Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Të tjerë

 

Shteti lindi në radhë të parë për të ruajtur jetën e familjeve

Prishtinë, (Shkruan: Avdi Ibrahimi ) 05 Dhjetor 2011 18:46

Shteti demokratik nuk është i individit, as i partisë, as i organizatës. Shteti si nocion përmbledh te gjitha institucionet juridikisht të ngritura me vullnetin dhe përkujdesjen e gjithë shtetasve. Shteti ngrihet mbi Kushtetutën dhe ligjet demokratike të një vendi, e jo si në rastin e Kosovës, ku kemi një Kushtetutë të Ahtisarit, kushtetutë kjo që nuk është në përputhje me interesat e shumicës së shqiptarëve. Shtetarët nuk janë Zotër të shtetit siç po sillen pushtetarët tanë, por janë shërbëtorë të tij.

Shteti i Kosovës nuk është i Athisarit, as i të huajve, as i kryeministrit, as i partive politike, as i presidentit, por është i çdo shtetasi dhe i të gjithëve së bashku, pasi interesave tona kombëtare shqiptare duhet t’u shërben.

Shteti është një tempull i shenjtë i kombit, por janë qeveritarët me qëndrimet e tyre që e njollosin këtë tempull.

Në një shtet, ku qeveritari nuk drejton me arsyeshmëri dhe me motiv të ndershmërisë, që ai shtet nuk ka as fuqi ekonomike për t’u zhvilluar, ku kërkesat e qytetareve për liri e punë është aq e madhe, siç është Kosova, në të ardhmen e afërt ka gjasa të minohet qeverisja e shoqërisë, të papunët dhe të pakënaqurit nga keqqeverisja, mund të dalin jashtë kontriollit qeverisës, kur tashmë të gjitha sondazhet flasin se Kosova është në shkallën e lartë të korrupsionit.

Në këtë formë të qeverisurit e shtetit mbisundon lakmia, të shpjegohet më saktë kjo është lakmi për fitime, merita dhe pasuri nga hiçi i tyre i mëparshëm, ani pse këta qeverisës për çdo ditë nëpër mediume mediale e kanë gojën plot demokraci, që nënkuptohet si një qeverisje kinse popullore ose të qeverisurit nga shumica.

Po të ishte kështu, atëherë prioriteti i parë i kësaj politike do të duhej të ishte qeverisje e drejtë, qeveritari do duhej të karakterizohej nga drejtësia e të mos përvetësuarit të parasë publike, të mos abuzoj me pushtetin, të mos grabis ar dhe argjend, nuk duhet të grabis vlerat artistike kombëtare shqiptare, nuk duhet të grabis pasurinë e patundshme të atdheut të tij, ku qeveritari nuk do duhej të ishte i pabesë, nuk duhet të thyen betimin e premtimin e dhënë, kam përshtypjen time se aktualisht populli shqiptar është duke u qeverisur nga qeverisje të padrejta dhe të pa përkryera në drejtimin shtetëror, ku personalitetet përkatëse nuk e bëjnë punën sipas aftësive që kanë?

Kjo mënyrë e të qeverisurit ku ne po jetojmë e po shohim çdo ditë vjen nga një klasë oligarkie. Megjithëse “oligarki’ do të thotë zotërimi i pakicës, kjo është një formë shteti, që po bazohet në njerëz të pasur dhe të pasuruar nga hiçi.

Siç mësojmë nga e kaluara historike qeveritarët lokal shqiptar ankoheshin tek perandoria e Turqisë në Stamboll, në lindje, pa çka se kjo perandori ishte pushtuesja e lirisë shqiptare. Kurse tani qeveritarët tanë kanë ndërruar drejtimin, ankohen ose këshillohen në Bruksel, në perëndim, që nëpërmjet politikave ndërkombëtare të UNMIK-ut dhe EULEX-it, ne po përjetojmë çdo ditë shtypjen e lirisë shqiptare.

Ndërsa qeveritari ynë po sillet sikur ai është gjithçka, ndërsa të tjerët janë një hiç, kundrejt tij. Ky qeveritar harron se familja ekziston, së pari, për të ruajtur jetën. Shteti lindi në radhë të pare për të ruajtur jetën e familjes dhe të popullatës, të cilët nuk janë të vetëmjaftueshëm, për një kohë të gjatë ta ruajnë kombin. Përtej këtij qëllimi ekonomik, funksioni i shtetit është që të siguroj të mirën materiale të njerëzve në nevojë, funksionimi i shtetit është që të siguroj të mirën e njeriut në shkallën më të lartë, jetën e tij morale dhe intelektuale. Çdo jetë është një vlerë. Të jetosh do të thotë të kesh vlerë. Këtë mbase e kanë mësuar politikanët.

Prandaj nuk duhet të gënjehemi nga gazeta që u shërben politikanëve ditor, nuk duhet të gënjehemi nga televizioni qe punon dhe financohet nga qeveritari, nuk duhet të gënjehemi nga diplomat të paguar qe të bardhën e bëjnë të zezë dhe të zezën të bardhë.

Qeveria dhe qeveritarët gjykohen nga puna dhe te arriturat e tyre në të mirë të përgjithshmes sonë mbarëkombëtare shqiptare dhe jo nga fjalët e gazetës, televizionit dhe diplomatëve. S’kemi asnjë arsye të jemi skllevër, duke menduar se “këtë qeveri e do bota”. Bota ka qëllimet dhe planet e veta për shqiptarët në përgjithësi, qeveritari s’ka pse punon për llogari të botës, por ai duhet të punojë e veprojë vetëm për llogari në të mirën mbarëshqiptare.

E si t’u besohet qeveritarëve aktual se janë duke punuar e vepruar për të mirën e përgjithshme kombëtare, kur në mbarë trojet shqiptare mungon një politikë strategjike mbarëshqiptare, shqiptarëve u mungon puna, u mungon me orë të tëra për çdo ditë energjia elektrike dhe uji për pije, u mungon mirëqenia sociale…ndërsa qeveritarët tanë dhe të afërmeve të tyre edhe gjeli u bënë vezë thotë urtia popullore, ata i kanë të gjitha me shumicë, pa çka se kjo është një pakicë njerëzish, në krahasim me shumicën njerëzore, që jemi varfëria, jemi mjerimi, por jemi jeta që duhet ta ndryshojmë të ardhmen tonë.

 


Më të komentuarat