Dilaveri: Po më shantazhojnë

prev next
 
Prishtinë E hënë, 26 Mars 2012 20:06

Drejtori i Ansamblit “Shota”, Dilaver Kryeziu, i cili po akuzohet për vendosjen e kamerave në zhveshtore dhe shkelje të privatësisë së valltarëve dhe anëtarëve të këtij ansambli, mohon një gjë të tillë, duke e quajtur këtë një shantazh, i cili po i bëhet nga një grup i vogël i personave, të cilët kanë qëllim heqjen e tij nga pozita e drejtorit. Personi i cili ka denoncuar rastin në polici, është Besnik Grajqevci, valltar dhe solist në ansamblin “Shota”, i cili së bashku me motrën dhe gruan e tij janë pjesë e këtij ansambli.

Kryeziu i quajti të pavërteta pohimet se në Ansamblin Shota ka pasur kamera në zhveshtore. Ky, sipas tij, është vetëm një shantazh, që po i bëhet drejtorit të ansamblit, me qëllime të caktuara, nga një grup shumë i vogël i këtij ansambli.

“Nuk është e vërtetë që në zhveshtore ka pasur kamera, nuk është e vërtetë. Është e vërtetë që kamerat janë gjetur në sallën e punës, është e vërtetë që ka pasur kamera jashtë. Është e vërtetë që i kam informuar të gjithë se ka kamera në të gjitha pjesët e Shotës keni kujdes, por e kam një arsye, e arsye e vetme është që është fol e përfol që po vidhet në Shotë”, pohoi Kryeziu.

Ai madje pohon se që një kohë të gjatë ka pasur kërcënime edhe me e-maila të ndryshëm anonime dhe se e tërë kjo po bëhet me qëllim që Kryeziu të japë dorëheqje.

Kryeziu po ashtu pohoi se flitet që do të vijë drejtoreshë motra e Grajqevcit, i cili po i bën shantazh, mirëpo një gjë e tillë nuk ka shanse të ndodhë pasi që me ligj nuk i takon, sepse duhet të ketë përvojë dhe akademinë e mbaruar.

Ndërsa Besnik Grajqevci, i cili ka paraqitur rastin në polici për vëzhgim nga kamerat e fshehura dhe në zhveshtore, pohon se pas një denoncimi të tij nuk qëndron vetëm ai, por shumë punëtorë të ansamblit.

“Pse them se ka pasur kamera në zhveshtore. Sepse baza e atyre kamerave ekziston ende në ansamblin Shota, që është aparaturë e alarmit, ka pasur në zhveshtore, por ka mund që t’i heq, t’i zhvendos ato kamera”, tha ai.

Ndërsa Shasivar Haxhijaj, këshilltar në Ministrinë e Kulturës, pohoi se ata për momentin nuk kanë ndonjë qëndrim për këtë çështje dhe se pasi ta kenë në dorë raportin e policisë, do të dinë rrugën të cilën do ta ndjekin dhe hapat të cilët duhet t’i marrin .

Edhe Agron Borovci, zyrtarë për informim në Policinë e Kosovës, tha se rasti ka filluar të hetohet qysh me 12 mars, atëherë edhe kur personat në fjalë e kanë paraqitur rastin në polici dhe se policia në lidhje me këtë rast është duke i bërë hetimet dhe po i interviston të involvuarit në rastin në fjalë./Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë