• Lajmi
  • KosovaPress, 03 Prill 2012 11:07

Berlini i thotë jo Greqisë të paguajë sërish për Luftën e Dytë Botërore

prev next
 
Të ngjajshëm

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, ka njoftuar se Gjermania pranon përgjegjësinë e saj për Luftën e Dytë Botërore dhe shpreh keqardhjen e thellë për vuajtjet e viktimave, por Gjermania ka paguar tashmë dëmshpërblimet në kuadrin e Marrëveshjes së 1946-tës dhe ka mbështetur në mënyrë aktive edhe rindërtimin e Greqisë.

“65 vjet pas Luftës dhe pas dekadave të bashkëpunimit paqësor, plot besim, të Gjermanisë me Greqinë dhe marrëdhënieve tona të ngushta me NATO-n dhe BE-në, çështja e dëmshpërblimeve, nga ana e Qeverisë Federale, nuk ekziston më”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e ministrisë gjermane vjen pas kërkesës së Greqisë që Gjermania të paguajë sërish dëmshpërblim për krimet e luftës, përmes së cilës Greqia do të mbulonte një pjesë të borxheve të jashtme.

Manolis Glezos, gazetar grek dhe politikan i së Majtës, ka thënë se deklarata e ministrisë gjermane injoron vendimin e Komisionit Aleat të Parisit të 1946-s, prej 19 anëtarësh, sipas të cilit Gjermania duhet t’i paguajë Greqisë 7 miliardë dollarë amerikanë, (fuqia blerëse e 1938-s), dmth 108 miliardë euro pa interesin bankar. Gjithashtu injoron kredinë e detyruar prej 3,5 miliardë dollarë amerikanë, (fuqia blerëse e 1938-s), pra 54 miliardë euro sot. Krimet ndaj njerëzimit nuk mund të shuhen” thekson z.Glezos.

Ndryshe, çështja e dëmshpërblimeve iu nënshtrua edhe një beteje gjyqësore në Gjykatën e Hagës. Në muajin shkurt pas 7 vjetësh proces, Gjykata e Hagës, nuk e njohu vendimin e Gjykatës greke që iu jepte të drejtën familjarëve të viktimave të marrin dëmshpërblim nga Gjermania për maskarën e Distomos, pasi sipas gjykatës ndërkombëtare, gjykata greke dhe ajo italiane s’ka kompetenca të marrë vendime të tilla.

Mediat greke raportuan se në rast se diçka e tillë s’do të hidhej poshtë, paratë që do të buronin nga kjo, do të mund të mbulonin edhe një pjesë të borxhit grek.