Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Të tjerë

 

Liria e medias të jetë e paprekshme

Prishtinë, ((Fadil Bajraktari)) 03 Maj 2012 23:02

Fjala e mbajtur nga kryeredaktori i Agjencisë së Pavarur të Lajmeve Kosovapress, Fadil Bajraktari, me rastin e shënimit të 3 Majit - Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave.

Përshëndes organizatorët e këtij takimi dhe të pranishmit, nga i cili debat shpresoj të dalin ide dhe konkluza të nevojshme për avancimin dhe zhvillimin e medieve dhe lirisë së të shprehurit.

Po ashtu, shfrytëzoj rastin që të përshëndes Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës dhe kryeredaktorët e medieve, për iniciativën, për të bojkotuar prezantimin e punës së institucioneve dhe partive politike gjatë kësaj dite, në shenjë proteste dhe kundërshtimi të neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal, në mbështetje të së cilës iniciativë është dhe redaksia e Agjencisë së Pavarur të Lajmeve Kosovapress.

Në fjalën time do të prezantoj organizimin e punës në redaksi, respektimin e kodit të medieve, njohja e gazetarëve me kodin e medieve të shkruara, praktikat e përditshme të punës, dhe çështja që tani më është kthyer në temën më të debatuar, obligimi i mbrojtjes së burimeve, e cila është pjesë e padiskutueshme e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Duke u nisur nga fakti se në shumicën dërrmuese të shteteve qytetarët u besojnë më shumë medieve se qeverive, parim i punës sonë në redaksi është respektimi i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, si një sistem vetërregullues, i cili është shkruar në harmoni me etikën e gazetarisë më bashkëkohore të vendeve ku liria e medias është në stadin më të kënaqshëm.

Dispozitat e përgjithshme të Kodit: Raportimi i të vërtetës, Prezantimi në mënyrë të barabar të të gjitha palëve që janë pjesë e lajmit apo tematikës, E drejta për t'u përgjigjur, Kujdesi në shkrimet që kanë të bëjnë me personat e akuzuar për vepra penale, Mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve, Raportimi për korrupsion dhe mito, e cila në këtë rast ka të bëjë më shumë me gazetarinë hulumtuese, E drejta e autorëve dhe çështje tjera të etikës së Kodit, respektohen detyrimisht nga redaksia e jonë, duke filluar nga botuesi, kryeredaktori, redaktori, gazetarët dhe bashkëpunëtorët tanë, në varësi të obligimeve që u takojnë.

Pjesëmarrja në takimet mujore të Këshillit të Mediave të Shkruara, përveç trajtimit të ankesave në mënyrë sa më profesionale të mundshme, na jep mundësinë e diskutimit për profesionalizimin e punës sonë, në çështje parimore, se çka do të ishte më e mirë të shkruhej, e çka të mos shkruhej, si të shkruhet, duke diskutuar çdonjëri nga këndi i tij profesional, të cilat konkluzione ideore, pastaj mund t’i bartim në punën e përditshme. Fal punës që bëhet nga të gjithë ne në Këshill, disa tematika dhe çështje, si mënyrë e shkrimit, apo prezantimit, tani i takojnë së kaluarës në mediat tona.

Si agjenci e lajmeve, kemi obligim të dyfishtë në raportimin e së vërtetës. Them të dyfishtë, sepse lajmin ynë i distribuohet klientëve tanë dhe opinionit të gjerë – qytetarëve. Ky fakt na obligon, jo vetëm në respektimin e etikës së gazetarisë, por na ka shtyrë shumë herë të marrim edhe iniciative në të mirë të komunitetit të gazetarisë, si në mbrojtjen e autorësisë së lajmit, pasi që për fat të keq sot lajmi keq-shfrytëzohet në mënyrë ultë nga “mediat pirate”, të cilat pasurohen dhe rrisin biznesin e tyre paligjshëm, të cilën unë e quaj krim ekonomik, pastaj kemi lobuar dhe kemi bërë thirrje të vazhdueshme për heqjen e TVSH-së për mediat, kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë Kodin penal të Republikës së Kosovës të miratuar në Kuvendin e Kosovës, që mban nenet 37 dhe 38, kemi qenë dhe jemi mbështetës të iniciativave dhe thirrjeve të Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës për mbrojtjen e lirisë së të shprehurit, me këtë rast edhe të gazetarëve.

Duke u nisur nga fakti, se gjendja e lirisë së të shprehurit, është edhe tregues i shkallës së zhvillimit të demokracisë së shoqërisë, bëj thirrje që liria e medias në Kosovë të jetë e paprekshme, sepse Kosova është një shtet në zhvillim, pasi përmes mediave profesionale, të zhvilluara dhe të lira, arrimë të kultivojmë tek qytetarët ndjenin humane, rritjen e shkallës së demokracisë, uljen e shkallës së krimit dhe çështjeve tjera, që në shtetet e Evropës së zhvilluar janë pjesë jete të padiskutueshme.

Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës, edhe pse është një dokument obligues në aspektin moral, përmban udhëzimet kryesore të gazetarisë së sotme, i cili nuk do të thoja se është i përkryer, por me vullnetin dhe gatishmërinë e anëtarëve të Këshillit të Mediave të Shkruara, do të ndryshohet dhe plotësohet, në raport më zhvillimin dhe avancimin e gazetarisë, në mënyrë që të vazhdojë të jetë një dokument udhëzues i bërjes së një gazetarie sa më etike.

Duke mos dashur të zgjatëm më shumë, të gjithë gazetarëve ua uroj 3 Majin, u dëshiroj punë të dinjitetshme dhe gazetari kreative.

Ndërsa zyrtarët e institucioneve tona dhe partitë politike, që çdo ditë deklarojnë se parimi i punës së tyre është rruga drejtë Bashkimit Evropian, respektimi i lirisë së qytetarëve, përfshi këtu dhe lirisë së të shprehurit, por nga po këto institucione dhe parti politike hartohen dhe miratohen ligje që ngulfatin zërin e lirë të medieve. Ua kujtoi përgjegjësve të institucioneve, se koncepti evropian nuk është koncepti deklarativ, por hartimi i ligjeve dhe zbatimi i tyre, e të cilat ligje garantojnë liritë dhe të drejtat e njëjta me ato evropiane. Dhe futja e neneve 37 dhe 38 në Kodin penal të Republikës së Kosovës, është tërësisht në kundërshtim me frymën e lirisë së medieve.

Dhe krejt në fund, si një ish-gazetar i raportimit nga vijat e frontit, them se nga ajo që kam mësuar, është se në gazetari nuk ka asgjë më të shenjtë se të thuash të vërtetën, e cila është pjesë e pandashme e konceptit jetësor të shoqërisë, të cilin ne e njohim me fjalën LIRI.

 


Më të komentuarat