Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Të tjerë

 

Servilët dhe steriliteti politik në Kosovë

(Bahri Bivolaku) 22 Janar 2012 15:57

Nëse themi se në Kosovë politika bëhet më tepër për inate nuk themi gjë të re, pasi veprimet inatçore e mbizotërojnë politikën, madje jo vetëm atë në mes të rivalëve politik, por edhe në brenditë e infrastrukturës së vet partive. Kështu ndodhë në gjitha partitë politike, ku veprimi inatçor i ka zënë vendin veprimet racional politik.

LDK-në, dikur forcën politike me mbështetje më të gjerë e shkatërruan veprimet e tilla të inatçorëve të njerëzve brenda saj, e si duket kësaj rruge po shkojnë edhe partitë tjera. Pse po ndodhë kështu ka shumë arsye, por që një ndër kryesoret mendoj të jetë sistemi i mbyllur i organizimit të tyre. Zëvendësimi i veprimtarëve të dëshmuar kombëtar me servil politik dhe pa asnjë bagazh të së kaluarës, padyshim që e bënë edhe një ndër arsyet e mos qëndrimeve për kohë të gjatë të këtyre partive politike në skenën e Kosovës pa thyerje e ndarje. Është e ditur që servilët nuk prodhojnë asgjë, ata vetëm heshtin e miratojnë, madje edhe atëherë kur nuk do të duhej nuk do të ishte në dobi të shefit, të cilit i servilizohen.

Të tillët janë edhe të pambështetje në masë, pasi shoqëria tradicionale në Kosovë vështirë e ka t’i harroj veprimtarët, të cilët punuan për lirinë e vendit për t’i adhuruar servilët e interesgjinjët pa asnjë koncept të qartë politik a kombëtar. Servilët janë steril politik, të cilët nuk i duhet askujt, pasi ata vetëm interesi i eksiton rrejshëm. Qëndrimet e tilla të partive tona politike karshi veprimtarëve dhe meritokratëve fuqizohen lëvizjen Vetvendosje, pasi një numër i veprimtarëve kombëtar të indinjuar me pozicionet që kishin në parti dhe loja që u bëhej u detyruan të braktisin partitë e tyre për t’iu bashkuar kësaj lëvizje jo gjithnjë me dëshirën e tyre dhe tani padyshim që ka veprime inatçore si reaksione herë-herë jo të racionalizuara. Kodi i politikës dhe ai i moralit duhet të përafrohen mes veti e jo të mos flasin siç po ndodhë në organizimet e partive tona politike.

Shpërndarja e të mirës publike brenda këtyre partive por edhe pushtetit duhet të jetë proporcionale në interes të të gjithëve e jo brenda një grupi të caktuar e aq më pak të një grupi servilësh steril të politikës. Opinioni publik madje edhe ai lokal nëpër komunat e Kosovës mat veprimin politik, por edhe sistemor me ndihmën e kritereve morale. Ai sheh se kush po punësohet e përfiton, sheh familjarët e politikanëve servil në jetën luksoze karshi veprimtarëve, të cilët vazhdojnë të përballen me jetën e vështirë sociale. Sheh se si po injorohen nga ata që i votuan e i mbështetën, gjersa përfitojnë të tjerët.

Nga të revoltuarit e tillë s’ka pse mos të presësh veprime politike inatçore dhe jo të arsyeshme, pasi të rrallë sot janë ata që përkundër gjendjes së tillë mbesin besnik partisë së mbuluar me servilë e steril të politikës. Mendoj që në Kosovë ka ardhur koha që partitë të tentojnë të kthehen anëtarëve të saj e jo që ato të jenë karrem për liderët qofshin ata lokalë a qendror. Vonesat në ndërmarrjen e veprimit të tillë do të thelloj edhe më hendekun dhe do të rrisë vargun e të zhgënjyerve e me këtë edhe veprimet inatçore kundrejt gjithçkafit duke kërkuar e gjetur rrugën si shpëtim por dhe mjet të realizimeve të aspiratave të përgjithshme e personale që shpeshherë dinë mos të jenë racionale.

 


Më të komentuarat