Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Salih Kabashi

  foto

S'e kanë për Zogun, për veten e kanë

Prishtinë, (Salih Kabashi) 21 Nëntor 2012 09:43

Problemi mbi debatet rreth zhvarrimit në Francë më 14 e rivarrimit në Tiranë më 17 nëntor qëndron në faktin se shqiptarët fatzinj e fatkëqinj as pas njëqind vjetëve të pavarësisë së shtetit të tyre nuk arritën të kenë asnjë ditë të bardhë dhe as për vetëm një paradite të vetme një shtet normal e funksional.

Në kohën e dashurisë së madhe gati seksuale të dy mjekve, Bujar Bukoshit dhe Sali Berishës, i pari kryeministër shëtitës i Republikës së Kosovës, ndërsa i dyti president i Republikës së Shqipërisë, ndodhnin vrasje të shpeshta nga autorë që nuk zbuloheshin kurrë. Një i njohur imi, shumë i afërt me Bukoshin asokohe më tregonte për një vrasje që lidhej me një trafik të brendshëm armësh e mielli të menaxhuar nga vetë kryeministri kosovar dhe të lejuar nga presidenti shqiptar. I vrari kishte sjellë shumë probleme me dyshimet e denoncimet gojore të atijlloj trafiku. Prandaj e vrau dikush... Nga kush u vra e si u vra i njohuri im nuk e thoshte as unë nuk e pyesja. Ajo që unë e mbajta mend dhe që më dukej trishtuese ishte fakti se politika kishte vajtur deri atje sa ta bindte Haxhi Hafiz Sabri Koçin, kryehoxhën e muslimanëve të Shqipërisë që përmes një qarkoreje interne gojore të vrarin dhe familjen e tij ta linin pa shërbimet e kryerjes së adeteve mortore. Përmes një bojkoti të tillë krejt jolegjitim, asnjë hoxhë i Shqipërisë. nuk guxoi të shkelte fetfanë e Berishës, Bukoshit dhe të Sabri Koçit.

Rrëfimi jopak krekosës i këtij të njohurit tim bukoshist, më shumë se me rrëfimin për vrasjen e një të panjohuri më kishte trishtuar me morbiditetin e paimagjinueshëm të bojkotit edhe nga ana e një kleriku musliman i cili edhe vetë kishte kaluar dekada në burgun komunist. Në të gjitha vendet dhe popujt e civilizuar të botës, në të gjitha fetë monoteiste a budiste, edhe ndër ateistë.... ekziston një pietet i vetëkuptueshëm për të vdekurin, pa marrë parasysh sjelljen e tij në jetë apo çfarëdoqofshin rrethanat e vdekjes së tij.

Prandaj, zhvarrosja në Paris, sjellja këto ditë dhe rivarrosja e eshtrave të Ahmet Zogut në Tiranë më duket diçka krejt normale dhe civilizuese. Këtë të drejtë duhet ta kenë të gjithë ata shqiptarë apo joshqiptarë nga Kosova e Shqipëria që në periudha të ndryshme dhe për shkaqe poashtu të ndryshme ende kanë varret e tyre në varreza të huaja e vende të tjera.

Problemi mbi debatet rreth zhvarrimit në Francë më 14 e rivarrimit në Tiranë më 17 nëntor qëndron në faktin se shqiptarët fatzinj e fatkëqinj as pas njëqind vjetëve të pavarësisë së shtetit të tyre nuk arritën të kenë asnjë ditë të bardhë dhe as për vetëm një paradite të vetme një shtet normal e funksional. Mbi shqiptarët e këtyre epokave që njohëm, pamë e po shohim të qëndrojnë njerëz të kualiteteve tmerrësisht të ulta njerëzore. Këta, tash po e shohim, janë në gjendje të manipulojnë jo vetëm me të gjallët por edhe me të vdekurit. Të manipulojnë e të spekulojnë.

Sali Berisha një antizogist krejt lehtë i dokumentueshëm, papritmas bëhet tellallxhiu më i zjarrtë i Zogut që dje e shante, pështynte dhe e përbaltëte. Pse!?

Fatos Nano pat shpërblyer krejt dorëlirshëm Leka Zogun me kthim pronash të të jatit. Sali Berisha vazhdoi shpërblimet dhe nisi edhe me rehabilitimin e Mbretit ikanak. Ai tash në figurën e Ahmet Zogut, vetes dhe Skënderbeut i gjeti të tretin.

Pseja e kësaj saltomotaleje të dy komunistëve aktiv deri në grahmat e fundit të komunizmit, këto shpërndrrime të Sali Berishës e të Fatos Nanos më duken të thjeshta, të qarta dhe të shpjegueshme:

Duke qenë se Fatosi e Saliu kanë shkuar aq thellë në plaçkitjet e tyre dhe në pasurimin e familjeve dhe të klaneve të tyre, ata tash kanë nevojë për një "kulturë" të re të sjelljes me të kaluarën edhe kur ajo mund të jetë kriminale. Duke rehabilituar Ahmet Zogun, ata sigurojnë paprekshmërinë ligjore, politike e pronësore në të nesërmën e tyre jashtë politikës, jo vetëm të tyre po edhe të pasardhëve dhe bashkëvjedhësve të tyre të sotëm.

Kështu ua shoh llogaritë.. Sadoqë hesapet nuk dalin gjithmonë. Me kso hane, siç thonë në Pejë, rehabilitimi edhe i Enver Hoxhës dhe i gjysmë shekulli të sundmit të tij nuk do të presë gjatë. A do ta bëjë atë rehabilitim Sali Berisha apo ndonjë socialist,kjo ka pak rëndësi. Kryesorja se edhe me atë rehabilitim të supozuar do të amnistohen në të ardhshmen e afërt e të largët këta që rrahën, hodhën në ajër, mbytën në det dhe që vranë njerëz, edhe në demokraci, pas rrëzimit të dikataturës.

 


Më të komentuarat