Lajmi i mirė i keq
(Jeton Neziraj) 16 Shtator 2011 06:28Ministri i Kulturės i Republikės sė Kosovės, z. Memli Krasniqi para dy ditėsh ka nisur njė pėrgjigjie nė adresat e tė gjithė atyre qė kishin nisur letra proteste mbas letrės time, ku unė kisha alarmur komunitetin e teatrit nė botė pėr ndėrhyrjet arbitrare politike nė Teatrin Kombėtar tė Kosovės - TKK. Vėrtetė u gėzova kur pashė pėrgjigjien e Ministrit nė njė formė tė shtruar gjerėsisht. Kjo pėrgjigjie e tij natyrisht vjen mbas reagimeve tė fuqishme nga ana e artistėve dhe organizatave tė ndryshme kulturore nga e mbarė bota, por edhe nga reagimet e Mediave lokale. Pėrgjigjia e ministrit, sado qė e sajuar me plot tė pavėrteta dhe e mbėshtjellė me fjalė qė vetėm tingėllojnė bukur ėshtė pėr t`u cmuar.
Përgjigjie ndaj letrës së Ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi
Ministri i Kulturës i Republikës së Kosovës, z. Memli Krasniqi para dy ditësh ka nisur një përgjigjie në adresat e të gjithë atyre që kishin nisur letra proteste mbas letrës time, ku unë kisha alarmur komunitetin e teatrit në botë për ndërhyrjet arbitrare politike në Teatrin Kombëtar të Kosovës - TKK. Vërtetë u gëzova kur pashë përgjigjien e Ministrit në një formë të shtruar gjerësisht. Kjo përgjigjie e tij natyrisht vjen mbas reagimeve të fuqishme nga ana e artistëve dhe organizatave të ndryshme kulturore nga e mbarë bota, por edhe nga reagimet e Mediave lokale. Përgjigjia e ministrit, sado që e sajuar me plot të pavërteta dhe e mbështjellë me fjalë që vetëm tingëllojnë bukur është për t`u cmuar.
Kjo letër imja përbëhet prej dy pjesëve të cilat. Pjesa a parë përmbanë dokumente faktike dhe i referohet drejtpërdrejtë sajesave nga letra e Ministrit. Kërkoj falje që kjo do të jetë një pjesë shumë teknike, me referenca, linqe nga shkrimet në gazeta dhe informata që mund të jenë të mërzitshme, por që shpjegojnë të pavërtetat që thot Ministri në letrën e tij dhe i forcojnë argumentet e mia nga letra e parë. Pjesa e dytë e kësaj letre ndërsa është më tepër një shpjegim i përgjithsëm mbi termet nacionalizëm dhe racizëm të cilat i kam përdorur në letrën time të parë, dhe kontekstin në të cilin ato terme janë përdorur.
Ministri, në letrën e tij, përpiqet ta paraqes alarmin nga letra ime si hakmarrje personale, por nga shpjegimi më poshtë besoj që do ta kuptoni që kjo është një cështje që lidhet me parimet elementare të lirisë teatrore e të lirisë krijuese. Gjithashtu, më duhet t`ia bëj të qartë Ministrit por edhe kurreshtarëve të tjerë: kjo nuk është një betejë për një vend të punës. Për gati 3 vite, rroga ime mujore në atë teatër ka qenë 260 EURO (rreth 350 USD) ndërkohë që, një mësues fshati në Kosovë paguhet 300 EURO. Besoj se të gjithë e kuptojnë që kjo ka qenë një pagë poshtëruese.
1. POLITIKA DHE KULTURA
Në fillim të letrës së tij, Ministri shpjegon për angazhimin e tij në depolitizimin e kulturës. Ky është një shpjegim i bukur idealist të cilit të gjith ne do të duhej t`i përkulemi. Por është aq idealist dhe krejtësisht në kundërshtim me realitetin. Ministri thotë që ka si vizion politik kryesor dhe objektivë që nga ardhja në MKRS, depolitizimin e kulturës. Por fakt është se nga ardhja e tij, janë shkarkuar 2 borde të dy institucioneve kryesore dhe katër drejtorë nga katër institucione. Janë shkarkuar ilegalisht: Bordi i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Bordi i Galerisë së Arteve. Jane shkarkuar, sabotuar dhe u janë ndërprerë kontratat arbitrarisht: Drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Drejtorit të Departamentit të Kulturës (brenda MKRS), Drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës dhe Drejtorit Artistik të TKK-së.
Por t`i shkojmë radhazi:
Në nenin 36 të këtij ligji, thuhet se Këshilli drejtues i TKK zgjidhet me mandat trevjeçar. Por për sekretarin permanent Veton Firzi, shefi i tij mund ta ndërrojë këshillin sa herë të dojë. Është e drejtë ekskluzive e ministrit ti zgjedhë bordet kurdo që do. Ai mundet nesër, pas mbledhjes konstituive të emërojë një bord tjetër të teatrit, ka thënë Firzi. (Koha Ditore- 27.07.2011).
Lexojeni me vëmendje përgjigjien e mësipërme të vartësit të Ministrit. Ja, kjo është logjika totalitare mbi të cilën vepron ky Ministër dhe kjo Ministri mbi institucione të pavarura të kulturës.
Në letrën e tij, vendimin e Ministrit të mëhershëm, Ministri Krasniqi e cuan amendamentim dhe freskim, duke e cilësuar si jo-ligjor, por harron që ai Vendim është marrë nga një Ministër i një Qeverie në të cilën Ministri Krasniqi asokohe ka qenë Zëdhënës Qeverie. Vendimi i Ministrit të mëhershëm të Kulturës (i datës 09.06.2010, e të cilin mund ta gjeni në linkun më poshtë, të gazetës Koha Ditore), i jep mandat bordit të vjetër, por njëkohësisht (meqë dy anëtar ishin larguar), Ministri shton edhe 4 anëtar të rinjë, duke e rritë numrin në 9 anëtarë. Tani, nëse Ministri aktual Krasniqi konsideron se bordit i ka skaduar mandati me 02 qershor 2011, atëherë kjo gjë do të mund të qëndronte vetëm për 5 anëtarët e atij bordi, por jo për 4 të tjerët të cilët i janë bashkangjitur Bordit me datë 09/06/2010. Sepse anëtarët e Bordit kan mandate individuale.
Ky është linku i gazetës, i cili përmbanë edhe Vendimin e Ministrit paraprak: http://koha.net/?page=1%2C5%2C62831
Dhe tani pjesa më fantastike nga letra e Ministrit. Ai thotë që këtij bordi i ka skaduar mandati me 2 qershor. Ndërkohë, që ai dhe Ministria e tij i kan përfillur vendimet e po këtij bordi deri me datën 17.07.2011. Simbas kësaj logjike, i bie që Ministria paska përfillur vendimet e një bordi jo-legjitim.
Në mbledhjen e mbajtur më 23 qershor, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës (Koha Ditore 27 qershor)
Dhe, nëse atij bordi i paska skaduar mandati, si u bë që Ministri, në Bordin e ri të sapo themeluar, megjithatë mbajti dy nga anëtarët e vjetër? Si mund të kuptohet kjo gjë? Arsyen do ta kuptoni më poshtë. Që bordi ka qenë legjitim (derisa Ministri në një ditë me diell, ka vedosur ta konsideroj jo-legjitim dhe ta shkarkoj), dëshmon edhe kjo deklaratë e Këshilltarit të Ministrit për të përditshmen Kosova sot
Mulliqi ka thënë se Këshilli aktual i TKK-së është i ligjshëm dhe si i tillë ka të drejtë të mbajë mbledhje dhe të nxjerrë vendime (Kosova sot 22 qershor)
I ka skaduar mandati me 2 qershor atij bordi apo jo? Këtë fakt Ministri dhe zytarët e tij e përdorin konform rrethanave. Pra, si t`ua dojë qefi. Nw cdo rrathanë, shkarkimi i Bordit të Teatrit përbënë shkelje ligjore. Madje, për këtë shkarkim nuk ka pasur as një vendim me shkrim. Ata njerëz janë përbuzur mbas një kontributi disa mujorë vullnetar në TKK. Ata lajmin se nuk janë anëtar të bordit të TKK-se e kan kuptuar nga Mediat. Ai Bord është shkarkuar mbasi ka evaluar pozitivisht punën time trivjecare. Është shkarkuar sepse ky ka qenë mekanizmi i vetëm për të mënjanuar vazhdimin e mandatit tim tre vjecarë. Nëse për Ministrin këto janë veprime për të sjellur rend dhe ligj e për të depolitizuar institucionet e kulturës, une dhe bordi i shkarkuar i kemi kuptuar si ndërhyrje politike, si thyrje ligjore dhe si akt arbitrar. Ndërkohë që, presioni dhe shantazhet ndaj bordit për të mos lejuar vazhdimin e kontratës time, përpos jo-publikisht, janë kryer edhe publikisht. Ja se si e dhunon publikisht këshilltari i Ministrit të Kulturës nenin 32 të ligjit për teatër (ku thuhet prerazi se Drejtori Artistik ka të drejtë edhe për një mandate tre vjecarë, e të cilën gjë e konfirmon edhe vet Ministri në letrët e tij), kur deklaron për të përditshmen Kosova sot:
Mulliqi e konsideron të paligjshme mundësinë që KD i TKK-së në mbledhjen e nesërme të marrë vendim për ti propozuar MKRS-së vazhdimin e kontratës drejtorit aktual të TKK-së. Nëse Këshilli merr vendim për një gjë të tillë do të bjerë ndesh me ligjin dhe unë besoj se kjo nuk do të ndodhë. Nuk është e lejuar për të vazhduar kontrata
Në gjuhën të cilën e njoh unë, ky quhet kërcënim, kjo deklaratë përbënë tentim manipulimi dhe shantazh me qëllim të krijimit apriori të opinionit rreth vendimit që do të pasonte
Ndërkohë, ja se si e përshkruajn gazetat kryesore në Kosovë këto vendime arbitrare të Ministrit Krasniqi për shkarkimet dhe emërimet e bordeve të reja:
Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sporteve, Memli Krasniqi, ka shkelur dy vendimet të institucionit që drejton. Vendimi i tij për emërimin e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe atij të Galerisë së Arteve, i nënshkruar të premten pasdite, është i paligjshëm. Zyrtarë të kabinetit të ministrit Krasniqi thonë se këtyre dy këshillave u ka kaluar mandati që muajin e kaluar. Mirëpo, sipas dokumenteve që ka siguruar gazeta, Këshillit të TKK-së i skadon mandati tek në vitin 2013. Ai i Galerisë së Arteve ka mandat deri në vitin 2012 Tashmë, drejtori i Galerisë së Arteve ka filluar procedurat e padisë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Drjetori i Qendrës Kinematografike të Kosovës. (Koha Ditore -17.07.2011)
Ditëve të fundit janë emëruar anëtarët e rinj të bordeve të institucioneve kulturore përbërja e të cilave është kritikuar duke u cilësuar si politike. (Zeri - 20-07-2011)
Dhe ja tani fakti tjetër skandaloz që dëshmon manipulimet meskine të kësaj Ministrie. Gazeta e përditshme Koha Ditore në një shkrim me titull Ministria e Kulturës aplikon standarde të dyfishta në konkurse, ndër të tjera, shkruan:
Ligji për Shërbyes Civilë thotë se në çdo konkurs duhet të ketë femër dhe pjesëtarë nga komuniteti pakicë që konkursi të jetë legjitim, ka arsyetuar këshilltari Shasivar Haxhijaj, shtyrjen e konkursit për Drejtor të Galerisë së Arteve të Kosovës. Por ai është përgjigjur me nuk e di çfarë të them, kur është pyetur se përse nuk është respektuar ky ligj, kur është zgjedhur drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nuk e di, nuk mund të them asgjë, ka përsëritur Haxhijaj. (Koha Ditore - 21.08.2011)
Ja edhe dy shembuj tjerë, që tregojnë përkushtimin e Ministrit për de-politizim të institucioneve të Kulturës:
Sami Pirajt i është ndërprerë mandati i Drejtorit të Departamentit të Kulturës në MKRS gjashtë muaj para kohe. (Koha Ditore 9 korrik)
Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ka ndërhyrë në repertorin e Galerisë së Arteve të Kosovës. Kështu i ka deklaruar dje Kohës Ditore i pari i institucionit më të lartë të artit pamor, Fahredin Spahija. Sipas tij, ministri Krasniqi i ka bërë presion që në repertorin e Galerisë së Arteve të Kosovës të futet ekspozita e Fate Velajt, ani pse ajo nuk ishte e paraparë në programin e GAK-ut. (Koha Ditore - 23.06.2011)
Se është maniuluar edhe Bordi i ri i TKK-se, dëshmon kjo deklaratë e shkrimtarit të respektuar, Jusuf Buxhovi, anëtar i bordit të zgjedhur nga vet Ministri Krasniqi:
shkrimtari Jusuf Buxhovi thotë se vendimi nuk mund të merret pa votën e tij. Nuk mund të vendoset pa votën time, sepse unë nuk jam aty për sy e faqe, ka thënë Buxhovi. Ai madje nuk ka qenë i informuar që është mbajtur intervistimi. (Koha Ditore - 27 korrik)
Se, instruksionet dhe gjithcka ka fuksionuar nga prapaskena, tregon edhe ky fakt:
Madje, për intervistimin e kandidatëve, anëtarët e Këshillit as që janë njoftuar fare paraprakisht. (Koha Ditore- 26 korrik)
Bordi i ri, me dy anëtar në mungesë, në një takim si tepër urgjent, interviston kandidatët dhe vendosë të njëjtën ditë ta zgjedhë drejtor artistik të TKK-së, njeriun nga Zyra e Kryeministrit. E zgjedhin njeriun e politikës të cilit Ministri ia zbukuron biografinë aq bukur, duke e bërë të duket si ato personazhet ideale nga librat për fëmijë.
Emin Emini, që deri dje ka punuar si zyrtar i lartë për monitorim dhe raportim në Zyrën e Kryeministrit, tashmë do të ketë punë me aktorë, skenografë e punëtorë tjerë të teatrit (Zeri - 29-07-2011)
Ministri Krasniqi i ka krijuar një biografi të bujshme drejtorit aktual të TKK-së. Derisa drejtorit politik i TKK-së në Media deklaron se ka inskenuar dy drama, Ministri në letrën e tij thotë se ai ka inskenuar pesë drama (si duket ia llogaritë edhe ato që do t`i inskenoj në të ardhmen), derisa drejtori politik i TKK-së thotë që ka shkruar dy drama (e ka fjalën për dorëshkrime), Ministri Krasniqi thotë që ai ka shkruar katër drama. Madje, ia atribuon edhe dy botime akademike (edhe këtu e ka fjalën për dorëshkrime të cilat mbase i paska shkruar dhe i paska akoma në sirtarët e tij).
Përse Ministri Krasniqi manipulon biografinë e drejtorit politik? A e shihni tendencën e tij, për ta prezentuar një njeri jo-profesionist si profesionist! Ministri thotë që drejtori politik është professor universitar. Dhe kjo është e vërteta e vetme në këtë interpretim të Ministrit. Por, Ministri harron të thotë që, ky profesionist teatri, ligjëron në degën e gazetarisë të Universitetit të Prishtinës që drejtohet nga babai i Ministrit. Cfar koincidence! Ky drejtor politik është poashtu edhe mik i këshlltarit të Ministrit. Ministri përpiqet që postin e mëhershëm në Zyrën e Kryeministrit të këtij drejtori politik, ta trajtoj me fjalë të buta, duke e cuajtur si post civil! Vërtetëe mrekullueshme. Ministri e zbukuron biografinë e drejtorit politik, por harron t`merret me biografinë time! Përse i shërbejnë këto të pavërteta Ministrit? Natyrisht, për të justifikuar vendimin e tij skandaloz politik.
Ministri, si qëllimshëm propagandon edhe biografitë e bordit të ri të TKK-së. (Për njërin nga ta madje thotë se ka qenë ish profesor i imi- gjë e pavërtetë). Njërin e cuan dramaturgu më i njohur në Kosovë (por harron të thotë që ai është mik i këshilltarit të tij të kulturës), njërin e cuan producent të shkëlqyeshëm (por harron të thotë që në një serial që prodhohet nga ky producent, luan edhe motra e tij- Ministrit). Dhe kështu, pa dashur të hyj në detaje, sepse disa nga këta njerëz në këtë bord të ri janë njerëz të respektuar, por disa ndërsa janë thellë të lidhur me Ministrin ose me këshilltarin e tij. Dhe natyrisht, në një vend të vogël, të dërmuar financiarisht, dhe ku burimi i vetëm financiar për art dhe kulturë mbetet Ministria e Kulturës, padyshim që, duket sfidë jo-oportuniteti dhe jo-lojaliteti me këtë Ministri.
Ministri në letrën e tij dhe më herët në Media, për të justifikuar veprimet e tija skandaloze, tenton të më paraqes se i takoj këtij apo atij grupi politik. Ndërsa, thotë se, tani, me ardhjen e këtij drejtorit nga Kryeministria, teatri do të sjellë sërish profesionistët, ekspertët dhe njerëzit e artit e kulturës, për të cilët dyert e teatrit na paskan qenë të mbyllur për kohë të gjatë për shkak të politikës. Por Ministri nuk shpjegon se për cilët njerëz e ka fjalën? Dyert e atij teatri, për këtë periudhë prej tre vjet kan qenë të mbyllura vetëm për artistët jo-profesionistë, për artistët provincial, për artistët të cilët nacionalizmin në artin e tyre e kan përdorur si karem për të promovuar veprat e tyre të pshtira artistike.
Ministri thotë që angazhohet për pavarësi të institucioneve të kulturës, ndërkohë që, për të blerë qoftë edhe letër për toilet, Teatri Kombëtar duhet të bëjë kërkesë te Ministria. Ministri flet në Media sesa para duhet të kushtoj një shfaqje teatri, ndërsa Këshilltari i Ministrit, flet dhe jep urdhëra sesa shfaqje duhet t`i realizoj Teatri Kombëtar në vit. Dhe ja tani, se për cfar pavarësie kemi të bëjmë. Ja tani, se për cfar de-politizimi kemi të bëjmë. Ja pra pse lotët që derdhë Ministri për teatrin, s`janë vecse lot krokodili.
Kur para dy vitesh, ne refuzuam të ndëpresim provat e shfaqjes për shkak të një kërkese nga Zyra e Kryeministrit për të mbajtur një ceremoni përkujtimore në skenen e teatrit, Ministri Krasniqi, që atëherë ishte zëdhënës i Qeverisë, reagoi duke na e bërë të qartë pushtetin që Qeveria ka mbi teatrin. Kur u pyet nga televizoni lokal rreth vendimit tonë për t`i thënë jo kërkesësës së kryeministrit, ministri Krasniqi, para kamerës, buzëqeshi leht dhe pastaj tha: nuk besoj që ata djem të rinjë kan vepruar ashtu. Ajo ndërtesë është pronë e shtetit të Kosovës, dhe shteti mund ta përdorë si dhe kur të dojë! Ajo Qeveri ka qenë e njëjta si kjo tani. Ministri i Kulturës i tanishëm i ka shërbyer asaj qeverie edhe atëherë. Shteti në kohë lufte a katastrofe natyrore mund ta kthej teatrin në spital, ose në fabrikë për prodhim municionesh. Por, në kohë paqeje, në kohë demokracie, intervenimet e këtilla në një institucion publik kulturor tregojnë dicka tjetër; jo përkushtimin e shtetit për kulturën, por përkushtimin e shtetit për shkatërrimin e kulturës. Për këtë incident ne sërish u etiketuam si antikombëtar, sepse paskemi synuar të sabotojmë një ceremoni përkujtimore për një hero tonin lokal të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa që ne, thjesht, donim të bënim teatër, teatër të mirë, me supozimin se kështu i nderojmë heronjët tanë, dhe para së gjithash, i nderojmë të gjallët, për të cilët edhe bëhet teatri. Si rezulltat i presioneve politike, dy vite më parë, Drejtori Ekzekutiv i atëhershëm, z. Arian Krasniqi, dha dorëheqje. Si tani, edhe atëherë kam reaguar dhe kam bërë thirrje që politika ta linte të qetë teatrin. Kjo nuk ka ndodhur. Politika mbi teatrin është bërë edhe më kërcënuese.
2. MBI RACIZMIN DHE NACIONALIZMIN
Dhe tani do të shkoj tutje, pak më thellë në të kaluarën. Kur ne, para tri vitesh ftuam të bëj regji në Teatrin Kombëtar të Kosovës, regjisorin e respektuar rom, z. Rahim Burhan, babai i Ministrit (shkrimtar, dramaturg dhe axhitator i Islamit), bashk me këshilltarin e tanishëm të Ministrit iu bashkangjitën një fushate që për shumkë u cilësua të ishte raciste, sepse përqeshte faktin që një regjisor rom ka punuar në teatrin tonë kombëtar. Babai i ministrit shfryu mllef medial kundër shfaqjes, e tek pastaj erdhi ta shoh shfaqjen! Fushata raciste e këtij grupi nacionalistësh të frustruar u ndalua mbas një reagimi të fuqishëm të komunitetet artistik në Kosovë.
Shfaqja e regjisorit rom Rahim Burhan, në Teatrin Kombëtar të Kosovës nuk është i vetmi shembull për ashpërsinë e tendencave që synonin të shihnin në TKK një institucion kombëtar ku do të luheshin vetëm dramat tona kombëtare. Një grup miopësh vazhdimisht kan atakuar politikat tona që synonin hapjen e teatrit kundrejt bashkëpunimeve regjionale e ndërkombëtare.
Kur para dy vitesh unë refuzova të venim në repertor një dramë historike shqipe të pavlerë, u akuzova si antikombëtar, si i shitur, kurse Teatri Kombëtar u cuajt i de-kombtarizuar. Por sic e kam thënë edhe në letrën time të shkurtër, këmbëngulja jonë në një repertor që shkon përtej temave të shpifura nacionale, përtej dramave skematike, përtej klisheve e stereotipeve dramaturgjike, ka prodhuar rezulltate që shkojnë deri në 150% rritje të numrit të audicenës, posaqërisht të rinjëve.
Historisë së largimit tim nga posti i Drejtorit Artisitk të Teatrit Kombëtar të Kosovës i ka paraprirë shumë edhe angazhimi im i këtyre viteve të fundit në bashkëpunimet ndërkulturore regjionale. Rasti më i fundit, i asaj që u cuajt si ftesa e gabuar ndoshta shpjegon më bindshëm tërë këtë histori. Kur para rreth 5 muajsh Teatri Kombëtar i Kosovës mori një ftesë për të prezentuar një shfaqje teatri në Beograd (në folenë e armiqëve tanë, sic e cuanin ata që ishin kundër), në teatrin Atelje 212, unë isha prej atyre të paktëve që dëshiroja që kjo vizitë të ndodhte. Fatmirësisht, edhe Bordi i TKK-së, shprehu hapur qëndrimin që kjo vizitë të ndodhte, duke mos parë asgjë të keqe nga një vizitë kulturore. Vendosmëria jonë u pasua nga një fushatë e egër që na portretonte neve pak vetëve pro kësaj vizite si jugo-nostalgjik, pro-serb dhe shitës të interesave të vendit. Kundër kësaj vizite ishte edhe Ministri i sapoemëruar i Kulturës. Debati pro dhe kundër shkuarjes së shfaqjes kosovare në Beograd u shoqërua me argumente e kundërargumente të shumta. U ndanë në vija të trasha tradhëtarët dhe patriotët. Përse u dashka harruar hasmëritë e vjetra, pyesnin ata që nuk donin që kjo vizitë të ndodhte? Përse u dashka harruar gjakun e derdhur në luftë? U thurrën komplote e teori konspirative prapa idesë tonë që t`prezentonim, thjesht, një shfaqje teatri shqip në Beograd. Shfaqja, me urdhër të Ministrit të Kulturës u ndalua të shkonte në Beograd. Për mua, ky ishte një shans i humbur historik. Dhjetë vite mbas luftës, ne nuk ishim në gjendje të bënim një hap kaq të vogël për të përmirësuar mardhëniet shqiptaro-serbe, që rrallë kan njohur ditë të mira. Për shkak të disa gomarëve patriotik primitiv në Kosovë, t`cilët nuk donin të shihnin përtej hundëve të tyre, ne humbëm rastin t`u jepnim një leksion edhe nacionalistëve të shumtë në Serbi, t`cilët, njëjtë, reaguan me mllef kur u paralajmërua vizita e teatrit kosovar në Beograd.
Shembuj të kësaj natyre ka disa. Nuk dua të them që të gjithë këto shembuj kan lidhje me këtë Ministër Kulture dhe njerëzit për rreth tij. Natyrisht jo. Por Ministri dhe Ministria e tij e Kulturës, në të shumtën e rasteve, kan heshtur, duke luajtur atë lojën oportuniste politike, ose, në rastet tjera, kan ndërsyer partizanët e tyre në fushata të pista mediale, simbas modelit të tyre të ndarjes në tradhëtarë dhe patriotë.
Kur, mbas letrës time, filluan të vijnë reagimet e para në adresë të Qeverisë sonë dhe Mediave, Ministria e Kulturës dha një prononcim që shpjegon paranojën tipike që dominon logjikën totalitare të kësaj Ministrie. Neziraj me këtë ka dëshmuar se është kundër kulturës se vendit të tij, se është kundër shtetit të tij. Sepse, vetëm në hapsira ku dominon totalitarizmi e cenzura, ti nuk lejohesh të ankohesh, të protestosh dhe të shfaqesh mospajtimin për dicka. Loja me kombëtar dhe jo-kombëtar në këto treva është një lojë e vjetër. Njerëz me mendësi të këtillë, këtu akoma vazhdojnë të vlerësojnë edhe shfaqjet e teatrit si kombëtare dhe jo-kombëtare.
Ministri, në letrën e tij chaveziane më kot ka synuar t`i devalvoj argumentet e mia, duke u munduar të jap një pajme ideale për gjendjen katastrofale në të cilën i ka zhytur institucionet edhe ashtu të shkatërruara të kulturës. Ai është aq naiv saqë beson që unë kam mundur t`i manipuloj njerëzit e shumtë kredibil që kan reaguar (që i cuan kontakte të mia private). Ai derdh lot krokodili për imazhin e teatrit të Kosovës të cilin unë paskam provuar ta rrënoj me letrën time, ndërkohë që, ai, si njeri i Kosovës, po mundohet ta përmirësoj. Cfar ironie. Cfar absurdi. Si mund ai ta doj teatrin më shumë se unë një byrokrat që është në atë post tranzit? Kënd mund ta bindë ai që unë paskam qëllim rrënimin e imazhit të teatrit kosovar, kur për herë të parë mbas thuaja 30 viteve, gjatë këtij mandatit tim, Teatri Kombëtar ka vizituar festivale të rëndësishme ndërkombëtare; në Slloveni, në Gjermani, në Zvicër, në Kolumbi, në Bullgari, në Suedi, në Kroaci
Dhe, në një kohë kur duhen rrahur argumente për të qenit profesionist ose jo profesionist, Ministri në letrën e tij, migron te koha e luftës, përmende luftën e cila s`lidhet fare me debatin me të cilin ne po merremi tani në këto kohë paqeje. Se, në fund të fundit, c`hyn këtu atdhe-dashuria? C`hyn këtu patriotizmi dhe morali për besnikëri ndaj Atdheut?
Këta partizanë që në emër të vlerave të luftës, në emër të Atdheut, në emër të imazhit të Kosovës, vjedhin, rrënojnë, manipulojnë, shantazhojnë dhe ngulfasin institucionet tona kulturore, këta sot janë rreziku i këtij vendi, këta janë kërcënimi serioz i së ardhmes së këtij vendi. Këta luftën dhe sakrificën e njerëzve për liri e përdorin si standard të dyfishtë. Vjedhin dhe uzurpojnë në emër të sakrificave të luftës, por edhe kur u duhet njëllosin ato sakrifica. Ditën vejnë lule tek varret e dëshmorëve, e natën shkojnë dhe ua shkulin gurët e varreve dëshmorëve.
Në fund të kësaj letre të gjatë, dua vërtetë t`i falenderoj shumë të gjithë ata që shkruan letra mbështetëse në mbrojtje të pavarësisë së Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ky lloj solidariteti i treguar gjerësisht nga artistë nga e gjithë bota është domethënës dhe jep shpresë që teatri do të mbijetoj. Teatri i lirë do të mbijetoj.
Ariel Dorfman, në letrën e tij të mrekullueshme, shkruan: Indeed, the freedom that should be represented on the stage of the National Theatre is symbolic of the freedom that all those who live and create in Kosovo deserve!
*Mendimet e botuara në rubrikën "Opinione" nuk shprehin qëndrimet e KosovaPress-it. Kjo faqe është e hapur për lexuesit. Opinionet mund të dërgohen në info@kosovapress.com.































Më të komentuarat