Sokol Bylykbashi

 foto

Kushtetuesja politike

Prishtinë, ((Sokol Bylykbashi)) 14 Gusht 2012 08:07

Gjykata Kushtetuese nė njė shtet qė ka demokraci tė konsoliduar, ėshtė institucion i respektuar, ngase garanton zbatimin nė pėrpikėmėri tė aktit mė tė lartė juridik. Gjykata Kushtetuese e Kosovės me vendimet e saj nė ēėshtjet e ndryshme ka dėshmuar qė ėshtė pėrjashtim nga ky rregull. Kjo gjykatė gjithnjė e mė shumė po tregohet jo profesionale e njėanshme dhe qesharake.

Kushtetuesja në vend që të bëjë interpretimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës, po bën interpretimin dhe mbrojtjen e interesave politike të partive në pushtet. Në vendimin e fundit të kësaj gjykate për mandatin e plotë të presidentes Atifete Jahjaga, ndër të tjera thuhet se: “ I Gjithë populli pret që Atifete Jahjaga të jetë presidente deri në fund të mandatit”. Ky konstatim i këtij lloji kur del nga një gjykatë kushtetuese është tepër skandaloz, sepse i ngjan shumë sondazheve që i bëjnë organizatat joqeveritare. Nëse Kushtetuesja ka bërë ndonjë hulumtim për përkrahjen e presidentes në përfundimin e mandatit të saj, atëherë nuk ka dyshim që respodentët e anketuar nuk janë qytetarët por pushtetarët.

Kushtetuesja ka raste që ka shkelë rëndë Kushtetutën, duke u thirrur ne mbrojtjen e saj. Kjo shkelje është bërë me aktgjykimin për përputhshmërinë e Ligjit për fshatin Hoçë e Madhe dhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit me Kushtetutën. Nuk ka nevojë që të jemi juristë, për ta kuptuar që këto ligje janë në kundërshtim me kornizën juridike. Me këto ligje do të krijohen këshilla me kompetenca ekzekutive në fushën e trashigimisë kulturore, si dhe në fushën e planifikimit rural. Në këto këshille do të jetë e përfaqësuar me nga një anëtar edhe Kisha Ortodokse Serbe. Në ligjin për vetëqeverisjen lokale nuk parashihet krijimi i asnjë organi lokal jashtë kumunës, që i ndalon vendimet e kësaj të fundit.Veç kësaj, ky ligj nuk thotë që Kisha duhet të përzihet në punët e shtetit.

Me qytetin historik të Prizrenit, Kushtetuesja është marrë edhe më herët. Një ankesë që patën bërë përfaqësuesit e pakicës boshnjake dhe të asaj turke në Prizren, Kushtetuesja doli me qëndrimin se stema e Komunës së Prizrenit me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, ishte antikushtetuese. Ky vendim kundër simbolit të kësaj ngjarje shumë të rëndësishme historike ka për qëllim shkombtarizimin. Ndërkombëtarët duan që vlerat dhe ngjarjet kombëtare historike të popullit tonë të mos kenë karakter institucional, prandaj edhe kanë bërë presion në Kushtetuese që t’i hiqet Prizrenit stema që e mbante me krenari prej shumë vitesh. Kushtetuesja në të ardhmen mund të merrë vendime në favor të secilit minoritar që ankohet në simbole kombëtare të ndonjë komune.

Një vendim tjetër tërësisht jashtë praktikave demokratike i Kushtetueses, është bërë me sqarimin e çështjes se imunitetit të deputetëve. Vendimi lë të kuptohet se deputeti mund të arrestohet pa pasur një vendim të Kuvendit për heqjen e imunitetit. Ky vendim e ka cenuar rëndë statusin e deputetit si i deleguar i popullit. Qeveria dhe lideri i saj e ka shfrytëzuar këtë interpretim për eleminimin dhe shantazhimin e kundërshtarëve politik. Qeveria duke u thirrur në këtë interpretim ka përdorur policinë për të ushtruar dhunë brutale kundër deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në protestat kundër Serbisë që janë mbajtur në Merdarë dhe Dheu i Bardhë.

Kushtetuesja me rastin Kiçina është bërë hallkë e zinxhirit të padrejtësisë të ashtuquajturës “drejtësi ndërkombëtare” në Kosovë. Burim e Arsim Ramadani dhe Arben e Jeton Kiçina janë viktimat më të mëdha të fushatës së mekanizmave ndërkombëtare për t’i kriminalizuar dhe burgosur pjesëtarët e UÇK-së. Këta persona akuzohen për një vrasje të pesëfishtë pa asnjë fakt të vetëm. Filmi dokumentar ”Krimi në Drejtësi” i realizuar nga Milaim Zeka dhe i transmetuar në RTK, sjell argumente tronditëse për mbajtje në burg të personave të pafajshëm. Kushtetuesja e perligji padrejtësinë ndaj rastit Kiçina, duke e hedhë poshtë kërkesat për prishjen e dënimeve të Gjykatës së Qarkut.

Të gjitha këto dhe vendime të tjera të Gjykates Kushtetuese kanë bërë që qytetarët ta humbin besimin tërësisht ndaj këtij institucioni. Sipas një ankete të bërë pak kohë më parë nga agjensia e lajmeve “Kosovapress”, ku morën pjesë afër njëmijë respodentë, pjesa dërrmuese e tyre u deklaruan se kjo gjykatë është e korruptuar politikisht.

Pa kushtetutë që buron nga vullneti i popullit tonë dhe pa kushtetuese të pavarur prej politikës ndërkombëtare dhe vendase, ne nuk mund të kemi shtet të së drejtës dhe drejtësi kushtetuese.

 


Më të komentuarat