AAK e gatshme të marr përgjegjësi

prev next
 
Prishtinë E enjte, 20 Shtator 2012 17:31

Kryesia e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt të kryesisë, duke diskutuar zhvillimet politike në vend, por jo edhe çështjen e koalicionit. Kështu, të paktën, ka deklaruar sot, një nga anëtarët e kryesisë së kësaj partie, i cili, ka thënë se AAK është e gatshme ëtë marrë përgjegjësi për tema që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit.

Pas mbledhjes së kryesisë, anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se çështja e koalicionit nuk është diskutuar dhe nuk ka qenë temë e agjendës. Sipas tij, AAK është në pritje të vendimit për kryetarin Ramush Haradinaj dhe për këtë nuk është diskutuar kjo çështje si e veçantë në mbledhjen e kryesisë, megjithatë, ai ka thënë se AAK është e gatshme të marr përgjegjësi për vendin.

I pyetur nëse gatishmëria e AAK-së, nënkupton edhe hyrjen në koalicion, Tahiri nuk ka thënë më shumë se sa që AAK është e gatshme të marr përgjegjësi për vendin.

“Siç thashë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme për vendin për tema që ndërlidhin drejtpërdrejt me funksionimin e shtetësisë së Kosovës e mbi të gjitha konsolidimin e vendit. Pra, jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi. Nuk kemi diskutuar çështjes se a jemi të gatshëm me këtë apo me atë. Se ju thashë edhe njëherë duke qenë se si subjekt politik për shumë vite ballafaqohet me sfidë të madhe ne jemi në pritje mendojmë që ky vendim të merret shumë shpejt për këtë arsye ne nuk e kemi diskutuar këtë çështje”, ka theksuar Tahiri.

Për më tepër, ai ka thënë se AAK asnjëherë nuk ka qenë e pozicionuar për ndonjë koalicion, por gjithmonë ka qenë që të qeverisë me vendin.

“Ne nuk kemi pas pozicion të koalicioneve edhe më herët. T’ju bëjë të qartë! Pozicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dihet botërisht. Ne kërkojmë që të udhëheqim me Qeverinë, ne kemi dhënë një ofertë ajo ka qenë oferta e Qeverisë Haradinaj. Për shembull e ka 100 ditëshin e tij. Pra, ne kërkojmë që të implementojmë një politikë e cila është qëndrim i Këshillit Drejtues dhe ky është qëndrimi që ka qenë dhe vazhdon të jetë”, ka deklaruar ai.

Tahiri ka theksuar se nuk ka asnjë takim zyrtar të AAK-së me të Partisë Demokratike të Kosovës për trajtimin e kësaj teme.

AAK është shprehur e gatshme edhe për të përkrahur reformën zgjedhore, duke e vlerësuar si pikë me interes nacionale për vendin. Pasi që konsideron se ky proces është dëmtuar vitet e kaluara dhe si rrjedhojë duhet me përgjegjësi të trajtohet tema e procesit zgjedhor. /Kosovapress/

 
 
 
comments powered by Disqus
 
 
 
 
 

Ju rekomandojmë