• Lajmi
  • KosovaPress, 22 Prill 2012 12:27

“Dënohet” gjyqtari që nuk urdhëroi mbrojtjen e Dianës

prev next
 
Të ngjajshëm

Gjyqtari në Gjykatën Komunale të Prishtinës, Enver Shabani, ka marrë një dënim qesharak nga Komisioni Disiplinor i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke u dënuar me përgjysmim të pagës për 3 muaj, për arsye se nuk kishte iniciuar urdhrin mbrojtës ndaj të ndjerës Diana Kastratit, e cila kishte dorëzuar padi në gjykatën Komunale të Prishtinës për kërcënim dhe kërkesë për mbrojtje emergjente. Diana, një javë pasi që kishte dorëzuar padinë për kërcënim, dyshohet të jetë vrarë nga ish-bashkëshorti i saj.

Sipas familjarëve, e ndjera disa ditë para vrasjes së saj kishte paraqitur në Gjykatën Komunale të Prishtinës një kërkesë për urdhër për mbrojtje emergjente, por Gjykata Komunale në Prishtinë nuk kishte trajtuar fare kërkesën e saj dhe vetëm disa ditë pas paraqitjes së kërkesës në fjalë, e ndjera Kastrati ishte vrarë në mënyrë më mizore. Ndërsa sa i përket dënimit që i është shqiptuar gjyqtarit Enver Shabani, familjarët mendojnë se duhet të japë përgjegjësi i tërë sistemi gjyqësor, e jo të dënohet sa për sy e faqe një gjyqtar.

Në lidhje me rastin, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovë, Enver Peci ka thënë për Kosovapress se në këtë rast përgjegjësia më tepër i takon gjyqtarit, i cili nuk ka iniciuar urdhrin mbrojtës, ngase ka shkelur procedura ligjore, andaj janë duke u marrë masa disiplinore.

“Zyra e prokurorit gjyqësor e ka hapur rastin sa i përket gjyqtarit në rastin Diana. E di që gjyqtari veç ka kaluar në procedurë disiplinore, i është shqiptuar masa disiplinore. Nuk po du me cek në këtë moment, për shkak se janë procedurat në vazhdim, ngase ligji e përcakton në atë formë që nuk guxojmë me publiku diçka, derisa të përfundojë në formën e prerë të vendimeve. Mirëpo si rast do të thotë është duke u analizuar, se a ka pas propozim prej dikujt, a ka vepruar gjyqtari në bazë të ligjit, a ka lëshuar urdhër, lidhur me propozimin. Unë po shpresoj se kjo çështje ka me u zbardh dhe do të bëhet e ditur se çka konkretisht ka ndodhur”, ka thënë Peci.

Për më tepër, ai ka shtuar se po të lëshohej urdhri mbrojtës nga ana e gjyqtarit, atëherë sipas tij, gjyqtari do të kryente përgjegjësin e tij, por sipas Pecit kjo me gjasë nuk ka ndodhur.

“Rasti që ka ndodhur te Diana, është rast shumë i rëndë në opinion, dhe nëse gjyqtari do të ndërmerrte masën që të lëshojë urdhrin mbrojtës, ndoshta përgjegjësia do të kalonte edhe te dikush tjetër, se përse nuk është zbatuar urdhri i gjykatës për mbrojtje, mirëpo duhet të shikojmë. Unë sa kam informacion në këtë rast, ka pas neglizhencë të gjyqtarit dhe do të shikojmë se çka do të ndërmerret në të ardhmen”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sipas burime zyrtare të Kosovapress-it, brenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjyqtari i rastit, Enver Shabani, i cili nuk kishte iniciuar urdhrin mbrojtës, pas kërkesës së bërë nga Diana Kastrati, është dënuar nga Komisioni Disiplinor i Këshillit Gjyqësor me vetëm një përgjysmim të pagës për 3 muaj. Zyrtari i Këshillit Gjyqësor, i cili ka dashur të jetë anonim, i ka thënë Kosovapress-it se sipas rregullave ligjore, ky gjyqtar është dashtë të shkarkohet automatikisht nga pozita e gjyqtarit.

“Për gjyqtarin e Gjykatës Komunale në Komunën e Prishtinë, Enver Shabani, i cili është dashtë të lëshojë urdhrin mbrojtës, është shqiptuar masë disiplinore me heqje të 50 për qind të pagës së rregullt. E që në këtë rast është dashtë që ky gjyqtar të shkaktohet nga detyre”, ka thënë ky zyrtar i Këshillit Gjyqësor.

Por ky vendim i Komisionit Disiplinor për familjarët e Dianës, cilësohet qesharak dhe një papërgjegjësi e sistemit të sigurisë në vend. Gëzim Kastrati, babai i të ndjerës, Diana Kastrati është shprehur i mllefosur, me faktin se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk po funksionon dhe këtë mos funksionim sipas tij po e vuajnë qytetarët e Kosovës. Por, ai shpresën e fundit e ka tek Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Absolutë këto vendime që merren janë qesharake, megjithëse unë nuk jam i njoftuar, dhe nuk dua të flas në këtë drejtim se çfarë masa duhet të merren, apo nuk jam unë që vendosi për këto masa. Por ata që vendosin për këto masa, le të shtjellojnë këtë rast dhe me siguri Gjykata Kushtetuese do të merret me rastin”, ka thënë Kastrati.

Ai mendon se për këtë papërgjegjësi duhet të japë llogari i tërë sistemi i sigurisë në Kosovë, e jo vetëm një gjyqtar.

“Është përgjegjësi e komplet sistemit gjyqësor, për shkak të mos funksionimit të legjislacionit në Kosovë. Nuk mendoj se është çështje e tij individuale, apo personale, për shkak se ajo gjykatë nuk është e atij personi. Mirëpo atë gjykatë e monitoron, e mbikëqyr dhe i vendos gjyqtarët dikush. Prandaj, të gjithë ata që flasin për drejtësinë, të gjithë ata janë fajtorë, për shkak se nuk kanë iniciuar një urdhër mbrojtje emergjent për t’iu bërë vajzës, prandaj ata komplet janë fajtor për rastin që ka ndodhur”, ka thënë Kastrati.

Ndërkaq, gjyqtari ndaj të cilit është shqiptuar, masa disiplinore, Enver Shabani, për mospërfillje të procedurave ligjore, ka thënë për Kosovapress nëpërmjet telefonit se nuk dëshiron të komentojë rastin, duke thënë se kjo është kompetencë e kryetares së Gjykatës, Makifete Saliuka.

“Krejt është kompetencë e kryetarja e Gjykatës, Makifete Saliuka. Kështu që mundeni me u drejtuar te kryetarja. Kryetarja është për menaxhim, ajo komunikon me palët. Më fal sepse kemi gjykim te lutem”, është përgjigjur shkurt Shabani.

Në ndërkohë, Kosovapress, ka bërë përpjekje që të marrë një përgjigje edhe nga ana e kryetares së Gjykatës Komunale të Prishtinës, Makifete Saliuka, por një gjë re tillë ka qenë e pa mundur, ngase telefon i saj gjatë terë kohës lajmërohej i zënë.

Ndryshe, duke u ndjerë të neglizhuar nga sistemi i drejtësisë, ditë më parë, familjarët e së ndjerës, Diana Kastratit, kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese kundër Gjykatës Komunale në Prishtinë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Republikës së Kosovës, të cilët sipas tyre nuk kanë bërë asgjë në lidhje me rastin, dhe kërkesat për mbrojtje pas kërcënimit që kishte marrë e bija e tyre para se të vritej, nga ish-bashkëshorti i saj.

27 vjeçarja, Diana Kastrati, dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj më 18 maj 2011. E ndjera ishte ndarë nga ai pesë muaj para se të vritej, duke e marrë me vete edhe vajzën tetëvjeçare./Kosovapress/