procese gjyqësore janë iniciuar pa raportimit të mediave dhe shumë çështje të tjera.

Gazetari Arsim Lani që ka punuar në këtë dokumentar, thotë se aty paraqiten të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur brenda një viti në gazetarinë kosovare.

“Është një dokumentar që përmbledh të gjitha aktivitetet brenda një viti, një dokumentar që përfshinë të gjitha mediat në Kosovë pa dallim. Është dokumentar që përmbledh punën e të gjitha mediave në Kosovë dhe gjithë gazetarëve”, thotë ai.

Lani bënë me dije që dokumentari tregon se sa të kërcënuar janë gazetarët, dhe jo vetëm nga politikanët, por edhe nga bizneset.

“Nuk kisha dashur ta ketë këtë epilog ky dokumentar që kam bërë, megjithatë ka dalë që gazetarët kanë probleme, kanë probleme edhe me presionin politik, por kanë probleme edhe me kërcënimet e vazhdueshme që nuk vijnë nga politika, madje kemi probleme edhe nga bizneset të cilat në një rast të caktuar tregon se bizneset mund të jenë edhe më të rrezikshme se politika edhe me kërcënimet deri me vrasje. Gazetaria kosovare në bazë të këtij dokumentari paraqitet si e brishtë dhe me shumë probleme”, ka thënë ai.

Dokumentari është shfaqur n kinemanë ABC për të treguar gjendjen e tanishme të mediave të Kosovës./Kosovapress/

 
 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë