Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Salih Kabashi

  foto

Vdiq babai dhe heroi i Universitetit të Tetovës

Prishtinë, (Salih Kabashi) 12 Shkurt 2013 07:36

(Ai Universitet duhet ta marrë pa vonuar emrin e themeluesit e të rektorit legjendar.).

Fadil Sulejmani themeloi dhe për shumë vite edhe udhëhoq Universitetin e Tetovës.

Në nismën dhe në këmbënguljen e tij për të ngritur Universitet në Teovë nuk pati shumë shokë.

E pat shpallë të jashtëligjshëm dhe e pat dhunuar e përgjakur sistematikisht qeveria maqedonase, në të cilën kishte edhe shqiptarë.

E shikoi me përbuzje e ashtuquajtura elita politike dhe kulturore shqiptare e Maqedonisë. Kundër hapjes së këtij universiteti ishin edhe figura si Ismail Kadare dhe Arben Xhaferi. I dyti e donte dhe fillimisht i dukej i mjaftueshëm Universiteti eksistues maqedonas i Shkupit, ku do të hapej ndonjë degë në gjuhën shqipe. Kundër Universiteit të Tetovës ishte edhe elita politike dhe në një masë të turpshme edhe ajo kulturore e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Është e çuditshme, ndoshta jo: titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës e mori Ismail Kadareja, ai që ishte kategorikisht kundër themelimit e funksionimit të tij! Ismail Kadareja që i shihte aq me përbuzje dhe që i konsideronte gati-gati joshqiptarë ata që donin liri e universitet shqiptar në Maqedoni!

Kundër Universitetit të Tetovës patën qenë edhe disa nga politikanët shqiptarë në Maqedoni. Ishin kundër ata që më vonë u bënë faktorë politikë në Shkup. Kur Universiteti i përgjakur u bë realitet, po këta ngarendën që atje të ndrrojnë rektorin, stafin udhëheqës dhe profesorët në mënyrë që vetes t'i sigurojnë diploma fakulteti me studime njëmujore si ato diplomat te Plepat në kohën e presidencës së Berishës në Tiranë...

Fadil Sulejmani e pati shumë vështirë. Pat deklaruar pak më vonë me dhimbje se më shumë telashe i kishin nxjerrë e më shumë kurthe i kishin ngritur atij dhe Universitetit disa nga intelektualët e politikanët shqiptarë se sa vetë pushteti sllav i Shkupit...

Për universitetin e Tetovës dhe mëkëmbjen e tij është derdhur gjak. Ky universitet ka dëshmorin e tij, Abdylselam Eminin, të riun e vrarë nga policia maqedonase në demonstartën kundër mbylljes e ndalimit.

Ndërsa babai dhe Heroi i këtij Universiteti ishte dhe mbetet Fadil Sulejmani.

Në 18 vjetorin e hapjes ai pat deklaruar:

" Ky universitet ka një histori sa të lavdishme e të bujshme aq edhe të hidhur e të dhimbshme, meqë për lindjen dhe ngritjen e këtij universiteti shqip u derdh shumë lot, gjak e djersë; pati shumë shpenzime financiare dhe dëme materiale, maltretime, ndjekje, rrahje, arrestime, izolime, burgosje dhe vrasje të shqiptarëve; u bastisën, u plaçkitën dhe u rrënuan shumë shtëpi të tyre vetëm e vetëm pse ne deshëm të mësojmë, të lexojmë e të shkruajmë në gjuhën tonë amtare shqipe."

Fadil Sulejmani ka qenë profesori im i Sintaksës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më vonë u bëmë miq dhe bashkëpunëtorë. E kam pasë për krenari afrinë me të. Revista ime "Republika", pas themelimit të Universitetit të Tetovës, në mbështetje të votave të lexuesve profesor Sulejmanin e pat shpallë Personalitet të Vitit.

Profesori Fadil Sulejmani vdiq dhe në Tetovën e tij u varros ditën e hënë të 11 shkurtit. Ai do të ngelë i pavdekshëm me kryeveprën e tij me rëndësi hisotorike kombëtare, Universitetin e Tetovës.

Ai Universitet duhet ta marrë pa vonuar emrin e themeluesit e të rektorit shumëvjeçar.

 


Më të komentuarat