Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Të tjerë

 

Ardhmëria e kombit sigurohet me zbatimin e të drejtës për vetëvendosje

(Fatos Aliu) 23 Korrik 2013 22:52

Me gjithë shpresat se një gjeneratë e re do të jetë promotor dhe avangardë për zbatimin e vetëvendosjes së shkelur shqiptare, sot kemi më shumë zhgënjime se sa rezultate në të mirë të shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Zhvillimet politike të pasluftës nuk i dhanë rezultatet e pritura në të mirë të zbatimit të vetëvendosjes, ashtu siç është konceptuar me të drejtën e vetëvendosjes së popujve. Për shqiptarët kjo e drejtë ende nuk po gjen zbatim.

Kosova sot trajtohet si koloni klanesh politike. Kështu, në vend që t’i hapet rrugë vetëvendosjes si promotor të shtetndërtimit, ajo është futur në qorrsokak. Tani, jo vetëm se ka vështirësi për zbatimin e vetëvendosjes, por ka edhe rrezikshmëri, sepse ma i dëmshëm se mos përdorimi, është përdorimi i gabuar i saj. Në sisteme shumë partiake, zbatimi i vetëvendosjes nuk mund të jetë përgjegjësi ekskluzive një subjekti, por është obligim i të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve shtetërore.

Si të dilet nga qorrsokaku, si të zbatohet vetëvendosja për shqiptarët?

Përdorimi i drejtë i vetëvendosjes lidhet me konceptimin dhe organizimin efektiv për zbatimin e saj. Në radhë të parë, e drejta për vetëvendosje i takon popujve dhe kjo e drejtë është e ratifikuar me konventa ndërkombëtare. Si parim, vetëvendosja nuk lidhet me emërtime territoriale, si vetëvendosje për Kosovën, por si vetëvendosje e popullit shumicë me të cilin identifikohet etniteti përkatës, me rivendikimin e padrejtësive ndaj të shqiptarëve të Kosovës, si një epiqendër e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan. Se ndaj kujt janë zhvilluar këto padrejtësi në ish Jugosllavi, kjo dihet, sepse populli shqiptar dhe territori i tij është ndarë dhunshëm, dhe se vetëvendosja shqiptare është shkelur, si entitet dhe si etnitet, në interes të krijimit dhe zgjerimit të shteteve fqinje. E drejta për vetëvendosje për shqiptarët, nuk është kurrfarë sekreti, që të trajtohet si gogol frikësues, përkundrazi, është legjitime, e drejtë e ratifikuar ndërkombtarisht, e potencuar hapur edhe nga personalitete më të larta të botës, si Bil Klinton, i cili në vizitën e tij të parë në Kosovë pas luftës, kishte theksuar se e drejta për vetëvendosje u takon të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë (dmth. në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi (luginë të Preshevës).

Hezitimet për këtë të drejtë dhe të vërtetë, dhe zhvillimi i bisedimeve duke shkelur në themele të kësaj të drejte, nuk sjellin paqe as zgjidhje të dobishme, por rrezikshmëri, tensione politike dhe jo stabilitet, në vend e në regjion. Por, deri më sot, as faktori politik vendor, as ai ndërkombëtar, nuk tregoi vullnetin dhe angazhimin e duhur për të zhvilluar një proces në themele të së drejtës për vetëvendosje, duke u fokusuar në ruajtjen e stabilitetit artificial përmes zgjidhjeve artificiale të cilat nuk i qëndrojnë kohës.

Por, në radhë të parë, është vetë faktori shumë partiak i viteve të 90-ta e këtej, injoruesi dhe mospërfillësi i të drejtës shqiptare për vetëvendosje, i cili as nuk e ka përmendur as si termin, as si parim, e lere ma të organizohet në parime të kësaj të drejte sublime të popujve për liri dhe pavarësi. As drejtuesit e politikave të pasluftës 1999, nuk treguan nivelin politik në momentin historik për zbatimin e vetëvendosjes, krahasuar me nivelin e intelektualëve politikanë të shquar për vetëvendosje, të pas luftës së Dytë Botërore, të grupeve ilegale në Kosovë e vise shqiptare nën sundimin e Jugosllavisë, si në shembullin e organizimit të demonstratave të vitit 1968, që parimin e vetëvendosjes e kishin në themel të organizimit të tyre politik dhe çlirimtar, me sakrificën e breza patriotësh, deri te sakrificat madhore të dekadës së fundshekullit XX me luftën e UÇK-së, në të cilën sot po thirren shumë politikanë të korruptuar të pasluftës.

Megjithëse në dukje e pa rëndësi, kërkesa vetëvendosje për Kosovën, pa u ligjëruar identiteti i saj nacional dhe kushtetues, në thelb e suspendon vetëvendosjen shqiptare, dhe bie në kundërshti me definicionin dhe kuptimin e parimit të vetëvendosjes së popujve, dhe për më keq, i hap rrugë pretendimeve të Serbisë dhe aleatëve të saj.

Kjo sepse politikat tona nuk e kanë zhvilluar procesin e dekolonizimit të Kosovës, pas përfundimit të luftës më 1999, as nuk i kanë përcaktuar “vijat e kuqe” të interesit kombëtar. Procesi i dekolonizimit është çështje e pandashme e vetëvendosjes. Vetëvendosja pa dekolonizim është si pushka pa plumb. Si moszbatimi, edhe degradimi i vetëvendosjes, solli procesin e deformimit të shtetndërtimit, planin e Ahtisarit, dhe krijimin e shtetit hibrid sui generis pa identitet nacional. Kosova degradoi në nivel të ri autonomist pikërisht si pasojë e mos përfshirjes së parimit të vetëvendosjes në programet e partive politike. Si rezultat, edhe pas shkatërrimit të Jugosllavisë ende nuk i kemi arritur as referencat kushtetuese të republikës së 2 korrikut 1992, shumë më kuptimplote se kjo që e ka Kosova sot, me identitet të deformuar dhe të degraduar kushtetues e shtetndërtues.

Tjetërsimi i pronësinë dhe trashëgiminë kulturore historike të etnitetit shqiptar, është shkelja themelore e parimit të vetëvendosjes së popujve që lidhet me parimin e dekolonizimit, si mishi me kockën. Po të mos mbështetej në parimin e vetëvendosjes dhe dekolonizimit (çlirimit nacional), lufta çlirimtare e popullit shqiptar kundër okupacionit serb nuk do të kishte kuptim.

Tekefundit - vetëvendosjen si e drejtë dhe si parim nuk e kemi zbuluar ne, as që është pronë e një shteti a populli, as e lëvizjeve të veçanta, as e vet institucioneve e qendrave të vendosjes, por është normë ndërkombëtare e ratifikuar nga OKB, për t’i dhënë fund epokës së kolonializmit dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjeve demokratike dhe demokratizimit të shoqërive dhe shteteve, dhe procesit të dekolonizimit të vendeve të kolonizuara, siç ka qenë Kosova dhe viset shqiptare nën ish Jugosllavi. Pse ne nuk dimë ta shfrytëzojmë këtë normë në të mirën e popullit dhe atdheut tonë, ky është problemi me të cilin do të ballafaqohemi gjithmonë, përderisa politikat tona nuk i vendosin interesat nacionale mbi ato partiake.

Vetëvendosja është institucion që kërkon zgjidhje institucionale, unitet politik e institucional për ta realizuar në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Vetëvendosja nuk zbatohet duke i ikur bisedimeve, me JO-të a priori, por duke qenë aktiv për dhe në pjesëmarrje, me JO-të e PO-të përgjatë bisedimeve, prandaj është obligim primar i organizatave politike që në program e kanë parimin e vetëvendosjes, që t’i kërkojnë bisedimet, duke qenë promotorë dhe ngulmues për zbatimin e të drejtës për vetëvendosje anembanë qendrave të vendosjes me forcën e argumenteve. JO-ja a priori e bisedimeve është e dëmshme dhe vetë përjashtuese për të ndikuar procesin dhe në rezultatet bisedimeve. Çdo armiqësi, konflikt apo luftë, pashmangshëm përfundon në tryezë të bisedimeve, cili do që të jetë ndërmjetësi i tyre. Për të parandaluar të keqen duhet maturi politike e diplomatike, organizim i të gjitha shtresave të shoqërisë, gërshetim gjeneratash, thjeshtësi e fjalëpakë me popull e media, veprime të dinjitetshme të përcjella me dokumente, memorandume, etj.,etj.

Adresa e parë e një organizimi politik për ta kërkuar e zbatuar të drejtën e vetëvendosjes janë institucionet vendore dhe fuqitë që i kanë sjellë konventat përkatëse, e që kanë obligim për t’i respektuar e zbatuar, ndërsa subjektet për vetëvendosje atje drejtohen, duke punuar e kërkuar të drejtën për popullin e vet, në rrugë institucionale kur ato ekzistojnë, ose në forma tjera legjitime të organizimit çlirimtar kur institucionet mungojnë, ose kur vendi gjendet nën okupim. E drejta ndërkombëtare për vetëvendosje nuk do të gjejë zbatim pa një gërshetim të diplomacisë me veprime të efektshme me brenda dhe jashtë.

A kemi mësuar nga e kaluara?

Kur institucioni është i padrejtë, i korruptuar, antidemokratik, ai ose ndërrohet me fuqinë e votës dhe sistemit demokratik, me bojkotin e sistemit jodemokratik, ose me revoltë gjithë popullore (si e kanë thënë edhe vet baballarët e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA). Pra, ka forma dhe alternativa të ndërrimit të pushteteve. Por, në fund të fundit, edhe në raste ekstreme, kur një regjim i korruptuar rrëzohet me dhunë, legjitimiteti nuk fitohet me dhunë, por me zgjedhje demokratike.

Në rastin e shqiptarëve, zbatimi i vetëvendosjes është peng i copëtimit të trojeve shqiptare në shumë shtete fqinje nga e kaluara, në Kosovë është peng i politikave të gabuara që kanë krijuar barriera për rivendikimin e padrejtësive ndaj popullit shqiptar.

Megjithëse shqiptarët ishin pjesëmarrës në luftën e përbashkët antifashiste të Aleancës së Atlantikut, ata nuk u shpërblyen me frytet e vetëvendosjes, të paraparë me Kartën e Atlantikut. Serbia në rrethim ushtarak aneksoi Kosovën në Mbledhjen e Prizrenit, meqë konferenca e Jaltës nuk i mori parasysh vendimet e Bujanit për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Por, që të dyja këto mbledhje, mbesin dëshmi historike për pasojat e moszbatimit të drejtës për vetëvendosje. Për më tepër, sot po dalin dëshmi nga vetë perëndimi për skenarët dhe synimet e futjes nën ombrellë të Jugosllavisë së Titos, përpos territoreve të Kosovës me vise, edhe të vetë Shqipërisë Londineze. Për vetëvendosjen shqiptare, referencë historike ka qenë dhe ka mbetur Rezoluta e dalë nga Konferenca e Bujanit e mbajtur në periudhën 31 dhjetor 1944, dhe 1 e 2 janar 1945. Këto vendime ende nuk po trajtohen si referencë për vetëvendosje, edhe pas shkatërrimit të ish – Jugosllavisë. Megjithatë, si atëherë, edhe sot, zbatimi i vetëvendosjes nuk mund të bëhet pa një kooperim shumë kompleks diplomatik me qendrat e vendosjes dhe faktorin ndërkombëtar, të cilët tekefundit diktojnë me rrethanat dhe interesat globale.

Në politikë është vështirë të gjenden zgjidhjet në të mirë të vendit pa i kuptuar zhvillimet globale, pa një strategji e diplomaci fitimprurëse për interesa nacionale. Metodat që na armiqësojnë me jashtë nuk sjellin fryte pozitive, si edhe pritja ose pranimi i çdo zgjidhje që vjen nga jashtë, pa plan e pa strategji nacionale.

 


Më të komentuarat