• Lajmi
  • KosovaPress, 15 Shtator 2012 20:33

Depresioni si shkaktar i sëmundjeve

prev next
 
Të ngjajshëm

Stresi dhe depresioni janë ndër problemet më të shpeshta shëndetësore që ndeshen në popullatë, jo vetëm në atë shqiptare, por dhe botërore në përgjithësi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogarit se depresioni është një shqetësim mendor, i cili në vitin 2020 mendohet se do të jetë shqetësimi i dytë më i madh në vendet perëndimore.

Stresi në punë, në jetë në përgjithësi, është një fakt që mund të precipitojë sëmundje mendore në jetën e individit, pohojnë specialistët e shëndetit mendor, sipas të cilëve, ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë, si ata gjenetike, por dhe stili i jetesës, etj.

Ndërsa OBSH vlerëson se në shkallë globale 1 në 4 persona do të pësojnë në një moment apo një tjetër të jetës së vet një problem të shëndetit mendor.

Depresioni, sipas specialistëve, ka 4 forma të shfaqjes së tij, ndërsa shfaqet me një sërë simptomash, disa prej të cilave konstatohen lehtësisht, por disa të tjera janë të vështira të dallohen. Ndër simptomat e depresionit janë trishtim, mërzitje, irritim, humbje interesi në aktivitetet e përditshme, pagjumësi ose gjumë i trazuar, shpërqendrim, pavendosmëri, mendime për vetëvrasje, etj. Por edhe shtim i oreksit e në peshë, ngadalësim i aktiviteteve, dhimbje koke dhe astma flasin për praninë e depresionit tek individët.

Tek të rinjtë depresioni dhe vetëvlerësimi i ulët lidhen me pirjen e duhanit, abuzimin me alkool, çrregullimet e ngrënies dhe seksin e pasigurt, duke i vënë ata në rrezik kundrejt një sërë sëmundjesh seksualisht të transmetueshme, përfshirë dhe HIV/AIDS.