Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Salih Kabashi

  foto

Nobeli letrar katundarit kinez me pesë vjet shkollë

Prishtinë, (Salih Kabashi) 22 Tetor 2012 06:47

Çmimi Nobel për letërsi nuk solli befasi të madhe. Shkrimtari kinez Mo Yan në të gjitha parashikimet e gazetave dhe në sondazhet e kryera gjatë shtatorit dhe në fillim të tetorit figuronte lart në tabelën e fitimtarëve të mundshëm. Akademia Mbretërore Suedeze në veprën e autorit të shpërblyer të enjten e 11 tetorit njohu tipare të "realizmit halucinator", përmes të cilit ai "ka bashkuar rrëfimet popullore, historinë dhe bashkëkohësinë".

Mo Yan është shkrimtari i dytë kinez që merr çmimin më prestigjioz letrar në botë. Në vitin 2000 me çmimin Nobel ishte stolisur kinezi me banim në Francë, Gao Xingjian, por ai kontestohet në vendin e tij. Kina zyrtare nuk e njeh Xingjianin si nobelist kinez, por francez. Ndërsa shkrimtarët e artistët disidentë kinezë, Mo Yanit, të shpërblyerit të tashëm, i mohojnë çfarëdolloj disidence. Ai ka të shkruara mbi 80 romane, novela, kritika letrare, reportazhe, ese... Ka një roman, "Djath i kuq" (Hong gao liang), i ekranizuar nga regjisori Zhang Yimou.

Përkundër kritikave për mungesë disdence, vendimmarrësit e ndarjes së çmimit në veprën e Mo Yanit megjithatë kanë gjetë mjaft "subversion".

Mo Yan është tregimtar ngjarjesh me frymëzim nga katundi i tij i lindjes Gaomi në krahinën Shangdong. Edhe duke jetur në Pekin, ai katund i vogël dhe fukara sot e kësaj dite ka mbetur atdheu i tij letrar dhe vendndodhja e shumicës së veprave të tij.

Shkrimtari tashmë nobelist ka lindur më 17 shkurt 1955 dhe quhej Guan Moye. U rrit në varfëri të madhe, prandaj nuk bëri më shumë se pesë vite shkollë. Fillimi i shkrimeve të tij daton nga viti 1981, kohë kur ai ishte në shërbim ushtarak. Nga po ajo periudhë është edhe emri Mo Yan me të cilin ai nënshkruan të gjitha veprat e tij. Mo Yan don të thotë "ai që nuk flet". Pas dy romaneve të tij të njohur "Trembëdhjetë hapat" (1995) dhe "Republika e akoolit" (2000), veprat e tij më të njohura janë: "Gjinj të mëdhenj e vithe të gjera" (2004), "Jeta dhe vdekja më bartin përjashta", etj. Mo Yan është themelues i Lëvizjes letrare "Kërkimi i rrënjëve".

Kur së pari mundi të lexonte përkthimin në kinezisht të veprave të Gabriel Garcia Marquezit dhe të magjik-realistëve të tjerë, siç ka thënë vetë, e kuptoi se mund të shkruhet lirisht. Nobelisti kinez ka pranuar ndikimin në krijimtarinë e tij të shkrimtarëve Günter Grass, D. H. Lawrence, Ernest Hemingway dhe Lev Nikolajeviç Tolstoj. Shumë nga librat e tij janë të përkthyera në gjuhë të huaja.

Kritika kineze nganjëherë e ka cilësuar si "një shkrimtar rural që jeton në qytet", ndërsa ndonjëherë dhe si "Faulkner kinez".

Disa thonë se Mo Yan me sjelljen përballë censorëve partiakë i ka qëndruar besnik pseudonimit të tij. Shembull i ujdisë me censorët është edhe largimi i tij në vitin 1999 nga Panairi i librit në Frankfurt në shenj proteste ndaj pranisë së autorëve disidentë kinezë, Dai Qing dhe Bei Ling. Sivjet në qershor ishte i pranishëm në 70 vjetorin e fjalimit të Mao Ce Dunit, ku udhëheqësi i madh kinez kishte përcaktuar normat e realizmit socialist në krijmtarinë letrare dhe ku kishte filluar ndjekja politike e atyre që nuk silleshin në përputhje me doktrinën e tij.

Ka tri dekada qyshse ky shkrimtar lëviz kufijtë letrar kinezë. Eksperimentimet e tij letrarë tundojnë kufijtë e asaj se sa është e lejuar doza e satirës shoqërore e politike në Kinën komuniste. Satira dhe imagjinata e kanë ndihmuar shkrimtarin që t'u shmanget ndëshkimeve më serioze me të cilat janë ndeshë ata shkrimtarë të cilët në veprat e tyre e kanë kritikuar haptas partinë komuniste. Për shkak të shkrimeve të tij Mo Yan disa herë është ftuar në biseda informative, ndërsa disa nga veprat e tij përkohësisht edhe janë hequr nga shitja.

Në një intervistë ai ka deklaruar se edhe në gjumë atij i flen vetëm një pjesëz truri...

Mo Yan vjen pas suedezit Tomas Tranströmer, fitues i Nobelit 2011. Titulli dhe çmimi aq i ëndrruar dhe i lakmuar nga shumë shkrimtarë nëpër botë shoqërohet edhe me një dotacion prej 900.000 eurosh.

 


Më të komentuarat