AI: EULEX t’u jep prioritet krimeve të luftës

prev next
 
Londër E enjte, 26 Prill 2012 11:32

Në qershor të këtij viti, Këshilli i Bashkimit Evropian do të miratojë zgjatjen e mandatit të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX. Në raportin e saj më të ri, organizata Amnesty International (AI) apelon që ky mandat të përfshijë masa specifike, të cilat sigurojnë se EULEX-i, si çështje me urgjencë, do të konsiderojë hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve, përfshirë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Amnesty International thotë se është në dijeni për rikonfigurimin e EULEX-it gjatë dy vjetëve të ardhshëm, kur misioni pritet të zvogëlojë personelin në sektorin e policisë dhe të doganave, duke u përqendruar në sistemin e drejtësisë.

Organizata konsideron se kjo është një mundësi ideale për të forcuar komponentët ndërkombëtarë dhe lokalë në sektorin e drejtësisë dhe, rrjedhimisht, sipas AI-së, duhet të sigurohen burime dhe personel i nevojshëm për të adresuar në mënyrë efektive mosndëshkimin e vazhdueshëm në Kosovë.

Raporti thekson se kudo në Ballkan, mosndëshkimi i krimeve të luftës mbetet një nga shqetësimet më serioze të të drejtave të njeriut. Në Kosovë, mosndëshkueshmëria vazhdon “për krime lufte të kryera nga të dyja palët në konfliktin e armatosur të vitit 1999”, shkruan REL.

“Vetëm ca policë serbë, forca militare dhe paramilitare, përgjegjëse për krime lufte kundër shqiptarëve kosovarë, janë sjellë para drejtësisë. Megjithatë, edhe më pak anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përgjegjës për krime lufte kundër serbëve kosovarë, romëve dhe anëtarëve të komuniteteve të tjera pakicë, janë ndjekur penalisht apo janë dënuar”, thuhet në raportin e Amnesty International.

Po sipas tij, me gjithë praninë në Kosovë të policëve ndërkombëtarë që nga viti 1999 dhe të gjyqtarëve e prokurorëve ndërkombëtarë që nga viti 2000, pak progres është bërë edhe nga paraardhësi i EULEX-it – Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara – UNMIK.

AI bën thirrje që hetimi dhe ndjekja penale e krimeve të luftës të jenë prioritet për EULEX-in. Organizata kërkon po ashtu që EULEX-i, në bashkëpunim me shtetet anëtare të BE-së, të sigurojë një program efektiv dhe të mirëfinancuar për mbrojtjen e dëshmitarëve – pa të cilën gjë nuk mund të ndodhë ndjekja penale.

Amensty International thotë se është e nevojshme që EULEX-i të sigurojë se, “pas largimit eventual nga Kosova”, të mos lërë prapa një sistem të dobët të drejtësisë në vend – ashtu çfarë ka hasur në vitin 2008 – por një sistem të pavarur, të paanshëm dhe efektiv, i cili përfshin prezencën ndërkombëtare, ashtu si dhe hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës nga prokurorët dhe gjyqtarët që punojnë brenda sistemit kosovar të drejtësisë.

AI konsideron se sistemi i drejtësisë në Kosovë, në formën që është tani, është i paaftë për të adresuar në mënyrë adekuate trashëgiminë e mosndëshkimit të krimeve që mbizotëron në Kosovë.

“Gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës vazhdojnë të jenë subjekt i ndërhyrjes nga ekzekutivi, si dhe të marrin kërcënime nga shoqëria në Kosovë, çfarë i ndalon të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre të pavarur dhe të paanshëm”, vlerëson AI, duke shfaqur shqetësimin se ndërhyrja në sistemin e drejtësisë nga ana e autoriteteve kosovare, atyre të UNMIK-ut dhe të mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë në Kosovë, ka pasur ndikim afatgjatë në masat për të luftuar mosndëshkimin e krimeve të luftës.

“Anëtarët e Qeverisë bëjnë rregullisht deklarata, të cilat minojnë ndjekjet penale që bën EULEX-i kundër krimeve të luftës”.

Amnesty International u kërkon shteteve anëtare të BE-së dhe vendimmarrësve të tjerë që në rishikimin e mandatit të EULEX-it 2012-2014, të sigurojnë se EULEX-i:

1. I jep prioritet hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve kundër së drejtës ndërkombëtare, përfshirë:

a) rritjen e numrit të policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it për çështjen e krimeve të luftës;

b) ruajtjen e rolit të stafit ndërkombëtar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore deri në trajtimin e personelit profesional lokal;

c) sigurimin e hetimit dhe të ndjekjes penale të rrëmbimeve të pas-luftës të serbëve, romëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera pakicë;

d) sigurimin e hetimit dhe të ndjekjes penale të dhunimeve dhe formave të tjera të dhunës seksuale;

e) heqjen e barrierave për hetime dhe ndjekje të shpejtë penale.

2. Krijon një program efektiv për mbrojtjen e dëshmitarëve, duke përfshirë:

a) mbështetjen e vendeve anëtare në sigurimin e mbrojtjes së gjatë për dëshmitarët kryesorë në rastet e krimeve të luftës.

3. Merr masa për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjate të sistemit prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë, përfshirë:

a) mbështetjen e zhvillimit të vazhdueshëm të një trupe kompetente, të pavarur, të paanshme dhe efektive të prokurorëve dhe gjyqtarëve vendorë, me kapacitetin për të ndjekur penalisht dhe gjykuar rastet e krimeve të luftës;

b) eksplorimin e mundësive për krijimin e një mekanizmi apo institucioni afatgjatë për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, pasi EULEX-i të lërë Kosovën.

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë