• Lajmi
  • KosovaPress, 24 Prill 2012 16:20

Kroatët po hulumtojnë tregun e Kosovës (me video)

prev next
 
Të ngjajshëm

Dy prej kompanive më të mëdha kroate të prodhimit të medikamenteve dhe pajisjeve medicinale, “Pliva” dhe “Llola Ribar” po shikojnë mundësitë e investimeve në Kosovë por edhe tregun përreth. Gjatë vizitës së tyre në Kosovë ata thanë se kanë vërejtur ndryshime në Kosovë, të cilat i quajtën pozitive.

Menaxheri i kompanisë “Pliva”, Matko Bolanca ka thënë se ndryshimet që i kanë parë në Kosovë lidhen me ndryshimet legjislative drejt Bashkimit Evropian.

“Ne po shqyrtojmë mundësitë për investime në Kosovë ku në të ardhmen rritja ekonomike do të ndodh dhe ne duam të jemi partner në këtë rritje. Ne jemi prezent dhe do të jemi edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Mirëpo, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se këto takime po bëhen me tendenca për të tërhequr investitorë, por edhe për t’iu hapur rrugën për në tregun rajonal.

“Kosova komfor politikave të saj zhvillimore konsiderohet si jashtëzakonisht progresive nga ana e këtyre dy ndërmarrjeve, të cilat vlerësojnë se Kosova mund të jetë një bazë për tregun rajonal dhe janë duke shikuar mundësitë dhe opsionet për investime afatgjate në të ardhmen, duke përfshirë këtu edhe mundësitë për prodhime të këtyre produkteve në tregun e Kosovës për tregun rajonal”, tha ministri.

Ndërsa, ambasadori kroat në Kosovë, Zoran Vodopija tha se kjo vërteton se kroatët po planifikojnë të investojnë më shumë për të qenë sa më prezentë në tregun e Kosovës dhe vendet përreth. Ndër të tjera, ai ofroi mbështetjen e tij për kompanitë kroate dhe kosovare që të zhvillojnë sa më shumë eksporte/Kosovapress/