Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Të tjerë

 

Kosova shtet laik, sekular apo ateist

(Amir B. Ahmeti) 30 Qershor 2013 21:54

Duke analizuar debatet e shumta të dy-tri javëve të fundit rreth disa çështjeve fetare, iu qasa seriozisht punës për të hulumtuar burimin e kësaj enegjie negative të disa politikanëve dhe pseudointelektualëve ndaj religjionit. Ata, në mënyrë direkte apo indirekte dhe jo rrallëherë kanë fyer ndjenjat fetare të besimtarëve në vendin tonë.

Antiteizmi i tyre shprehet qartë, veçanërsiht kundër islamit dhe sa herë sulmojnë religjionin, prijësit fetarë ose besimtarët, fshihen prapa nenit 8 të Kushtetutës së Kosovës e cila përcakton Kosovën si vend laik. Ndërsa nëse i pyet ata se çka nënkupton me termin laik, laicitet apo laicizëm; se kur është përmendur për herë të parë kjo fjalë; ose nëse e dinë kuptimin etimologjik dhe terminologjik të saj; stepesh nga injoranca e tyre, ngase ballafaqohesh me pseudointelektual të mentalitetit marksisto-leninist që nuk dinë dhe nuk duan të dinë por vetëm fyejn, madje edhe me barriera të ndryshme mundohen të pengojnë besimtarët për të praktiktikuar besimin e tyre.

Këto qëndrime i kemi trashëgim nga sistemi i kaluar, por tani që po ndërtojmë institucione demokratike është e udhës mos të ndjekim hijet e venitura të komunizmit i cili konsideronte fenë opium e shkaktare të të gjitha të këqijave. Pra të mos lejojmë që edhe sot dikush t’i jap të drejtë vetes që në emër të shtetit të dhunojë të drejtat fetare.

Kjo trashëgimi nga sistemi i kaluar po na kushton çdo ditë e më shumë. Madje edhe në kushtetutën e parë të Kosovës së pavarur dhe demokratike nuk kemi mundur t’i ikim kësaj trashëgimie. Ndër tjera kemi edhe provizionin kushtetues që lirisht mund të cilësohet si tendencioz, sidomos për mënyrën se si është përpiluar. Fjalën e kam për nenin 8 të kushtetutës së Kosovës i cili përcakton vendin tonë si vend laik: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.”

Ky provizion kushtetues konsideroj se nuk është i përshtatshëm as përafërsisht me traditën dhe kulturën e vendit tonë dhe duke u bazuar në praktikat evropiane për pozitën dhe respektin e veçantë që gëzon religjioni në vendet e BE-së, e sidomos trajtimit të fesë si vlerë e patjetërsueshme e qytetarëve të secilit vend, është një shembull i mirë për vendin tonë, aspiruese e integrimit evropian, që të ndryshohet çasja institucionale e Kosovës karshi besimit/religjionit të qytetarëve të vet. Kjo më së miri shihet në kushtetutat e secilit vend të BE-së, veç e veç.

Pra, duke u bazuar në të gjitha kushtetutat e vendeve anëtare të BE-së, gjejmë një çasje shumë pozitive se si është e trajtuar feja e qytetarëve të secilit vend dhe si qëndrojnë raportet ndërmjet shtetit dhe fesë së atij vendi apo të komuniteteve tjera fetare. Këto kushtetuta përcaktojnë mënyrën e ndërtimit të raporteve të shtetit me bashkësitë fetare në bazë të respektit të ndërsjellë të autonomisë së tyre si dhe të pavarësisë së secilit në sferën e vet. Poashtu se kultet fetare duhet të jenë të pavarura nga shteti por njëherit të kenë edhe përkrahje nga ai, duke përfshi edhe asistencën fetare në ushtri, spitale, burgje, etj. Ndërsa asgjë prej këtyre përkufizimeve nuk i gjejmë në kushtetutën e vendit tonë!

Vazhdova analizën time që pas përfundimit të saj t’i propozoja komisionit për ndryshimet kushtetuese amandamentimin e këtij neni të kushtetutës, ose që komisioni për legjislacion të jap vlerësimin vet. Këtë e bisedova edhe me disa kolegë deputet të Kuvendit të Kosovës, me propozimin se termi ‘laik’ do të ishte mirë të zëvedësohej me atë ‘sekular’. Por, pas përfundimit të hulumtimit dhe analizës sime rezultatet e nxjerra tejkalonin pritjet e mia.

Kështu para se të filloja përpilimin e propozim-amandamentit duke shpresuar se ndryshimi i këtij provizioni kushtetues do të ndryshonte edhe çasjen e shumë njerëzve ndaj religjionit, fillimisht i hulumtova dhe analizova termet ‘laik’ dhe ‘sekular’.

Edhe pse mendohet se janë shprehje me të njëjtin kuptim ato dallojnë shumë në esencë. Kështu, për të njohur kuptimin e laicitetit e sekularizmit dhe dallimit ndërmjet tyre është shumë e rëndësishme të dimë etimologjinë e këtyre dy fjalëve. Kur u përdorën për herë të parë? Për çfarë arsye? Çka ngërthejnë në vete dhe sidomos të njohësh terminologjinë e tyre nga vetë përdoruesit, sepse kjo e definon edhe kuptimin e sotëm të dy fjalëve/termeve.

Ndërsa te ne në Kosovë, laiciteti, nga disa politikanë e pseudointelektual, po definohet si diçka dominuese mbi fenë, sikur ajo po iu lejon atyre që të demonizojnë fenë. Por, definicionet e tyre nuk kanë kurrfarë baze dhe janë sa tendencioze po aq edhe cinike. Me këto definicione thumbuese, ata po mohojnë shumë të drejta fetare për besimtarët në emër të laicitetit. Tek e fundit, ndarja e fesë nga shteti nuk do të thotë që shtetit t’i lejohet të dhunoj të drejtat fetare ose të diskriminojnë besimtarët.

Laiciteti si terminologji, përmendet kah fundi i shekullit XIX-të në Francë si përpjekje për të shmangur apo larguar ndikimin e kishës mbi institucionet publike dhe në vitin 1905 merr trajtën ekzekutive me ligjin e ndarjes së kishës nga shteti. Ndërsa krejt e kundërta, sekularizmi, ka ardhur në shprehje si mënyrë e ndarjes së shtetit nga feja, për të mbrojtur besimtarët nga persekutimi shtetëror, siç ka qenë rasti i protestantëve në fillimin e përhapjes së tij.

Atëherë, pse Kosova të veçohet me një provizion të tillë kushtetues, duke shtuar se edhe vendet nga regjioni, asnjëra nuk janë përcaktuar i vende laike, as edhe shteti amë Shqipëria. Por sa më shumë që thellohesha në studimin e kësaj teme befasia ishte edhe më e madhe..

Është interesant se asnjë vend evropian, përveç Francës, as ato anëtare të BE-së e as ato nga rajoni, nuk përcaktojnë me kushtetutë se janë shtete laike. E kur ceka më herët se gjatë studimit befasie ishte edhe më e madhe, e kisha fjalën se asnjëra nga këto vende nuk ishin të përcaktuara as si shtete sekulare, përveç Sërbisë. E rezultati del se vetëm dy vende me kushtetutë përcaktohen si shtete laike, Franca dhe Kosova, Serbia përcaktohet si sekulare, e të tjerat as nuk e përmendin fare në kushtetutat e tyre këtë përcaktim!!!

Aq më tepër sipas kushtetutave të vendeve më të zhvilluara evropiane, feja është pjesë përbërëse e shtetit, si në rastin e Britanisë së Madhe, Suedisë, Danimarkës, Norvegjisë (edhe pse jo anëtare e BE, e kam marrë shembull si vend mjaft i zhvilluar), etj.

P.sh. në Britani të Madhe Mbretëresha bashkon pushtetin politik dhe atë fetar njëherësh duke qenë edhe mbretëreshë e vendit edhe shefe supreme e kishës angleze, e poashtu çdo mbret apo mbretëreshë detyrimisht duhet të jenë të besimit protestant. Njëherit, peshkopët e kishës Angleze, kanë ulëse të rezervuara në Dhomën e Lordëve të cilat vende iu takojnë pa qenë të votuar.

Poashtu edhe në Suedi kemi situatë të ngjashme ku me aktin e suksesionit mbreti duhet t’i takoj rendit Lutherian (të krishterimit). Ndërsa në Danimarkë, neni 4 i kushtetutës përcakton se Kisha Ungjillore Lutheriane është kisha e shtetit dhe si e tillë, ajo do të mbështetet nga shteti. Kurse neni 6 specifikon fenë e mbretit i cili duhet të jetë anëtar i Kishës Ungjillore Lutheriane. Situatë të ngjashme kemi edhe në Norvegji ku neni 4 i kushtetutës përcakton se mbreti duhet të jetë i besimit Evangjeliko-Lutherian dhe neni 16 përcakton Kishën Norvegjeze dhe Kishën Evangjeliko-Luteriane si kisha të shtetit. Është interesant se asnjëra nga këto vende demokratike nuk shquhen si teokratike edhe përkundër përcaktimit fetar të shtetit, sepse feja është vlerë e qytetarëve të secilit vend. Vallë, pse te ne duhet të kuptohet feja ndryshe nga vendet tjera.

Besoj nuk e teproj me mëdyshjen time kur e shtroj pyetjen: Kah po shkon Kosova? Dhe a është kjo një përpjekje që gradualisht Kosovën ta shpien kah ateizmi?! Nëse jo atëherë: Përse politikanët tanë para pesë viteve zgjodhën pikërisht variantin e shtetit të vetëm evropian që Kosovën ta quajnë shtet laik, e kjo mendoj ka ndodhur pa i shikuar rrethanat të cilat kanë çuar Francën që t’i përmbahet asaj shprehje dhe pa krahasuar me rrethanat dhe traditën e vendit tonë. Madje është përdorur edhe një hile juridike gjatë përpilimit të kushtetutës. Në versionin anglisht dhe serbisht Kosova është përcaktuar si ‘shtet sekularë’ ndërsa në versionin shqip ‘shtet laik’. Tani që dallimin e këtyre dy termave e bëmë të qartë është normle por dhe kam të drejt të shqetësohem. Pse ndodhi kjo, rastësisht apo qëllimisht?! Nuk besoj se rastësia ndodhë kur përpilohet një dokument kaq i rëndësishëm.

(Autori është magjistër i shkencave juridike, njëherit deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës)

 


Më të komentuarat