Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Rexhep Qosja

  foto

DHUNËTARËT E AKADEMISË

(Rexhep Qosja) 05 Dhjetor 2011 21:54

Më 14 nëntor të këtij viti Agjencisë Kosova Press ia kam dhënë një deklaratë mbi nismën e disa deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nevojën e ndryshimit të ligjit mbi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të miratuar në vitin 2004, kur Kosova ende nuk ishte shpallur shtet i pavarur dhe sovran.

Kësaj deklarate Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do t’i përgjigjet me një kumtesë pazakonshëm të gjatë, të përbërë prej pesë krerësh dhe katërmbëdhjetë nëntitujsh, në të cilën i mohon në tërësi gjykimet e mia duke i quajtur akuza të pavërteta dhe tendencioze.

Është kjo një prej kumtesave të rralla, që e nënshkruan kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, i cili, si një poet dhe gjuhëtar shumë i kursyer në krijimtarinë, që deri tash ka botuar vetëm një çerek libri me vjersha dhe dy libra e gjysmë me studime gjuhësore, nuk nënshkruan gjithçka.

Kësaj radhe, ndërkaq, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, nuk ka ngurruar të nënshkruajë gjithçka: nuk ka ngurruar të nënshkruajë një kumtesë të shkruar analfabetçe, të shkruar, besoj, prej një akademiku, i cili me shkrimin e tij, me gjykimin e tij, me gjuhën e tij fyen kulturën e shkrimit të maturantëve tanë.

Në këtë përgjigje nuk do të merrem me të gjitha mashtrimet, përbaltjet dhe të pavërtetat e stivuara në kumtesën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të shkruar në një gjendje droje prej pasojave të nismës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit mbi Akademinë.

Do të merrem vetëm me njërën prej këtyre të pavërtetave, që është prodhuese e shfytyrimeve dhe e korrupsionit intelektual dhe moral në Akademinë tonë.

Në kumtesën – përgjigje të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës thuhet se në këtë Akademi janë vetëm dy anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës! Nuk ka dyshim se me këtë pohim, të nënshkruar prej kryetarit kursimtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, gënjehet fort për të kaluarën dhe për të sotmen e Akademisë.

Në Vjetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në të cilin jepen të dhënat biobibliografike të anëtarëve të Akademisë, shkruan, për shumë vite edhe serbisht, se për anëtarë të rregullt a korrespondentë të kësaj Akademie deri sot, kur po e shkruaj këtë përgjigje, janë pranuar 9 (dhe me shkronja: nëntë) jo anëtarë të thjeshtë po titullarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe, këta janë:

1.Ibrahim Rugova, ish kryetar i LDK-së,

2.Fehmi Agani, ish nënkryetar i LDK-së,

3.Isa Mustafa, kryetar i LDK-së,

4.Sabri Hamiti, nënkryetar i LDK-së,

5.Rexhep Ismajli, ish anëtar i Kryesisë së LDK-së,

6.Nexhat Daci, ish anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së,

7.Ali Aliu, ish anëtar i Kryesisë së LDK-së,

8.Mehmet Kraja, ish anëtar i Kryesisë së LDK-së,

9.Idriz Ajeti, ish anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Prej këtyre 9 (nëntë) udhëheqësve të lartë të LDK-së, vetëm profesor Idriz Ajeti është pranuar anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës kur nuk kishte LDK, në të vërtetë kur LDK-ja quhej Lidhje e Komunistëve të Kosovës dhe është pranuar në sajë të meritave shkencore e jo partiake. Gjithë të tjerët, ndërkaq, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës janë pranuar duke qenë udhëheqës të lartë të LDK-së dhe, në radhë të parë, pse ishin apo kishin qenë udhëheqës të lartë të LDK-së.

Përpos këtyre nëntë udhëheqësve të lartë të LDK-së, anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës janë bërë edhe dy liderë të tjerë të lartë partiakë: liderë të dy partive satelitore të LDK-së. Dhe, këta janë:

1.Besim Bokshi, ish kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës,

2.Hivzi Islami, kryetar i ish Partisë Fshatare të Kosovës.

Për lexuesit, për Kuvendin e Kosovës, për Qeverinë e Kosovës, besoj, nuk është e nevojshme të hulumtohen të dhënat se kush tjetër, nga përbërja e akademikëve dhe nga përbërja e administratës së Akademisë, ishte dhe është në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Numri prej 11 (njëmbëdhjetë) udhëheqësve të lartë partiakë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të dy partive dikur satelitore të saj, tregon qartë, tragjikisht qartë, sesa e partisuar, sesa e uzurpuar, sesa e shpërdoruar, sesa e shfrytëzuar, sesa e fyer dhe sesa e përulur ishte dhe është Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës prej partishmërisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ku në Ballkan, ku në Evropë, ku në Afrikë, ku në Tasmani, ku kolonialistët e parë evropianë zbaviteshin duke ndjekur djajtë e Tasmanisë, mund të ndodhë një këso komedie partiake me një akademi shkencash e artesh? Pa dyshim askund, përpos te ne!

Pse këta udhëheqës të lartë të LDK-së pranuan të bëhen anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Kur Fadil Hoxhës në kohën e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, i shkuan në shtëpi tre akademikë, me lutjen që të bëhet anëtar i ASHAK-ut , ai e refuzoi kërkesën e tyre duke u thënë: kjo, shokë, nuk do të ishte mirë as për ju as për mua.

Pse këta udhëheqës të lartë të LDK-së dhe të dy partive satelitore të LDK-së pranuan t’u zënë vendin të tjerëve, që me punën e tyre shkencore, arsimore, kulturore, letrare, artistike ishin më të merituar për t’u bërë anëtarë të ASHAK-ut dhe, duke mos qenë udhëheqës të LDK-s, do të kishin mjaft kohë për t’u inkuadruar në planet kërkimore shkencore të Akademisë? Përgjigjja në këtë pyetje mund të gjendet, duket,vetëm në politikën e LDK-së ndaj çështjes së Kosovës, në njërën anë dhe ndaj Serbisë, në anën tjetër.

Pse heshtej ky uzurpim partiak i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës prej Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe dy partive satelitore të saj? Mos për ta bërë Akademinë siç ishte bërë Lidhja Demokratike e Kosovës me satelitët e saj: për ta bërë Akademi të mjerë, moralisht të vdekur, që do të predikonte predikimet e LDK-së: paqen, nënshtrimin, “zgjedhjet e lira e demokratike” nën dhunën e terrorin e Millosheviqit dhe, që do të heshtte për shpopullimin shqiptar e për popullimin e heshtur serb të Kosovës?

Për të sjellë sa më parë në Akademi edhe titullarë të tjerë të LDK-së, udhëheqja e partishme e ASHAK-ut nuk do të ngurrojë që të shkelë Statutin e vet dhe zgjedhjet e çdokatërvjetshme t’i kthejë në zgjedhje të çdodyvjetshme! Dhe, mandej, mbasi t’i bëjnë akademikë edhe titullarët e lartë, kryetarët e nënkryetarët “historikë”, titullarët e ujarët e tjerë të LDK-së, midis të cilëve edhe maturantin e mirënjohur, kjo udhëheqje nuk do të ngurrojë ta shkelë rishtazi, për herë të dytë, Statutin, tashmë të shkelur njëherë, dhe zgjedhjet e çdodyvjetshme t’i bëjë, prapë, të çdokatërvjetshme! Dhe, do t’i bëjnë kështu, rishtazi, të çdokatërvjetshme për ta penguar sa më gjatë pranimin e atyre studiuesve shkencorë dhe krijuesve letrarë e artistikë, që do të duhej të ishin pranuar në Akademi shumë më herët. Po, megjithatë, kjo shkelje e dyhershme e Statutit nuk ishte marifeti më i ultë juridik që bëhej në Akademi vetëm e vetëm për t’u ledekeizuar deri në fund Akademia! Marifeti më i ultë bëhej në seksionet e Akademisë, ku kandidatëve të propozuar prej fakulteteve, institucioneve shkencore (e do të duhej edhe prej shoqatave të krijuesve) u preheshin rrobat prej rrobaqepësve titullarë të LDK-së! Nuk është e çuditshme, prandaj, pse para disa vjetësh në Kuvendin zgjedhor të ASHAK-ut do të ndodhë të mos zgjedhet asnjë anëtar i ri i Akademisë. E kuptueshme. Kuvendi kishte refuzuar të pranonte titullarë e ujarë të rinj të LDK-së, që u propozoheshin prej seksioneve!

Përpos pranimit të udhëheqësve më të lartë të LDK-së në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, partisimin, uzurpimin, shpërdorimin, shfrytëzimin, nënshtrimin, fyerjen partiake LDK-iste të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës tragjikisht qartë e dëshmon edhe një e dhënë tjetër: e dëshmon despotizmi udhëheqës i vendosur nga ana e LDK-së në Akademi. Tash e shumë vjet Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës e kryetarojnë , e nënkryetarojnë dhe, të shumtën e herëve, e sekretarojnë udhëheqësit e lartë të LDK-së. Në dy mandate kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës na ishte kimisti, specialist i prodhimit të amoniakut partiak e politik në Akademi, Nexhat Daci. Për të qenë kryetarësia e tij në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës posaçërisht tragjikomike dhe primitive, e pashembullt në Evropë, ky njeri, duke qenë prej Ibrahim Rugovës i vendosur kryetar i Kuvendit të Kosovës, do të rizgjidhet edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Dhe, do të rizgjidhet vetëm me një votë kundër: vetëm me votën time kundër! Lexojeni me vëmëndje, lexues, këtë të dhënë: kryetari i Kuvendit të Kosovës rizgjidhet, pra, rizgjidhet, edhe kryetar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës! Çfarë dhunëtari ky kryetari i dyfishuar! E çfarë të mjerësh ata që e rizgjedhin! E dini, besoj, se këso komedie akademike nuk ka ndodhur as në BRSS-në e Stalinit, as në Rumaninë e Çaushëskut, as në Tasmaninë e shekullit nëntëmbëdhjetë! Do ta detyrojnë ta lërë këtë kryetarësi të uzurpuar në Akademi e të kënaqet vetëm me detyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës jo anëtarët e Akademisë, po kryeadministruesi i Kosovës, Shtajner.

Mbas abdikimit të detyruar të kimistit Nexhat Daci, në detyrën e kryetarit, nënkryetarit dhe të sekretarit të përgjithshëm të ASHAK-ut do të këmbehen pandërprerë, deri sot, ish-udhëheqës të tjerë të LDK-së, gjuhëtarë e letrarë të Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë e ndër ta edhe kryetari i ish Partisë Fshatare të Kosovës, satelite militante e LDK-së.

Sesa dhe sesi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës vazhdon të jetë e partisuar, e uzurpuar, e shpërdoruar, e nënshtruar, e shfrytëzuar dhe e fyer prej Lidhjes Demokratike të Kosovës e dëshmon, më në fund, edhe zgjedhja e kryetarit të Prishtinës, tani edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, anëtar i kësaj Akademie! Pse ky njeri pranoi të zhytet kështu thellë në batakun e konfliktit të interesit? Për nevojat e veta politike e partiake apo edhe për nevojat e Akademisë dhe të bashkëpartiakëve të tij anëtarë e udhëheqës të saj? Besoj për të dy arsyet. I duhet Isa Mustafës titulli i akademikut; dhe, i duhet sa për të mbuluar të kaluarën e tij politike pas demonstratave të vitit 1981 si luftëtar i zjarrtë i regjimit pushtues të Millosheviqit në komunën e Prishtinës kundër nacionalizmit e irredentizmit shqiptar dhe idesë së Kosovës republikë aq edhe për të mashtruar më lehtë të mashtrueshmit në zgjedhjet partiake e kuvendore. Por, edhe më shumë i duhet ai Akademisë; dhe, i duhet ai Akademisë jo për dijet e tij ekonomike, që moti të harxhuara pas llogaritjeve e çllogaritjeve të tre (3) përqindëshit të mbledhur në Kosovë e në Evropë, pas thesareve të Dardanisë në Tiranë, pas karrierës politike dhe pas pasurimit - për t’u bërë aksionar në klube e mbiklube, në firma e mbifirma, në banka e nënbanka, në gazeta tregu e gazeta muri, por për të mbajtur sa më gjatë në të mjerimin pushtetor të LDK-së!

Janë të gjata duart e Isa Mustafës dhe janë të gjata duart e udhëheqjes së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, anëtarë të Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë, që tani i bëjnë temena e i shkojnë pas neveritshëm si sejmenë Isa Mustafës! Ato duar të tyre të gjata mbërrijnë shumëkund? Ato duar të tyre të gjata shpurdhin shumëçka! Ato duar të tyre të ndyta emërojnë e çemërojnë shumëkënd, në sa institucione, sidomos në institucione të shkencës, të kulturës dhe në mediat. Posaçërisht në mediat. Ato duar të gjata akademike para tre vjetësh e çuan në Institut një bashkanëtar të tyre të ushtruar, i cili deshi të nxjerrë Rexhep Qosjen përgjithmonë prej Institutit Albanologjik dhe për ta nxjerrë solli prej tregut të Prishtinës tre punëtorë krahu të cilët ia thyen zyrën dhe filluan të mbushin thasët me librat, me filmat, me fotokopjimet, me fotografitë, me botimet e para, me dorëshkrimet e shkrimtarëve shqiptarë që ai mbante aty! Dhe, ai luftëtar i LDK-së do ta kryente suksesshëm këtë krim kulturor të mos ishte reagimi i fuqishëm i lexuesve të veprave të Rexhep Qosjes nga Kosova, nga Maqedonia, nga Shqipëria, nga Evropa dhe nga SHBA-të. Dhe, sidomos po të mos ishte reagimi i kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Agim Çeku.

Ato duar të gjata të tyre – të udhëheqjes së Akademisë, domethënë të Seksionit të Gjuhës dhe të Letërsisë dhe të Isa Mustafës kanë bërë e po bëjnë që RTK-ja, e quajtur televizion publik, të kthehet edhe në televizion privat. Pse jo. Ato duar të tyre të gjata e kanë bërë shef të Bordit të RTK-së zbatuesin e vullnetit të tyre në RTK, i cili librin e vet posa të botuar e reklamon sa herë do, duke bërë madje edhe emision të veçantë për të – si të ishte RTK-ja televizion i tij privat!

Ato duar të gjata të tyre e kanë bërë drejtor të RTK-së të birin e bashkëpartiakut që para tre vjetësh e çuan në Institutin Albanologjik për të bërë barbarinë kulturore që deshi të bënte ai në Institut! Dhe, djali i babait, tani nuk lejon që informata për përurimin e kompletit të veprave të Rexhep Qosjes më 23 nëntor të jepet në ditarin e orës 19 e 30 minuta, siç jepet për libra të tjerë, por lejon që në Televizionin publik të Kosovës, në RTK, të transmetohet drejtpërdrejt, gjerë e gjatë, si të ishte përvjetor i madh, më i madhi, historik i Shqipërisë shtetërore a i Kosovës, si të ishte shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, a shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, shënimi i 30-vjetorit të një përmbledhjeje poetike të një anëtari të Bordit të RTK-së. Jemi fundosur intelektualisht, privatisht e publikisht, aq thellë saqë në Televizionin e të gjithëve, në televizionin e vetëm publik, bëjmë transmetim të drejtpërdrejtë të përvjetorit të një përmbledhje vjershash, por nuk e shënojmë përvjetorin e masakrimit të shkrimtarit Ymer Elshani me 4 djemë, me grua e nënë nga shovinistët serbë gjatë luftës! Me kësi drejtori drejtojmë ne RTK-në! Dhe, me kësi shefi të Bordit shefojmë ne RTK-në! Çfarë privatizimi banal i RTK-së para syve të themeluesit e të financuesit: para syve të Kuvendit të Kosovës! Kuku nënë e kuku baba!

Ato duar të gjata të tyre, të Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë, në të vërtetë të udhëheqjes së Akademisë dhe të të përzgjedhurit të tyre partiak, Isa Mustafës, urdhëruan këto ditë që gazeta e LDK-së, e titulluar Bota sot, të bëjë gjithë ato fyerje, denoncime, përdhosje të emrit, të punës, të nderit e të integritetit intelektual e moral të Rexhep Qosjes, fyerje e përdhosje për të cilat në botën e qytetëruar e demokratike gjyqet shqiptojnë dënime të rënda. Dhe, e sendërtuan këtë urdhër sepse aty, në gazetën Bota sot, kanë vendosur si kryeredaktor zbatuesin e punëve të tyre të pista, ish anëtarin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë në vitin 1989 kur në atë Komitet Qendror merreshin vendimet për përndjekje, burgime, likuidime të të rinjve shqiptarë, për dhunë e terror mbi shqiptarët në Kosovë! Pse jo? As gjyqtarët s’i varin me duart e veta të dënuarit e tyre po me duart e xhelatit të paguar!

E mbajnë këto duar kryeredaktor të gazetës fashiste Bota sot zyrtarin partiak të Rrahman Morinës dhe të Sllobodan Millosheviqit, i cili, në vend se të mbahej kryeredaktor në atë gazetë fashiste e të thirrej në televizionin publik RTK-në të “komentojë” bisedimet Prishtinë Beograd, do të duhej të nxirrej në gjyq për krimet që Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, anëtar i të cilit ishte ai më 1989, ka bërë mbi popullin shqiptar. Nuk ka popull historik dhe politik në botë që nuk do ta denonte për krim këtë krijesë menjëherë pas luftës çlirimtare.

Ato duar të tyre të gjata bënë që në gazetën Koha ditore, prej ditës kur u mor vesh se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka miratuar projektin e Institutit Albanologjik për botimin e kompletit të veprave të Rexhep Qosjes, ashtu siç kishte miratuar më përpara kërkesat e udhëheqjes së Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës për botimin e disa kompleteve të anëtarëve të saj, në vend të përkrahjes, të shkruajë sa herë kundër botimit të këtij kompleti! Dhe, ato duar të tyre të gjata bënë, që KTV-ja, më 23 nëntor, të japë, me gojën e spikerit, me shkronja në ekran dhe me shkronja në spicë, kumtesën e Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës kundër Rexhep Qosjes, por asnjë fjalë nga deklarata e Rexhep Qosjes! E të tjera! Dhe, pse të mos i bëjnë këto veprime kundër meje Koha ditore dhe KTV-ja derisa ato po bëjnë fushatë kundër Fatmir Limës, kundër sa e sa ish eprorëve, drejtuesve e pjesëtarëve të UÇK-së, fushatë çfarë bënte gazeta fashiste Bota sot kundër çlirimtarëve me vite pas luftës! Pse jo? Koha ditore dhe Kohavizioni janë prodhim i një politike që bazohej në bindjen e protagonistit të saj të cilën sa e sa herë kemi mundur ta dëgjojmë duke qenë i duartrokitur nëpër Jugosllavi: Kosova kurrë s’mund të bëhet republikë!

Për fatin tim, nuk jam unë i vetmi intelektual rreth qafës së të cilit janë shtrënguar duart e gjata të akademikëve të Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë, në të vërtetë të udhëheqjes shumëvjeçare LDK-iste të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës dhe tani edhe të Kryetarit të Komunës së Prishtinës e të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës. Duart e tyre të gjata janë shtrënguar edhe rreth qafës së shumë intelektualëve të tjerë krijues – historianë, mjekë, gjuhëtarë, muzikologë, folkloristë, inxhinierë e studiues në fusha të tjera të shkencës dhe krijues të arteve të ndryshme. Ato duar ua kanë mbyllur dyert e Akademisë atyre sepse, nëpër ato dyer mendojnë se duhet të kalojnë e të hyjnë në Akademi si anëtarë vetëm bashkëpartiakët e tyre, të dëgjueshmit e tyre, ujarët e tyre!

Nuk është shumë e çuditshme pse këto duar të gjata të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të kryetarit të Prishtinës e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës po mbërrijnë ku krejt po mbërrijnë dhe po bëjnë krejt çka po bëjnë në Akademi, në disa institucione të tjera dhe në mediat private e në median publike. E çuditshme është vetëm pse Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës po i shikojnë me mënjanëri (me indiferencë) pasojat e atyre duarve të gjata në Akademi, në media e në disa institucione të tjera të kryeqytetit të Kosovës. Dhe, nuk duan të dinë se kjo indiferencë e shton përgjegjësinë e tyre politike dhe historike për gjendjen në Akademi dhe jo vetëm në të.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është sot çka nuk do të duhej të ishte asnjë ditë e lëre më me vite e vite. Ajo është Akademi e uzurpuar, e shpërdorur, e keqpërdorur, e shfrytëzuar prej një klani dhe një partie, që, në vend se të jetë institucioni më i lartë e më i aftësuar, me përgatitjen e me moshën e anëtarëve të saj, për hulumtimin dhe studimin e kulturës shpirtërore e materiale shqiptare, para së gjithash të Kosovës, është bërë shtëpi botuese për ribotimin e veprave të disa akademikëve! Për këtë arsye ajo ka mbetur Akademi e paaftë për të ngritur e lëre më për të realizuar projekte shkencore. Ajo është Akademi pseudoreprezentuese në vend se të ishte Akademi punuese. Ajo është Akademi pa vizion, prandaj, pa projekt për zhvillimin shkencor e kulturor të Kosovës. Ajo është Akademi që projektet shkencore i zëvendëson me përmbledhje shkrimesh, siç është i ashtuquajturi studim monografik për Kosovën, në të cilin bëhet ndarja kundërhistorike e historisë , e gjuhës, e letërsisë dhe e kulturës shqiptare në histori, gjuhë, letërsi, kulturë e Shqipërisë dhe në histori, gjuhë, letërsi, kulturë e Kosovës. Ajo është Akademi që, kështu, me kësi politizimi të shkencës do t’i krijojë mbulesë të ligjshme konformizmit, mospunës, korrupsionit jo vetëm intelektual, veprimeve mafioze të udhëheqjes së saj partiake!

Nuk ka dyshim se të dhënat e paraqitura në këtë përgjigje i dëshmojnë dy të këqija shumë shqetësuese në jetën tonë politike dhe intelektuale:

e para, mënyra e pushtimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës prej titullarëve më të lartë të LDK-së e të dy partive ish rrogtaresha të saj, mënyra e sjelljes së bashkëpartiakëve në Akademi duke shkelur Statutin dhe rregulloret e saj dhe mënyra e uzurpimit shumëvjeçar të drejtimit të Akademisë flasin për veprime mafioze të një klani partiak në këtë institucion të lartë dhe rreth këtij institucioni të lartë të shkencës në Kosovë, dhe,

e dyta, vetë ardhja e Isa Mustafës – e këtij ish zyrtari të regjimit të Millosheviqit në Prishtinë pas demonstratave të rinisë sonë studentore e shkollore më 11 mars 1981, mënyra e ardhjes së Isa Mustafës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës me pabesi e trysni rrugësh, mënyra e hyrjes në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës si anëtar i saj duke qenë edhe kryetar i Prishtinës, mënyra e drejtimit të LDK-së me treshe ngushtësisht lokaliste dhe mënyra e përdorimit dhe e yshtjes brutale staliniste të disa mediave kundër intelektualëve kritikë ndaj veprimeve të tilla flasin qartë për depërtimin e një kriminaliteti të ri shumë të rrezikshëm në jetën tonë politike.

Si anëtar i kësaj Akademie, si qytetar i Kosovës, si historian i letërsisë shqipe dhe si shkrimtar, i cili jetën e vet ia ka kushtuar krijimtarisë shpirtërore dhe i cili veprën e vet do t’ia lërë këtij populli, unë nuk mund ta shikoj i heshtur gjithë atë uzurpim, shfytyrim, shfrytëzim, shpërdorim, gjithë atë privatizim partiak mafioz, që ka pushtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. E ndiej veten të obliguar, prandaj, t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës:

1.Të shqyrtojë nismën e deputetëve dhe të ndryshojë ligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në të cilin do të përcaktohej reformimi i obligueshëm rrënjësor i saj.

2. Të krijojë komision i cili do të shikojë punët administrative, finansiare, botuese dhe juridike në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, në mënyrë të veçantë arsyen dhe ligjshmërinë e kthimit të zgjedhjeve të çdokatërvjetshme në zgjedhje të çdodyvjetshme e, pastaj, të zgjedhjeve të çdodyvjetshme në zgjedhje të çdokatërvjetshme! E të tjera.

3.T’ua çligjësojë seksioneve të Akademisë të drejtën e uzurpuar për të vendosur ato se kush do të pranohet në Akademi dhe këtë të drejtë t’ia njohë vetëm Kuvendit zgjedhor të Akademisë.

4.Të heq titullin anëtar korrespondent, që sot përdoret për nënshtrim të anëtarëve korrespondentë të Akademisë, dhe të njohë vetëm titullin anëtar i rregullt, siç ndodh, më në fund, në të gjitha akademitë në botë sot, përpos në disa ish-republika jugosllave.

5.Të miratojë ligjin për lustracionin, siç kanë bërë të gjitha vendet ish- komuniste, që sot janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe shumica e atyre vendeve ish-komuniste, që ende nuk janë anëtare të këtij Bashkimi.

6.Të marrë vendim, siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste e siç po bën Maqedonia këto ditë, me të cilin obligohen pronarët, kryeredaktorët, redaktorët dhe gazetarët e mediave të shkruara dhe elektronike, anëtarët e Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, pedagogët e universiteteve publike e private, deputetët e Kuvendit dhe ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që brenda dy muajsh të deklarojnë me shkrim nëse ishin bashkëpunëtorë, agjentë, informues apo çfarëdo shërbyesish të Sigurimit të Brendshëm Shtetëror (UDB- së) në Kosovë a të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës.

7.Të obligojë grupin tonë që në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të kërkohet që Kosovës t’i kthehet, nëse është marrë, i gjithë Arkivi i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror(UDB-së) në Kosovë dhe i Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës.

Çka të them në fund? Nuk më mbetet tjetër përpos të lutem!

I lutem të Madhit Zot, atij i qofshim falë, që të mos jam i vetëm me bindjen se prej përgjigjeve që do t’u japë a s’do t’u japë Kuvendi i Republikës së Kosovës këtyre kërkesave varet, në masë të madhe, parandalimi i përshtrirjes dhe i përthellimit të mëtejmë të shfytyrimeve (degjenerimeve) politike, intelektuale dhe morale, të Akademisë sonë të Shkencave e të Arteve, të mediave tona dhe të shtetit tonë të ri.

 


Më të komentuarat