Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Salih Kabashi

  foto

Njeriun që e vrau Shqipnia e Keqe

Prishtinë, (Salih Kabashi) 27 Prill 2012 09:42

Ardian Klosi apo fundi i një gjeniu. Deri dje këtu kishim një njeri të cilin e shamë dhe të cilit nuk ia ditëm kimetin.

Me Ardian Klosin ke mundur të pajtohesh ose jo, por nuk ke mundur të mos e vlerësosh mendimin e thellë të tij. Ka qenë i njohuri, jo miku im. E kam takuar për here të parë në mars 1990 në Tiranë. Ishte më inteligjenti nga të gjithë ata që po i takoja. E gjeta njeri që notonte kundrejt valëve. Menjëherë vura re dy gjëra që e shquanin intelektualisht.

Së pari ishte i mendimit se, çfarë blasfemie në atë kohë! rregullat e drejtshkrimit të shqipes duheshin rishikuar duke bërë pak më shumë për gegnishten.

Blasfemia e dytë. Mendonte se Ismail Kadareja më shumë se shkrimtar i madh ishte një kriminel i ndyrë në shërbim të diktaturës.

Intelektualisht ishte gjerman. Me gjithçka çfarë brenda vetes përmban ky formulim. Kishte një natyrë urtaku. Një buzëqeshje e lehtë shoqëruar me një lodhje të pikëllimshme i rrinte e përhershme në fytyrëne e zbehur të tij. E kuptoje menjëherë se ishte njeri i librave, studimeve bibliotekave dhe shkrimeve.

Rezymeja ime e një ndeje me plot muhabete të atyre ditëve në Tiranë, ku ishin edhe shtatë a tetë intelektualë, shkrimtarë, poetë e ish-të burgosur, do të ishte se Ardian Klosi paraqiste pakicë absolute në mos një ujk krejt vetmitar brenda diskursit politik-kulturor që kishte marrë zjarr dhe që ishte bërë sundues.

Klima e asaj kohe Ardian Klosin nuk mund të mos e nxirrte ndryshe pos tradhtar…

As unë nuk pajtohesha me gjithë ato që ai mbronte, por, Zotin e kam dëshmitar: kurrë nuk kisha as më të voglin dyshim në nderin dhe guximin, njerëzillëkun dhe shqiptarësinë e tij të padyshimtë dhe jofolklorike. Më pëlqente urtia dhe jokonformizmi i tij.

Pastaj për një kohë, rreth dy vite ndoshta, nuk ishim në orbitat e shoqi-shoqit. Pata dëgjuar se ai ishte vendosur në München në Katedrën e Gjuhës Shqipe. Enveristët e Kosovës dhe ai divizioni i sigurimsave që Ramiz Alia e kishte shpërndarë nëpër Evropë për të stolisur pak a shumë natyrën e regjimit komunist, ndër të tjerë filluan me përgojimet më të paimagjinueshme që pos të tjerëve kishin vendosur ta përbaltin edhe figurën e një studjuesi dhe intelektuali të ri. Ndërsa, Ismail Kadareja, për ta përbuzur, për ta bërë një askush dhe për ta diskualifikuar fare për Ardianin, para meje shprehej si për “atë horrin, të birin e Bilbil Klosit, ministrit të drejtësisë së Enver Hoxhës…”.

Në vjeshtë të ’91-shës përmes një mikes sime patëm rivënë lidhjen. Asokohe Ardiani, po qëndronte tek një miku i tij në Graz të Austrisë. Kërkonte ndihmën time në botimin e një libri. Nga Lubjana bashkë me pronarin slloven të shtypshkronjës ku unë shtypja “Republikën” dhe botimet e saj, në një mëngjez nëntori u nisëm dhe në mesditë u bëmë bashkë. Kaluam një drekë dhe pasdite të këndshme me shumë biseda për gjërat më të ndryshme. Çmimi që slloveni kërkoi për shtypjen e librit ishte bukur i lartë, prandaj edhe vetë i sugjerova Ardianit që librin më mire ta shtypte në Tiranë. Me shumë qejf i dhashë një shumë modeste të hollash si kontribut dhe lehtësim në kapërcimin e shpenzimeve të shtypjes…

Nga ajo kohë nuk e kam takuar më. Ndërkohë që me shumë kënaqësi kam lexuar artikujt e tij të shumtë në shtypin shqiptar, kam përcjellë debatet lidhur me qëndrimet e tij rreth politikës, gjuhës, historisë, polemikat lidhur me përkthimet… Gjithë kohën kam qenë në rrjedha të qëndrimeve të tij.

Në janar lexova diçka të trishtueshme për Ardian Klosin. Më pat trishtuar veçmas mënyra mizore se si shtypi dhe media shqiptare po transmetonte një tragjedi.

Tash paska ndodhur edhe kjo. Ardian Klosi i paska marrë jetën vetes?!

Jo, jo miqtë e mi! Ardian Klosi nuk e ka vrarë veten. Ardian Klosin e ka vra Shqipëria e Keqe.

Atë e vranë shqiptarët e ligj.

E vranë ngadalë, përditë, sistematikisht dhe me sistem.

E vrau klima tmerrësisht e pafavorshme për mendimin e lire, për studimin e thellë e të paanshëm…

Ardianin e vrau politika e shëmtuar shqiptare.

Ardianin e vranë karrieristët dhe injorantët.

Ardian Klosin e vrau edhe Ismail Kadareja me argatët e tij të çmendur.

E vrau, më vjen rëndë po edhe nuk mundem pa e thënë se e vrau edhe llaqumia e pseudointelektualëve budallenj kosovarë, të cilët ka mbi 20 vjet qyshse kanë uzurpuar median dhe institucionet kulturore-historike të Kosovës duke mbyllë shtigjet të gjitha opinioneve, mendimeve e studimeve të avancuara.

Ikjen nga kjo botë të Adrian Klosit e kuptova para pak orësh.

Asnjë nga ne tani nuk mund të bëjmë asgjë për të, ndërsa unë nuk munda të kaloj natën pa mos evokuar kujtimet e pakta nga kontaktet e mia me një mendje të madhe e të ndritur, koha do të tregojë - ndër më të ndriturat e Kombit Shqiptar sot.

Thashë më lart, nuk bënim pjesë në rrethin e miqve të njëri-tjetrit. Unë e rrespektoja dhe e çmoja për mendimin e tij të ndritur e të guximshëm.

Tash, jam i bindur, do të shohim se ç’njeri të madh kishim këtu, të cilin aq shumë e shamë dhe të cilit nuk ia ditëm kimetin.

 


Më të komentuarat