Botime-recension i librit të Ruzhdi Jasharit "Zëri i lirisë"

 
Prishtinë E premte, 09 Tetor 2009 19:21

Ruzhdi Jashari “Zëri i lirisë” libër që sjell faktografi për ngjarjet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Neredimes...!

Ditë më parë, reporteri i luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ruzhdi Jashari, botoi librin me titullin simbolik “Zëri i lirisë”, libër që sjell informacione me faktografi nga vendi i ngjarjes të fushëbetejave.

Adem Demaçi, me një përkushtim të madh ka bërë recensionin e librit “Zëri i lirisë”.

Ky studim mbështetet në informatat e publikuara në mediat e vendit dhe atyre të huaja, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viti 1998-1999. Informatat shtjellojnë temat e ndryeshme nga Zona Operative e Neredimes, por ka tema edhe nga zonat e tjera të luftës, të shkruara nga gazetari Ruzhdi Jashari.

Ruzhdi Jashari është njëri ndër luftëtarët më të dalluar të zgjidhjes së çështjes kombëtare në komunën e Shtimes, i cili tërë jetën ia kushtoi luftës për lirinë e atdheut.

Për këtë ai punoi pa u ndal asnjëherë, si para luftës, si gjatë luftës dhe pas luftës, në të gjitha frontet e mundshme. Para luftës, për veprimtarinë e madhe kombëtare, të shprehur hapur kundër regjimit gjakatar serb, u ndoq dhe u përsekutua fizikisht dhe psikikisht.

Gjatë luftës së UÇK-së, Ruzhdi Jashari u angazhua me tërë qenien mendore, materiale dhe fizike për çlirimin e Kosovës, së bashku me shumë luftëtarë të tjerë të dalluar të kësaj ane, jo vetëm me pendë, por edhe me armë.

Ndërsa pas luftës, z. Ruzhdi Jashari u angazhua për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes botimit të shumë artikujve, si informata, analiza, vështrime dhe shkrime të ndryshme, të cilat paraqesin ngjarjet më të rëndësishme të Luftës për Çlirimin e Kosovës.

Z. Ruzhdi Jashari ishte edhe zyrtarisht i autorizuar nga Gjykata e Hagës, në mbrojtje të akuzuarëve të UÇK-së nga Prokuroria e Tribunalit të Hagës në procesin Limaj dhe të tjerët, të cilën mbrojtje e kryu me sukses të plotë.

Ai gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së ishte ndër gazetarët më të angazhuar jo vetëm në Zonën Operative të Neredimes, ku veproi fuqishëm, por edhe në përgjithësi në tërë Kosovën.

Z. Ruzhdi Jashari përmes informacioneve të sakta dhe të shpejta, njoftoi opinionin botëror për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për gjenocidin që po ushtronte ushtria dhe policia serbe, ndaj qytetarëve të pafajshëm shqiptarë në Kosovë.

Botimi i librit të parë me titullin “Informata të transmetuara gjatë luftës së UÇK-së 1998-1999”, për masmedia të vendit dhe të huaja nga Zona Operative e Nerodimes, është një libër përmbledhës i informacioneve dhe materialeve të tjera faktografike.

Ky libër sjell të dhëna shumë të rëndësishme nga fushëbetejat e luftës, ku autori ishte protagonisti kryesor i informimit gjatë luftës në ZON dhe të qëndrimit vertikalisht të tij.

Autori në librin e tij, për luftën, në komunën e Shtimes dhe shumë komunave të tjera, na jep të dhëna reale, të dhëna faktografike, të dhëna të qëndrueshme, që e bëjnë këtë libër shumë të rëndësishëm.

Autori librin e ka ndarë sipas ngjarjeve të paraqitura kronologjikisht, në tri pjesë-etapa.

Pjesa e parë e librit ndahet pastaj, në pesë cikle: Cikli i parë përfshin informatat nga koha e ofenzivave të verës së vitit 1998. Zoti Ruzhdi Jashari në ciklin e parë të pjesës së parë të librit, mbështetet në informacionet e publikuara në mediumet e vendit dhe ato të jashtme, gjatë zhvillimeve të betejave, nga vija e parë e frontit, si ushtarak me armë në dorë, në Zonën Operative të Neredimes. Informacione këto të lidhura nga betejat e para, ngjarje të rëndësishme të luftës dhe dhe njoftime për gjenocidin mbi popullatën shqiptare, nga se pushteti serb kishte filluar realizimin e “Planit të Çubrilloviqit”shpërnguljen masive të shqiptarëve edhe në praktikë, për shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë.

Z. Ruzhdi Jashari, në këto rrethana lufte, kontribuoi shumë përmes informacioneve të fuqishme që i publikonte në mediat: Radion e UÇK-së, Radion “Kosova e Lirë“, Radio Tiranë, TVSH, Dojçe Welle, BBS-i dhe mediume të tjera botërore, që duhej jo vetëm një iniciativë e fortë, por, edhe një trimëri mbizotëruese. Vetëm falë këtyre vetive të zotit Jashari, në rrethana lufte, informacionet e publikuara ndikoin fuqishëm në alarmimin e qytetarëve dhe të shteteve të botës demokratike, për gjendjen eshumë të rëndë që ishte krijuar këtu në Kosovë.

Pa informimin e shpejtë të z. Ruzhdi Jasharit, dhe informimin e saktë, ka qenë vështirë edhe qëndrimi vertikal, kaq fuqishëm dhe ngadhnjyes edhe i UÇK-së.

Libri ka, më saksisht 150 informata, të publikuara në kohë të ndryshme. Ndër informatat më të rëndësishme të ciklit të parë, janë padyshim, informata të shumta që kanë të bëjnë me gjenocidin fashizoid të Qeverisë së Serbisë, që po e kryente përmes ushtrisë e policisë së saj, në Kosovë.

Informata e parë, që i prin librit, është kjo: “Digjen gjysma e vendbanimeve të komunës së Shtimes”. Informata është publikuar, më 19 shtator të vitit 1998, ku, z. Ruzhdi Jashari, shkruan: “Soldateska serbe përmes ushtrisë vrastare dogji gjysmën e vendbanimeve në komunën e Shtimes, si: fshatrat: Belinc, Zborc, Carralevë, Pjetreshticë, Dugë, Karaçicë, Rancë, Reçak, Petrovë e Mollopolc. Pushteti ushtarako-policor i Milosheviqit, i ndihmuar edhe nga civilët serbë, vetëm në komunën e Shtimes, brenda tre muajve barbarisht ka vra 23 qytetarë shqiptarë, nga të cilët 22 persona janë nga radhët e popullatës civile, prej tyre 10 fëmijë të masakruar, të moshave nga 6 muaj e deri në 14 vjeç, 6 pleq, mosha 65-87 vjeçare, 3 gra të moshave nga 17-40 vjeçare. Një plakë pas masakrimit ishte ekzekutuar para shtëpisë së saj, nga policë e ushtarë serbë.

Informacione me shumë rëndësi, të këstij cikli janë, edhe këto: Pas dy orë luftimesh, në Petrovë, forcat serbe ikin. Shkelet marrëveshja Hollbruk-Milosheviq, për ndërprerjen e luftimeve në mes të UÇK-së dhe ushtrisë dhe policisë serbe, nga ana e ushtrisë serbe, Vëzhguesit amerikanë-dëshmitarë të krimeve serbe, Terrori serb para syve të vëzhgueve ndërkombëtarë.

Cikli i dytë dhe i tretë përmbledh informacionet prej kohës së veprimit të OSBE-së, në Kosovë, dhe pas Masakrës së Reçakut.

Ky cikël ka të bëjë me informacionet e Masakrës së Reçakut. Në këtë cikël bëhet kthesa më e madhe e zhvillimeve të ngjarjeve në terren dhe të zhvillimeve (ndikimeve) të shpejta të faktorit demokratik ndërkombëtar, për Kosovën. Masakra e Reçakut mund të konstatohet me të drejtë se shpejtoi procesin dhe solli edhe Konferencën e Parë Ndërkombëtare, në Rambuje-Francë.

Në ciklin e tretë të pjesës së parë, të Librit, “Zëri i Lirisë” z. Jashari sjell informacione nga Reçaku, pas 15 janarit të vitit 1999, masakrës më të tmershme të kryer nga forcat ushtarake dhe policore serbe.

Z. Ruzhdi Jashari, përmes informacioneve nga vendi i ngjarjes arriti ta sensibilizojë shpejt opinionin vendor, por edhe faktorin demokratik ndërkombëtar për masakrën e Reçakut. Kjo është edhe meritë e madhe e Ruzhdi Jasharit, i cili përmes këtyre informacioneve përshkruan me mjaft vërtetësi për gjenocidin e ushtrisë serbe mbi banorët e pafajshëm të fshatit Reçak.

Ai, përmes shkrimeve, bëri shumë për internacionalizimin e luftës që bënin trimat e UÇK-së, për mbrojtjen e Kosovës. Edhe gjatë takimeve me gazetarë të medieve që vepronin në Kosovë, por edhe me diplomatë të botës Ruzhdi Jashari e sensibilizoi shpejt botën demokratike përmes informacioneve dhënë diplomatëve botërorë, që kishin orientim demokratik. Për këtë ia arriti qëllimit. Ne po sjellim këtu një mendim më shumë se real, mendim më shumë se filozofik, mendim më se të vertetë, të ambasadorit amerikan, z. Wiliam Woker, të thënë para syve të botës, dhe para botës, në Reçak.

Po citojmë vetëm fjalinë më të fuqishme, fjali e cila e ndryshoi politikën botërore, për 180 shkallë. Woker: “Ky është krim kundër njerëzimit”

Pa informimin e shpejtë të z. Ruzhdi Jasharit, dhe informimin e saktë, vështir ka qenë edhe qëndrimi më se i drejtë, më se burrëror, kaq i fuqishëm dhe ngadhnjimtar edhe i UÇK-së. Ndër informatat më të rëndësishme të këtij cikli, është padyshim, siç thamë edhe më lart, informata: Masakra e Reçakut (Informatë e datës 15.01.1999)

“Sot që nga orët e hershme të mëngjesit, forcat serbe të ushtrisë dhe policisë, të përbëra nga tankset, autoblindat, transportuesit e gjuajtësit kundërajrorë së bashku me automjete të tjera përcjellëse, filluan të granatojnë fshatrat: Belincë, Reçak, Petrovë e Mollapolc të komunës së Shtimes. Gjuajtjet serbe po bëhen nga Pishat e Shtimes, nga Kryqi i Belincit dhe nga Kodra e Gështenjave…!

Paraprakisht, para fillimit të sulmit, barbaria serbe ka bllokuar hyrje-daljet në qytetin e Shtimes dhe magjistralet Shtime– Therandë e Shtime–Ferizaj. Këtij sulmi të paprovokuar, Ushtria Çlirimtare iu kundërvu dhe po i kundërvihet me sukses për mbrojtjen e popullatës së pafajshme civile. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, mësohet për të vrarë e të plagosur në të dy anët, si dhe për viktima të shumta në radhët e popullatës civile. Në Reçak, Serbia është duke shkelur mbi çdo marrëveshje dhe si çdoherë me parë, po tërhiqet për hunde dhe po testohet vendosmëria e faktorit ndërkombëtar e sidomos NATO-ja.

Tema të tjera me rëndësi të këtij cikli janë edhe Informatat: Krimi i Dytë-tërheqja e kuformave, UÇK-ja mbron kuformat-Bie dëshmor Ahmet Kaçiku e Vezir Jashari, Nëntë dëshmorë në mbrojtje të Reçakut, “Le Mond” dhe “Figaro” shkruajnë për krimin në Reçak, Policia serbe plaçkit shtëpitë shqiptare, Friga serbe nga masmediat që në vigjilje të Konferencës së Rambujes, do të dilnin imazhe nga varrimi në Reçak

Vallker: Ky është krim kundër njerëzimit

(Informatë e datës 11.02.1999)

Shefi i misionit të OSBE-së, z. Wiliam Wallker, morri pjesë në ceremoninë e varrimit të kufomave të masakrës së 15 janarit, mbi popullatën civile të fshatit Reçak, të kryer nga kriminelët serbë. Shefi i Misionit të OSBE-së, fjalën e tij ngushëlluese e përfundoi me një deklaratë të qartë se kjo që ndodhi këtu ishte një krim mbi njerëzimin dhe se kryesit e këtij krimi, do te dalin një ditë të afërme para Drejtësisë Botërore. Në vazhdim, z. Woker theksoi, se Rambujeja dhe Reçaku janë një, e tema të tjera.

Cikli i katërt i këtij libri përmbledh informacionet nga koha e intervenimit të NATO-së, kundër ushtrisë dhe policisë serbe.

Intervenimi i NATO-së, përfundimisht hapi derën e madhe të depërtimit të rrezeve të lirisë, dhe largimin një herë e përgjithmonë të makinerisë vrastare të Ushtrisë Serbe, nga Toka e Kosovës.

Cikli i katërt fillonë me informatën për bombardimet e NATO-së. “Fillojnë bombardimet e NATO-s, kjo informatë lidhet më datën e 24 mars të vitit 1999, ku pos tjerash, thuhet:

Pas bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, mbrëmë pas orës 24:00 deri në orën 02:00 të mëngjesit, forcat e barbarisë serbe nga pozicionet e tyre në kazermën e Ferizajit, nga qyteti i Ferizajit, nga stacioni i policisë së Shtimes, nga Çesta e Reçakut dhe nga Kodra e Gështenjave, granatuan fshatarat: Reçak, Mollapolc, Jezerc, Petrovë, Muhovc, Dramjak, Belinc, Carralevë etj.

Qytetarët serbë të Shtimes, pas rënies së sirenave të alarmit, ishin strehuar në shtëpinë e Kuvendit komunal, në supermarket, në kishë e në Entin special të Shtimes. Informata të tjera janë, edhe: NATO godet me saktësi, serbët nisin piromaninë sadiste, Serbët djegin e plaçkisin shtëpitë dhe fshehin armatimin, Terror shtetëror mbi shqiptarët. Gjenocidi serb për spastrime etnike,

UÇK-ja rendit sukeset, dezertojnë ushtarët serbë, Rinia i përgjigjet masivisht thirrjes për mobilizim, Qëndresa gjithëpopullore sfidon makinerinë e Beogradit, Dezerterët serbë mallkojnë diktatorin e Ballkanit, Qëndresa titanike e ushtarëve të UÇK-së,

Luftime të ashpëra në Jezerc, Greiçevc, Papaz, Budakovë

Kidnapohen fëmijët, kërkohen marka për lirimin e tyre

Varroset Komandant Tamuli, “Sot, me nderime të larta ushtarake u bë varrimi i komandant “Tamulit“- Shefket Muhadini, komandant i Kompanisë së parë të Batalionit të dytë, brigada 161 “Ahmet Kaëiku’ të Zonës Operative të Nerodimes, i cili ra në krye te detyrës ushtarake. Nga dëshmori i fundit u nda zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Nerodimes, komandant Ferri.

Cikli i pestë i librit përmbledh materiale pas hyrjes së NATO-së, në Kosovë.

Hyrja e NATO-s dhe ngadhënjimi i UÇK-së, gëzimi e dhimbja, ankthi e liria, streha dhe buka, kthimi nga dëbimi, ikja e kryeseve të krimit, varrime e lotë, të gjitha të përziera bashkë, Kosoves po i japin një mozaik të ri. Janë këto informacione që autori i ka sistemaur në ciklin e pestë të librit, duke pasqyruar objektivisht zhvillimet në terren. Pastrohet qyteza nga mbeturinat e luftës, Rivarrosen dëshmorët Afrim Musliu e Selim Selimi, Nëntë projekte sanuese e të tjera.

Pjesa e dytë dhe e tretë e librit “Zëri i Lirisë”, autori na jep të dhëna të shumta, të sakta, në shifra dhe fakte konkrete, që ka bërë ushtria serbe, për zhdukjen e popullit shqiptar nga faqja e dheut, sipas planit famëkeq të Qubrilloviqit. Andaj ky libër ka vlerë të rëndësishme historike, vlerë për brezin e tashëm të historianëve por edhe për të ardhshmit. Me këtë libër të tij, por jo të fundit, z. Ruzhdi Jashari, me mjaftë korrektësi ka pasqëruar një punë të madhe të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky libër është një burim i mirë për të gjithë ata që nesër dëshirojnë të hulumtojnë dhe studijojnë për Luftën e UÇK-së, në Zonën Operative të Neredimes.

Fare në fund, besojmë se autori tani po e krijon unin e tij krijues. Prandaj presim botimin e librave të tjerë, që bëjnë fjalë për luftën heroike të shqiptarëve për çlirim në përgjithësi, dhe atë në Kosovë, në veçanti, të cilat do të jenë një burim i vlefshëm për shkrimin e historisë së Kosovës.

Faksimile, dëshmi dhe materiale

Në pjesën e dytë të librit, z.Ruzhdi Jashari sjell dëshmi, faksimile dhe materiale të shumta të marra nga qytetarët shqiptarë, që kishin kaluar nëpër duart dhe kazamtat më të tmershme serbe.

Z. Ruzhdi Jashari ka paraqitur qindra materiale të marra drejpërdrejt nga qytetarët e keqtrajtuar mizorisht nga policia dhe ushtria serbe, në komunën e Shtimes.

Materiale të tjera tejet interesante janë edhe dokumentet serbe të ushtrisë, policisë dhe sigurimit shtetërorë serb që dëshmojnë qartë për dhunën institucionale dhe politike kundër një populli në kundërshtim të plotë me aktet juridike ndërkombëtare të ratifikuara edhe nga Serbia-përkatësisht Jugosllavia.

Pjesa e tretë

Në pjesën e tretë të librit,” Zëri i Lirisë”, z. Ruzhdi Jashari ka përmbledhur një material faktografik, të paraqitur përmes një fotoreportazhi për dhunën, për krimin, për gjenocidin e ushtrisë dhe policisë serbe, jo vetëm në komunën e Shtimes, por edhe më gjërë në Kosovë. Materialet faktografike janë përgatitur nga reporterë të Luftës.

Ali Uka, nënkolonel i TMK-së

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë