Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Salih Kabashi

  foto

Kosova ndoshta më shumë se Shqipëria duhet t'i gëzohet shembjes së Sali Berishës

(Salih Kabashi) 27 Qershor 2013 23:10

Në Tiranë të dielën u zhvilluan zgjedhje. Sali Berisha i lau me gjakun e të tjerëve e në fund edhe me lotët e tij. E tmerrshme. Pikëlluese të thuhet, por përgjakja pritej të ndodhte edhe në këto zgjedhje, sepse këto po i organizonte dhe në to po merrte pjesë ish-presidenti dhe kryeministri i deritashëm i Shqipërisë, disaherë i dëshmuar si vrasës i shqiptarëve.

Në kontigjentin e shqiptarëve të vrarë gjatë sundimit të Sali Berishës bëjnë numrin e trishtshëm edhe kosovarë. Janë të panumërt kosovarë të shtruar në dru nga SHIK-u i Berishës dhe Gazidedës. Biznesi i kosovarëve në Shqipëri gjatë sundimit të tij të gjatë ka qenë më i pasigurt se sa ka qenë po ai biznes në Serbi në kohën më të egër të tërbimit antishqiptar millosheviqian.

Plaçkitja, grabitja e dhunimi i kosovarëve përgjatë qëndrimit dhe udhëtimit nëpër territorin shqiptar, kur të shtrënguar nga halli i okupimit detyroheshin që përmes Maqedonisë e Malit të Zi të arrijnë në Kosovë dhe anasjelltas, në kohën e Presidentit Bersiha ka qenë e lejuar institucionalisht dhe e padënueshme ligjërisht. Ishte koha e krizave e luftërave në ish-Jugosllavi. Shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë kishin shpresa te "shteti amë" dhe te "presidenti i gjithë shqiptarëve", por atyre u doli fjala e urtë se shpesh ku është uzdaja aty është murtaja.

"Prokosovarizmi" e "dashuria" e Sali Berishës në epokën e gjithëfuqishmërisë prej sundimtari në Tiranë, njeh shembuj djemsh të Kosovës të djegur për së gjalli në zjarr si dhe të grabitur e të zhdukur nga struktura të sigurimit shtetëror.

Regjimi i Sali Berishës ka qenë veçmas i egër dhe i pa besë ndaj atyre njerëzve të devotshëm të përpjekjeve për lirinë e Kosovës, të cilët si idealistë dhe atdhetarë të kulluar patën iluzionin se në vendin e tyre amë do të mund të përgatiteshin për luftën e domosdoshme që po i afrohej vendit të tyre. Janë të shumtë ata që Berisha arrestonte edhe pse ata njerëz fare të thjeshtë e të varfër nëpër kafe-qymeze të Tiranës kishin ndrruar ndonjë llaf mbi domosdoshmërinë e përgatitjeve për luftën kundër Serbisë okupatore.

Sali Berisha dhe regjimi i tij ka pas ndjekë, pasi së pari i kishte futur në burg, të gjithë ata që më vonë u bënë udhëheqës kryesorë të luftës në Kosovë.

Ky prokosovar i rrejshëm ka manipuluar shumë me karakterin fisnor-klanor të Kosovës dhe me lidhjet më shumë të shpifura se sa reale familjare mes vendlindjes, fisit e derës së tij dhe disa familjeve veçmas në Rrafsh të Dukagjinit, folklorizmi i të cilave sikur kishte nevojë për ndonjë lidhje fisnore e fisnikërie me një "president".

Sali Berisha ka qenë dhe ka ngelë një njeri i pabesë.

Me Kosovën pos pabesisë ka treguar edhe mosmirënjohje. Njerëzit duhet ta dijnë se pa ndihmën finaciare dhe teknike të kosovarëve në Perëndim partia e tij do të mbetej opozitë e Partisë së Punës deri në ditët e sotme. Kosovarët e LDK-së e patriotë me e pa përcaktim partiak derguan mbi njëqind makina nga Zvicra e Gjermania për nevojat e PD. Pa llogaritur këtu qindra telefaksa, fotokopjues e material logjistik. Pa llogaritur qindra mijëra marka, dollarë e franga dorëzuar vetë Berishës dhe rrallëherë tjetërkujt.

Kosovarët kanë veshë e mbathë për herë të parë tamam evropçe gati krejt keun e PD-së dhe vetë Sali Berishën, bashkëshorten dhe familjarët e tij. E kujtoj me këtë rast të ndjerin veprimtar preshevar, Hasan Kadriu nga Valisi i Zvicrës kur ai me paratë e tij nëpër butiqet më të shtrenjta helvetike i blinte Sali Berishës edhe nga gjashtë palë rroba, siç thuhet - nga këpuca deri te kapuçi.

Ndër kosovarë mbretëronte bindja se duhet forcuar Shqipërinë, sepse ajo pastaj ndihmon e shpëton Kosovën. Ata njerëz të mirë e naivë nuk dinin se asodore po majmnin një bandë antikosovarësh, antitoskësh e veçmas anishqiptarësh ortodoksë. Kosovarët pa vetëdije ndihmuan në përgatitjen e vitit të përgjakshëm 1997 në Shqipëri. Sali Berisha si njeri i pabesë vazhdimisht ushqeu me fjalë e goditi fshehtas me vepra si serbi e në bashkëpunim me Serbinë gjithë embrionet luftarake e pacifiste për çlirimin e Kosovës.

Sali Berisha ka qenë i pabesë ndaj Ibrahim Rugovës. Sali Berisha ka manipuluar në mënyrën më të pabesë me Adem Demaçin. Sali Berisha e ka luftuar me krejt mekanizmin e propagandën shtetërore Rexhep Qosjen. Sali Berisha ka qenë armik i egër i UÇK-së.

Kur kujton këto nuk ke si të mos habitesh me njerëzit e mirë të Kosovës që sot vajtojnë ikjen nga pushteti dhe ndëshkimin me votë popullore të hasmit të tyre faktik.

Ashtu siç po ikën Sali Berisha nga politika shqiptare, edhe shqiptarët e Kosovës duhet të tranden e të ikin nga Sali Berisha. Ai që ishte aq i zi për Tropojën dhe Shqipërinë e tij nuk mund të ishte i mirë për Kosovën.

Arben Gashi, deputet i LDK-së në Parlamentin e Kosovës, të dielën ka votuar në Tiranë për anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë. Ai ka bërë një gjest të turpshëm. Ka treguar se ai nuk beson në ekzistencën e Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur. Ai dhe kosovarët tjerë që u dyndën më 23 qershor drejt kutive të një elektorati tjetër, megjithatë të një shteti tjetër, uroj të jenë njerëzit e fundit që do të bëjnë veprime të tilla të çuditshme, të pandershme e të turpshme.

Ikjes së përçarësit dhe vrasësit të shqiptarëve, ikjes së Sali Berishës, duhet t' i gëzohen edhe Shqipëria edhe Kosova edhe Maqedonia. Kosova ndoshta më së shumti.

 


Më të komentuarat