Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Salih Kabashi

  foto

Roman kundër frikësimit, nënshtrimit e përbuzjes së gruas

Prishtinë, (Kosovapress) 21 Shtator 2012 10:19

Diaspora shqiptare përditë shton fondin letrar shqiptar. Të ikur shumë herët apo këto vitet e fundit, atje numri i poetëve e prozatorëve, si i skulptorëve e piktorëve dhe shumë figurave të tjera nga fusha të ndryshme të artit e të dijeve po shtohet dita ditës. Nga një distancë fizike por jo edhe shpirtërore, ngaqë siç thuhet atdheu mbahet në shpirt, ata sjellin në veprat e tyre imazhe e pasazhe të Kosovës e të Shqipërisë së djeshme e të sotme.

Numrit të poetëve e të shkrimtarëve shqiptarë në që janë instaluar në dhe të huaj dhe që nga atje veprojnë i është shtuar edhe një emër jo krejt i panjohur, ai i poetës dhe prozatorës së talentuar Mehrije Daci. Kush është Mehrije Daci ? Nga romani i saj Shpellarët, i sapodalë nga shtypi, kuptojmë sa vijon : Ka lindur më 1968 në Shkup në kohën kur familja e saj priste vizat për shpërngulje në Turqi. Fatbardhësisht pas tri vitesh ndodh kthimi në Pejë ku ajo mbaron shkollën fillore dhe të mesme. Në Prizren kryen Shkollën e Lartë Pedagogjike, ndërsa në Prishtinë studjon pedagogjinë sociale ne Faklutetin Filozofik. Ka punuar gazetare, këshilltare për viktimat e dhunës, edukatore, mësuese. Deri më tani ka botuar :

Rri e ndrit terrin (poezi), më 2009, Dukagjini, Pejë.

Prapa mureve (prozë anglisht, gjermanisht, shqip), 2010, Agimi DE, Deçan.

Vargu i absurdit (poezi), 2010, Litografia Gjakovë , libër që mori çmimin letrar të DKRS (Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport) të Pejës. Tash ajo jeton në Gjermani.

Salih Kabashi

Libri Shpellarët i Mehrije Dacit dëshmon dhimbjen dhe revoltën e njeriut të mirë, të ndershëm e të guximshëm. Është një rrëfim krejt tjetërsoj nga produksioni i njohur deritmëtani në prozën e Kosovës. Gjithë zhvillimet, të gjithë personazhet janë figura të regjimit të ri të instaluar me nxitim përmes një legjitimiteti të mangët elektoral dhe të një pranie indiferente ndërkombëtare.

Arena ku ndodh gazi i botës është qyteti në Perëndim të Kosovës, i njohur gjithmonë për qetësinë dhe paqen shembullore. Filli i dramës fillon në Qendrën e Gruas. Atje njëra nga udhëheqëset vë re disa anomali dhe shpërdorime. E stolisur me virtyte morale dhe me ndjenjë të zhvilluar drejtësie, ajo vendos me shumë bindje që institucionalisht të krijojë diga kundër vjedhjeve e abuzimeve.

Ka iluzionin se tashti vendi ishte i lirë dhe se të lira dhe pa ndikime partiake e të grupeve të interesit ishin apo duhet të ishin edhe institucionet e organizmat e hetimeve, të prokurorisë dhe të gjyqeve. Ajo besonte plotësisht se bartësit e funksioneve publike do të duhej të ishin njerëz me responsabilitet e ndershmëri domosdoshmërisht të të lartë.

Tevona ajo u bind se buzë Bistricës pushteti ishte në duar pothuajse kadirovësh putinistë çeçenë e të cilët nga oligarkët rusë e prorusë i dallonte vetëm gjuha që e flisnin. Këta ishin të lidhur ndërmjet veti dhe pasuroheshin çdo ditë e më shumë, ndërkohë që pjesa dërmuese e popullit varfërohej skajshmërisht dhe përditë e më shumë. Në dy brigjet e Bistricës sikurse përgjatë shekullit të kaluar edhe tash shumica absolute shkelej, një pjesë e vogël përgdhelej.

Vjedhjet e institucionalizuara, vrasjet e dirigjuara, imoralitetet e përditshme, obsesionet dhe orgjitë seksuale, korrupsioni kombëtar-ndërkombëtar, analfabetizmi politik, karakurvat e veshura me pushtet e përgjegjësi publike, një shkretëtirë karikaturale kulturore, administratorë e funksionarë komunalë që përditë kryejnë agresione seksuale mbi ato që kërkojnë ndihmë e drejtësi nga ata…, ja kjo është ajo saharaja që ka sjellë regjimi i ri, tek i cili njerëzit kishin varur aq shumë shpresa.

Zhgënjimi i autores nuk ka si të jetë ndryshe pos tmerrësisht i thellë dhe i dhimbshëm. Ajo më në fund kupton se në Qytetin Perëndimor, në qytetin e saj të dashur gjithçka mbahet në duart e ronxhobonxhove që deri dje nuk kishin as lesh mbas veshi, të tregtarëve kontrabandistë, të politikanëve të korruptuar që shoqërohen nga njerëz me precedente penale, me trafikantë droge e mishi të bardhë…

Nga gjithë ky shtrembërim e përçudnim shoqëror në këtë vend është strukturuar një shtresë heterogjene sundimtarësh dhe zingjinash, e cila mbahet në pushtet me marrëveshjen « qytetare »-« katundare » e titisto-uçkiste: le të vjedhim, le të mashtrojmë, le të bëjmë një mijë të zeza, shoqi-shoqin mos ta pengojmë dhe plaçkën le ta ndajmë bashkë... Liria e keqpërdorimeve ka arritur kulmet. Këtu ka vend për gjithçka. Por këtu nuk ka vend për njerëzit e ndershëm e punëtorë. Sidomos nuk ka vend për ata që guxojnë të ankohen e të hedhin dyshime në ndershmërinë e uzurpatorëve, kodoshëve, kurvave e kurvarëve, të horrave e të dilinxhinjve.

Libri i M. Dacit me siguri se do të bëjë jehonën e duhur. Por, janë të vogla shpresat se Bistrica do të ndalë vajtimin e gjamën që asaj ia shkaton deregjia në të cilën qytetin mbui brigje të saj e kanë sjellë dhjetë vitet e transicionit shkatërrimtar e të dështuar. Edhe shpresa se autorja do të jetë e mirëseardhur në kthimin e saj eventual në atdhe, poashtu janë të pakta. As ky regjim i ri nuk i do rebelët që nëpërmjet shkrimesh zbulojnë të vërtetat e hidhura të një epoke dhe të pabërat e pushtetarëve, të cilët shekullit të ri të ëndrrave tona i vodhën më shumë se një dekadë të çmueshme, duke i shkaktuar popullit e vendit dëme kolosale dhe të pariparueshme.

Ata që sadopak njohin garniturën dirigjuese të sotme në Qytetin tonë Perendimor, nuk do ta kenë vështirë të kuptojnë cilët janë tipat që në libër janë dhënë me emra të pazakonshëm si : i këndueshmi, kryekodoshja, ronxhobonxhot, kryeshpellari, ajo që e drodhi, ai që drodhi, ajo që nuk erdhi, i urti dhe i buti…

Shpellarët janë prozë moderne që imponon me sentimenalitetin e njëherit me guximin e shprehjes. Ajo mund të konsiderohet edhe roman fragmentesh të lidhur që përçojnë alarmin qytetar për keqpërdorimet, të zhgënjimit e dëshprimit, siç do të mund të cilësohet edhe si proza e parë në masë bukur të madhe edhe feministe në literaturën tonë.

Mehrije Daci e ka hedhur J'accuse-n e saj. Tashti do të shohim reagimin qytetar dhe reflektimin eventual, gjithsesi pak të pritshëm të vehtjeve të akuzës. Sidoqoftë, libri tash mori rrugë drejt lexuesve të tij.

Autorja e ka shfryer mëllanin e saj. Duke përdorur librin dhe diskursin letrar si armë kundër deviacioneve e deformimeve morale e shoqërore, ajo edhe bën gjestin e rrallë të denoncimit, së bashku me aktin e guximshëm e të pëlqyeshëm dhe deri më tani tepër të mungueshëm moral dhe intelektual.

Pse do të mbahet mend gjatë ky libër ? Sepse autorja idesë së nënshtrimit, frikësimit, dëgjueshmërisë, shfrytëzimit e përbuzjes ka vënë idenë e lirisë e të drejtësisë, të dinjitetit njerëzor, të guximit femëror veçanërisht. Autorja ka bërë një luftë përmes shkrimit me qëllim që nëse nuk mundi vetë, atëherë së paku të tjerët të kenë mundësi të marrin frymë lirisht.

 


Më të komentuarat