Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Salih Kabashi

  foto

Uzbunat e panevojshme të Jusuf Buxhovit

Prishtinë, (Salih Kabashi) 13 Dhjetor 2012 10:16

Historibërja e Jusuf Buxhovit si pasojë e shkruarjes vrik e shkeleshko, ka mbetë e cektë dhe e folklorizuar deri në groteskë. Ajo, fatkeqësisht po bëhet ushqim për një nacionalizëm ksenofob dhe një patriotizëm shovinist.

Figurat, ngjarjet e periudhat e ndryshme historike, në vend se t'i ndriçojë përmes punëve serioze shkencore e arkivore dhe nëpërmjet paanshmërisë politike e ideologjike, ky autor i mjegullon edhe më shumë, i legjendarizon duke i bërë përralla me të cilat më nuk mund të zbaviten as fëmijët.

Ai i ka hyrë shkruarjes së historisë me një afsh të dëmshëm për shkencën. Ai shkruan histori me zjarmi romantike, atdhetare e fetare. Jusuf Buxhovi don të bindë shqiptarët se ata dhe vetëm ata ishin atje ku filloi e e mori rrugë historia. Açik krejt popujve të botës, shqiptarët e historisë buxhoviane paskan njohur e shënuar vetëm ngjitje. Ai don të na bindë se populli ynë, më i njohuri i Evropës dhe botës (!), gjatë gjithë ecjes së tij nëpër milenarë e shkekuj, asnjëherë nuk paska shënuar ndonjë rënie as stagnim...

Historia shqiptare e Jusuf Buxhovit është një mishmash fabulash të mbështetura në asgjëfare. Duke iu mveshur shqiptarëve, ilirëve e pellazgëve origjina mitike, hiperprestigjioze e hyjnore, ai s'ka dyshim ndihmon shumë në tejkarikaturimin edhe ashtu të mjeruat të historisë shqiptare dhe të Kosovës.

Para pak ditësh Jusuf Buxhovi, sikurse edhe një vit e ca më parë kërkoi që t'i rrinin në krahë instancat më të larta të pushtetit e të politikës në Kosovë. Në mosmarrëveshjet, rivalitetet apo në xhelozitë e tij kundër Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ai ra atje ku nuk do të duhej kurrë të lejonte veten që të gremisej. Të kërkosh ndërmjetësim, edhe më keq, të lypësh publikisht ndihmë për vete dhe shkatërrim për tjetrin, në kohë të sotme, kjo don të thotë se ke bërë një gjumë të thellë apo ke qenë në një koma përgjatë 20 e kusur vjetëve të shkuara dhe se tash je zgjuar pa ditur se më nuk është në fron Komiteti i plotëfuqishëm i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë me figurat e gërditshme e të frikshme të Sinan Hasanit, Kolë Shirokës dhe Ali Shukrisë, as UDB-ja me shefin e saj krahinor, Rrahman Morinën.

Edhe vjet kur u alarmua nga deklarata të ambasadores së Turqisë në Kosovë, as sivjet kur kundërshtoi dhe e quajti komplot serb pranimin në Akademi të Oliver Jens Schmittit, ai nuk veproi si intelektual e shkencëtar. Atij i takonte t'i shkruante letër jo Hashim Thaçit po drejtëpërdrejtë amasadores apo ministrit të jashtëm turk, apo të dëshmonte përmes një shkrimi autorial lajthitjet eventuale të përfaqësuesve të Ankarasë për deformimet e dyshuara në tekstet e historisë në Kosovë. Jusuf Buxhovi edhe sivjet evitoi konfrontimin shkencor me Oliver Jens Schmittin, duke dhënë një uzbunë (nga serb. alarm).

Të mos dish të rrëfesh histori edhe mund të jetë diçka që shikohet mes gishtash, ndërsa të zgjedhësh denoncimin si mjet për t'i hapur shteg vetes e për t'u mbyllur të gjithë të tjerëve, kjo pamëdyshje paraqet një vetëzhburrrnim të dhimbshëm e të përhershëm.

Si ka mundur ta bëjë një gjë të tillë një njeri i cili pothuajse tridhjetë vite të jetës së tij ka kaluar në Gjermani?! Me ta marrë mendja se ai atje ka shkuar dhe ka jetuar intensivisht vetëtëm me Jugosllavinë dhe me nëntë principet e patriotizmit socialist të saj në zemër...

Buxhovi ka kërkuar diçka që atij do t'i konvenonte, por që në ditët tona është e pamundshme të sigurohet: ai do të dëshironte që përmes ndërhyrje partiako-shtetërore atij t'i spastrohej terreni dhe pastaj ai të jetë e të mbetet i vetmi interpretues, i vetmi dhe i pakonkurrenti arbitër suprem i të vërtetave historike, politike, religjioze e kulturore të shqiptarëve. Një pretenciozitet e arrogancë e tillë kaherë nuk është parë.

Vetëm serioziteti e objektiviteti i punës shkencore e jo uzbunat politike mund të ndihmojnë në davaritje të mjegullave mbi historinë e Kosovës. Historibërja e Jusuf Buxhovit si pasojë e shkruarjes vrik e shkel e shko, ka mbetë e cektë dhe e folklorizuar deri në groteskë. Ajo, fatkeqësisht po bëhet ushqim për një nacionalizëm ksenofob dhe një patriotizëm shovinist.

 


Më të komentuarat