Digjet një barnatore në veri

prev next
 
Mitrovicë E mërkurë, 25 Prill 2012 12:06

Një barnatore publike me barëra nga Serbia është djegur të mërkurën në mëngjes në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, por nuk është lënduar askush. Burime të Kosovapress-it kanë bërë të ditur se personi që ka punuar në këtë barnatore, një i ri rreth 25 vjeçar me emrin Millosh, ka mundësi ta ketë vetëkryer këtë akt.

Sipas këtyre burimeve, Milloshi është i afërm i pronarit legjitim të kësaj barnatore B. LL.

“Kohët e fundit Milloshi shihej duke vozitur makina luksoze e duke ndërruar femra, ndërsa këto ditë është dashur të barazohet për tre mujorin e parë me menaxhmentin”, kanë thënë burimet.

Në anën tjetër, banorët shqiptarë të kësaj lagje, përshkruajnë Milloshin si person mjaft kontrovers, për të cilin shprehin dyshimet ta ketë djegur barnatoren vetë për t’i mbuluar humbjet, ndërkohë që faji t’u mbetet pastaj shqiptarëve të kësaj lagje, për ndonjë hakmarrje eventuale nga ana e grupeve ekstremiste serbe ndaj tyre.

Rastin e ka konfirmuar për Kosovapress edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti.

“Sipas hetimeve të zhvilluara deri tani nga ana e hetuesve, dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar qëllimisht, ndërkohë që momentin kur ka shpërthyer zjarri rreth orës 5:40 të mëngjesit të sotëm, është parë afër dyqanit nga banorët e këtushëm një person me kapelë në kokë”, ka thënë Hoti.

Ai theksoi se ankuesi është Branisllav Llekiq (1975), ndërsa hetimet janë në proces. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë