• Lajmi
  • KosovaPress, 01 Tetor 2012 19:45

“Meridian express” n’derë t’shpisë

prev next
 
Të ngjajshëm

Me moton “N’derë t’shpisë” u hap dyqani i parë ushqimor “Meridian express” në lagjen Arbëria të qytetit të Prishtinës, kurse pritet të hapen gjithsej 50 sosh në tërë Kosovën, projekt ky i kompanisë Meridian Coorporation, ku pritet të punësohen rreth 500 punëtorë në tërë vendin. Në këtë hapje solemne ishin të pranishëm edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, ai i Zhvillimit Ekonomik dhe i Bujqësisë. Të gjithë njëzëri projektin e kësaj korporate e kanë cilësuar si shumë të nevojshëm, duke thënë se sektori privat mbetet fuqia gjeneruese e zhvillimit ekonomik në vend.

Me këtë rast, drejtori i “Meridian Coorporation, Hakif Gashi, ka treguar për vështirësitë që ka pasur kjo korporatë për të ardhur deri në ditët e sotme. Ai ka thënë se ky është një fillim i mbarë dhe pret që brenda një viti ta mbulojnë tërë territorin e Kosovës me hapje të marketeve të tilla.

“Sot jemi mbledh këtu ta hapim pikën e parë “Meridian express”, e cila do të jetë një model i ri në biznesin e marketeve. Ky model sigurisht se do të jetë një zinxhir i madh, projektet tona janë goxha të mëdha dhe presin që brenda këtij viti të mbulojmë gjithë territorin e Kosovës me 50 pika të reja”, ka thënë ndër të tjera Gashi.

Ai ka shtuar më tej se që nga fillimi, vizioni i Meridianit ishte që të krijojmë vlera, të cilat t’i ndajë me të gjithë qytetarët e Kosovës. Sipas tij, Meridiani pati guximin të krijojë vlera dhe Meridiani do të kujdeset për këto vlera dhe do t’i ndajë me të gjithë qytetarët.

Kurse, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se është kënaqësi e veçantë për ta parë suksesin e kësaj korporate, për të cilën tha se ka pasur rastin ta shohë duke u rritur, e cila, sipas saj, tashmë nuk dallon nga kompanitë e tilla evropiane.

“Është kënaqësi të përcjellësh punën dhe suksesin e një organizate e një kompanie siç është kompania Meridian. Në fakt kam pasur fatin që t’i shoh duke u rritur dhe duke u forcuar dhe duke u bërë një kompani, që, siç po e shohim sot, nuk ka asnjë dallim me kompanitë e tilla evropiane”, ka thënë ndër të tjera Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se me të drejtë prodhuesit vendorë janë ankuar se në tregun kosovar nuk janë të barabartë me prodhuesit nga jashtë, duke i siguruar prodhuesit vendorë se me produktet e tyre cilësore, ata do ta kenë vendin e tyre në tregun kosovar.

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë me këtë rast se sektori privat ishte dhe mbetet fuqia gjeneruese e zhvillimit ekonomik në vend, duke e përgëzuar Meridian Coorporation për punën dhe suksesin e arritur.

“Sektori privat ishte dhe do të mbetet fuqia gjeneruese e zhvillimit ekonomik të vendit. Prandaj, unë e inkurajoj në mënyrë të veçantë kompaninë Meridian, e cila para 20 vjetësh ka filluar me një tregti të vogël, por që sot po tenton të hapë këso dyersh të mira në tërë territorin e Kosovës me 50 njësi të veta”, ka thënë ai.

Ai po ashtu e ka falënderuar angazhimin e kësaj kompanie dhe për krijimin e vendeve të reja të punës dhe po ashtu plasimin e produkteve vendore në makretet e tyre dhe ofrimin deri te qytetari i vendit.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka thënë se me një projekt të tillë të Meridianit, po krijohet një mundësi e mirë dhe përafri në mes të prodhuesit vendor dhe konsumatorit.

“Përveç të gjitha të mirave që i sjell “Meridian express”-i nga ajo që e pamë ne dhe ajo që do ta shihni ju dhe pastaj të gjithë qytetarët e vendit tonë për çdo ditë është se po krijohet një mundësi e re, një urë e re shumë më e afërt mes prodhuesve dhe konsumatorëve, në veçanti në mes prodhuesve vendorë dhe konsumatorëve tanë, të cilët ende kanë nevojë për ta parë nga afër atë barabartësi”, ka thënë Stavileci.

Ai ka shtuar se në kohën kur të gjithë kanë menduar se janë shterur të gjitha idetë për projekte të reja, tash del kompania “Meridian express” e cila ka projekte dhe ide të mira, me të cilat jo vetëm që përfiton ajo, por edhe qytetarët e vendit.

Ai po ashtu ka kërkuar nga pronarët që në ditët në vazhdim të ketë edhe më shumë hapësirë të raftet e marketeve të tyre për prodhimet vendore, sipas tij, produktet cilësore dhe ato që e meritojnë.

Në emër të “Meridian express” të pranishmit dhe të gjithë ata që e kanë mundësuar suksesin e këtij projekti, i ka përshëndetur me një fjalë rasti menaxheri i saj, Agon Gashi, i cili tha se në fillim të projektit ishin shumë skeptik, por pas një punë shumë të lodhshme dhe të përkushtuar, kanë arritur që ta realizojnë atë.

Për më tepër, Korporata “Meridian” do ta hapë rrjetin e dyqaneve “Meridian express” me 50 pika në mbarë Kosovën. Përmes këtij investimi, “Meridian express” synon t’i ofrojë konsumatorëve produkte të cilësisë së lartë me çmime shumë të volitshme në lokacionet më të afërta për ta.

Ky është një prej investimeve më të mëdha që janë bërë kohëve të fundit nga kompanitë vendore, ndërsa hapja e rrjetit “Meridian express”, përveç që do të kontribuojë në rritjen e shitjes së produkteve vendore, aty gjithashtu do të punësohen edhe mbi 500 persona.